Reagimi i Vlora Çitakut ndaj VV-së: ‘Akuzat ndaj Sala Jasharit janë të papranueshme dhe të padrejta’”

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të deputeteve të Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiut dhe Fitore Pacollit, të cilat e akuzuan deputeten e PDK-së, Sala Jashari, se ishte “në koordinim me Listën Serbe”. Çitaku theksoi se akuzat e tilla janë të papranueshme dhe cenojnë dinjitetin e familjes Jashari, duke kujtuar sakrificën e tyre në luftën për liri. “Më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, në Prekaz, në betejën më emblematike të kombit, ranë edhe Sala dhe Hamit Jashari. Sot, mbesa e tyre, Sala Jashari, me votën e shqiptarëve, është deputete e Kuvendit. Dhe sot, për interesa të një narracioni të ulët politik, një nënkryetare e Kuvendit guxon t’i thotë se është ‘në koordinim me Listën Serbe’. E papranueshme”, shkroi Çitaku. Ajo shtoi se çdo deputet i PDK-së ,ka më shumë kontribut për shtetin sesa “ata që për interesa ditore bëjnë akuza të pabazuara”, duke nënvizuar se është gabuar që figura me profil të tillë politik kanë arritur të mbajnë pozita të larta shtetërore. “Uroj që kjo ditë të shënojë fillimin e fundit të këtij mentaliteti politik. E turpshme, për besë”, përfundoi Çitaku. Reagimi i saj erdhi pasi Albulena Haxhiu akuzoi partitë shqiptare të ish-opozitës se ndodhen “në harmoni me Listën Serbe”, pas dështimit të LVV-së për të formuar qeverinë.

Kontrolloni gjithashtu

Besim Kelmendi nën hetim për Reçakun: Lidhjet e dyshimta para Luftës dhe roli i tij në Gjykatën serbe që mohoi krimet

Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, është thirrur sot në Prokurorinë Speciale …