Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se ka nënshkruar peticionin kombëtar të iniciuar nga kategoritë e dala nga lufta, në mbështetje të ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës që po përballen me procese gjyqësore në gjyatën speciale në Hagë. Përmes një postimi publik, Haradinaj theksoi se ky peticion synon të shprehë solidaritet dhe përkrahje për bashkëluftëtarët që, sipas tij, po gjykohen padrejtësisht. “Sot nënshkrova peticionin kombëtar të iniciuar nga kategoritë e dala nga lufta, në përkrahje të bashkëluftëtarëve tanë që po gjykohen padrejtësisht në Gjykatën Speciale në Hagë. Besojmë se edhe kësaj radhe drejtësia ndërkombëtare do të rikonfirmojë pastërtinë e luftës sonë të drejtë çlirimtare”, ka shkruar Haradinaj. Ai ka theksuar se lufta e UÇK-së ka qenë një luftë çlirimtare dhe e drejtë për lirinë e Kosovës, duke shtuar se beson që proceset gjyqësore në Hagë do ta konfirmojnë këtë. Në fund të reagimit të tij, Haradinaj ka shprehur edhe njëherë mbështetjen për ish-luftëtarët dhe idealin e luftës çlirimtare, duke përmbyllur mesazhin me thirrjen: “Rroftë UÇK-ja!”.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
