Ramush Haradinaj pas fitores së AAK-së: Kemi rritur besimin qytetar, i lus kryetarët që të punojnë me përgjegjësi

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është shprehur i kënaqur me rezultatin e zgjedhjeve lokale, duke theksuar se partia e tij ka shënuar rritje të votave në nivel vendi dhe ka fituar në të gjitha komunat që ka qeverisur deri më tani. Haradinaj ka përgëzuar kandidatët fitues të AAK-së dhe qytetarët për zgjedhje të lira e demokratike. “Urime të gjithë qytetarëve të vendit për zgjedhjet e lira e të mira që kanë ndodhur sot. I falënderoj të gjitha institucionet e vendit për punën që kanë bërë. Po ashtu, i bashkohem festës në Suharekë, ku po festojnë kolegët tanë. Qytetarët e Suharekës i përgëzoj për fitoren e tyre. Vërtet, kryetari Bali Muharremaj është një prej më të mirëve. I bashkohem festës në Rahovec, ku qytetarët i janë bashkuar kryetarit të tyre, Smajl Latifit. Po ashtu, festës në Gjakovë, ku Ardian Gjini ka arritur një fitore bindëse. Ky është një lajm i mirë për Gjakovën, sepse ai ka bërë një punë të mirë. Edhe në Klinë, kryetari Zenun Elezi ka fituar bindshëm. Deçani vazhdon të festojë që nga raundi i parë. AAK ka fituar të gjitha komunat që ka qeverisur me to,” ka deklaruar Haradinaj. Kreu i AAK-së ka theksuar se ky rezultat, përveç gëzimit, paraqet edhe një përgjegjësi të madhe për kryetarët e rinj. “Është një ndjenjë përgjegjësie. I lus kryetarët që të punojnë me përkushtim për qytetarët e tyre,” ka shtuar ai. Sipas Haradinajt, Aleanca ka dëshmuar një rritje të ndjeshme të mbështetjes në nivel kombëtar. “Kemi marrë mbi 87 mijë e 500 vota. E kemi rritur numrin dhe prezencën tonë. Në disa komuna do të qeverisim të vetëm, në disa të tjera do të bashkë qeverisim,” ka përfunduar Haradinaj.

Kontrolloni gjithashtu

Deri në orën 18:30 kanë votuar afër 376 mijë qytetar

Deri në orën 18:30 kanë votuar 28, 58 për qind e votuesve. Të drejt vote …