Me rastin e 12 Qershorit – Ditës së Çlirimit të Shtimes, anëtari i Asamblesë Komunale, z. Reshat Mujota, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës së organizimit të mbledhjes solemne nga ana e Kryetarit të Komunës, z. Qemajl Aliu, duke e cilësuar këtë veprim si të papërgjegjshëm, jo të koordinuar dhe politikisht të papranueshëm. Në një reagim të bërë publik, Mujota thotë se ftesa fillestare për mbledhjen solemne u hartua pa asnjë konsultim me shoqatat e dala nga lufta, ndërsa në rendin e ditës nuk u përfshi fare kontributi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Vetëm pas reagimeve publike dhe insistimit të organizatave të luftës, Kryetari Aliu publikoi një ftesë të dytë, duke shtuar në mënyrë të sforcuar një pikë që parashihte një “fjalë rasti” nga përfaqësuesit e UÇK-së. Mujota e cilësoi këtë si mungesë serioze respekti institucional dhe përpjekje për të relativizuar kontributin historik të UÇK-së, duke shtuar se një qasje e tillë është një fyerje për të rënët dhe për trashëgiminë e luftës çlirimtare. “12 Qershori nuk është datë që i takon një kryetari apo partie. Është ditë lavdie kombëtare dhe nuk guxon të përdhoset nga mungesa e kujdesit institucional,” – tha Mujota. Ai kërkoi që në të ardhmen, të gjitha aktivitetet përkujtimore dhe organizimet zyrtare të koordinohen ngushtësisht me shoqatat e dala nga lufta, familjet e dëshmorëve dhe veteranët, për të ruajtur dinjitetin dhe qëllimin e vërtetë të kësaj dite. Në përfundim të reagimit, Mujota përcolli mesazhin e qartë: “Jo manipulimit me datat dhe simbolet tona kombëtare. Lavdi të përjetshme dëshmorëve të kombit!”
