Në 15-vjetorin e vendimit historik të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i cili konfirmoi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka quajtur këtë vendim si një nga momentet më të rëndësishme në historinë e shtetformimit të Kosovës. “15 vjet më parë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë legjitimoi përpjekjet tona historike, të drejtën tonë për shtet. Vendimi i 22 Korrikut 2010 nga GJND është një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e shtetformimit dhe shtetndërtimit të Kosovës. Ai vulosi drejtësinë ndërkombëtare mbi idealin tonë të lirisë,” shkroi Haradinaj. Duke vënë theksin në sakrificat ndër breza për liri dhe drejtësi, Haradinaj theksoi se qëndrueshmëria e Kosovës është rezultat i përkushtimit të popullit të saj. Ai gjithashtu përsëriti rëndësinë e orientimit euro-atlantik të vendit dhe partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, si rruga e vetme për të përmbushur qëllimet shtetërore. “Rreshtimi kah vlerat perëndimore dhe orientimi ynë euro-atlantik duhet të jetë synimi ynë i pakompromis. Partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-në, është rruga e vetme për realizimin e synimeve tona si shtet,” përfundoi Haradinaj.
