Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur për periudhën kur, si kryeministër i vendit, arriti të realizojë krijimin e Ushtrisë së Kosovës, duke e cilësuar këtë proces si një të drejtë historike të mohuar ndër vite. Haradinaj tha se ideja dhe qëllimi për krijimin e ushtrisë ka qenë prezent qysh para marrjes së detyrës së kryeministrit dhe se ajo përfaqësonte një amanet të brezave që luftuan për lirinë e Kosovës. “Ka qenë një e drejtë e mohuar e jona. Është punuar nga shumë breza, nga ata që nisën luftën për çlirimin e Kosovës. Ka qenë porosi e bashkëluftëtarëve, e dëshmorëve dhe e të gjallëve. Para ardhjes në detyrë e kam pasur këtë qëllim dhe kemi punuar çdo ditë për ta realizuar”, deklaroi Haradinaj. Ai bëri të ditur se momenti kyç që hapi rrugën për krijimin e Ushtrisë së Kosovës ishte takimi në Pentagon me Sekretarin e atëhershëm të Mbrojtjes së SHBA-së, gjeneralin James Mattis, takim që sipas tij krijoi besimin e nevojshëm te aleatët ndërkombëtarë. “I jemi mirënjohës Administratës Trump për mbështetjen e dhënë, si dhe shumë vendeve anëtare të NATO-s për besimin dhe përkrahjen. Shqetësimet e disa shteteve lidhen me Rezolutën 1244, ndryshimet kushtetuese dhe frikën se krijimi i ushtrisë mund të sillte destabilizim të Kosovës apo të rajonit, përfshirë edhe veriun e vendit. Kosova nuk duhet të jetë asnjëherë burim krizash të panevojshme, as për veten dhe as për aleatët e saj, duke theksuar se edhe fakti që ai vetë ka qenë ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka ndikuar në ndërtimin e besimit me partnerët ndërkombëtarë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
