Paralajmërimet për ndërprerje të mundshme të furnizimit me energji elektrike gjatë ditës së zgjedhjeve nuk duket se po shqetësojnë zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje. Madje, ata i kanë mohuar shqetësimet e ngritura nga raporti i takimit të KQZ-së me përfaqësuesit e kompanisë KEDS. Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka kritikuar ashpër anëtarin e PDK-së në KQZ, Ilir Gashi, i cili kishte shprehur shqetësimet për mungesën e garancive nga KEDS për furnizim të pandërprerë me energji elektrike në qendrat e votimit dhe të numërimit. Rizvanolli tha se deklaratat që paralajmërojnë ndërprerje mund të jenë sinjal për përpjekje për ndërhyrje në procesin zgjedhor. KEDS ka pranuar se nuk mund të garantojë furnizim të pandërprerë në të gjitha qendrat e votimit dhe të numërimit, duke përmendur faktorë si periudhat e konsumit të lartë, kushtet atmosferike dhe kapacitetet e kufizuara të transmetimit. Raporti përcakton se:
-
666 qendra votimi janë në rrezik të lartë për ndërprerje;
-
204 qendra votimi janë në rrezik të mesëm;
-
79 qendra votimi janë në rrezik të ulët;
-
19 qendra komunale të numërimit janë në rrezik të lartë;
-
12 qendra komunale të numërimit janë në rrezik të mesëm;
-
8 qendra komunale të numërimit janë në rrezik të ulët.
Raporti dhe shqetësimet lidhur me furnizimin me energji elektrike u diskutuan edhe në mbledhjen e fundit të KQZ-së, ndërsa partitë qeveritare mbeten të bindura se procesi zgjedhor do të zhvillohet pa ndërprerje.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
