Tema të tjera...
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar sot tre vëllezërit Bytyqi – Agronin, Yllin dhe Mehmetin – shqiptarë nga Prizreni me shtetësi amerikane, të cilët u vranë mizorisht në Serbi në korrik të vitit 1999. Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj tha se vëllezërit Bytyqi lanë jetën në SHBA për t’iu bashkuar luftës për liri në Kosovë dhe se ata treguan trimëri të jashtëzakonshme duke luftuar me nder në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai e akuzoi shtetin serb për mosndëshkimin e përgjegjësve dhe për vazhdimin e praktikës së dekorimit të kriminelëve të luftës, përfshirë edhe ata që dyshohen për vrasjen e vëllezërve Bytyqi. Haradinaj shtoi se dhembja dhe krenaria e familjes Bytyqi është dhembje dhe krenari për gjithë kombin shqiptar. Ai përfundoi mesazhin me fjalët: “Lavdi jetës dhe veprës së tyre!”