Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vlerësuar rolin e pandërprerë të Mbretërisë së Bashkuar në mbështetjen e lirisë, stabilitetit dhe zhvillimit të Kosovës. Haradinaj bëri të ditur se është takuar me të dërguarën e posaçme të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Karen Pierce, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe sfidat aktuale politike. “Roli i Mbretërisë së Bashkuar ka qenë jetik jo vetëm në lirinë e Kosovës, por edhe në zhvillimin e saj. Mbretëria e Bashkuar edhe sot vazhdon të jetë ndër faktorët kyç në paqen dhe stabilitetin e Kosovës dhe të rajonit,” shkroi Haradinaj. Në takim, sipas tij, u theksua nevoja urgjente për konsolidimin e institucioneve demokratike dhe avancimin e agjendës euroatlantike të Kosovës. Haradinaj shprehu mirënjohje për angazhimin e ambasadores Pierce dhe për përkushtimin e vazhdueshëm të Londrës zyrtare ndaj Kosovës dhe të ardhmes së saj si pjesë e familjes euroatlantike.
