Vetëvendosje

Reciprociteti me Serbinë nuk ishte kauzë, sikur insistonte Vetëvendosja në fushatën zgjedhore, por mashtrim klasik i votuesve

Reciprociteti me Serbinë nuk ishte kauzë sikur insistonte Vetëvendosja në premtimet parazgjedhore, por mashtrim klasik për të fituar besimin e shqiptarëve, të cilët kishin përkrahur unanimisht taksën qind për qind, që ia kishte vendosur Qeveria Haredinaj, shtetit të Serbisë. Kurti asokohe premtonte se jo vetëm taksa do të ishte njëlloj kushtëzimi por ai do ta vendoste reciprocitetin që nënkuptonte shkallën në të gjerë në raport mes dy shteteve të barabarta, duke përjashtuar mundësinë e dialogut me kushtëzime nga ana e Serbisë.

Kabineti Kurti, sapo ishte  formuar  kishte  bërë të ditur se do ta mbahej premtimi elektoral i Vetëvendosjes për ta vendosur reciprocitetin me Serbinë, madje kishte  paralajmëruar se do të pasurohet  edhe më tej.

Kosova do të vendoste reciprocitet me të gjitha vendet e rajonit e më gjerë, pse jo edhe me Shqipërinë, edhe pse nuk janë dhënë hollësi të mjaftueshme.

Reciprociteti me Shqipërinë nënkupton edhe pjesëmarrjen në zgjedhjet e Kosovës, të kandidatëve të mundshëm të Partisë Socialiste të Shqipërisë, apo të ndonjë partie tjetër. Po ashtu, sipas shembullit të Vetëvendosjes, partitë politike të Shqipërisë do të mund të krijonin edhe degët, apo qendrat e tyre në vendin tonë. Dhe nuk do të kishte asgjë të keqe në këtë drejtim, por  vetëm reciprocitet, madje  do të ishte “reciprocitet vëllazëror”.

Por e keqja e premtimit elektoral të Albin Kurtit qëndron në faktin se ai e ka ditur dare mirë se nuk do të kishte  asnjë shans të vetëm të vendos reciprocitet me Serbinë, pa e prishur definitivisht Marrëveshjen e Uashingtonit të 4 shtatorit të vitit 2020, të arritur mes Kosovës e Serbisë, me ndërmjetësimin dhe përfitimin për vete, të ish kryetarit amerikan, Donald Trump.

Se marrëveshja e tillë nuk përfillë  reciprocitet, u pa edhe me rastin e vendosjes së njëanshme të ambasadës së Kosovës, në Jerusalem, akt të cilin Kurti kurrë nuk do ta kishte pranuar derisa do të kishte qenë në opozitë. Fajin e ka ish-Qeveria Hoti, Koti apo Huti, dhe “nuk ki ça  mi bo”, arsyetonte, z. Konjufca.

Me këtë rast kemi të bëjmë me një marrëveshje ndërkombëtare, madje të ndërmjetësuar nga vetë Amerika e Trumpit e rikonfirmuar si marrëveshje valide  edhe nga Amerika e sotme e Bajdenit.

Kurti,  kishte premtuar prishjen e asaj marrëveshje si prioritetin e  parë të Qeverisë, por tani ka kaluar fushata, janë vjelë votat, kali ka kaluar Drinin… tani  askujt nuk i bëhet vonë.

Dorën në zemër, premtimet elektorale janë të natyrës që i zbeh koha, dhe as janë marrë as duhet të merren seriozisht, por “reciprociteti” i Albin Kurtit, nuk ishte thjesht premtim elektoral, pasi dikur ishte  përdorur, si kauzë e krejt Kosovës,  si zëvendësim për heqjen e taksave mbi mallrat serbe, në kohën e Qeverisë Haradinaj.

Po ashtu, Kurti ka kalkuluar edhe një hesap tjetër, kësaj radhe me hanxhinë.

Dialogu me Serbinë parimisht është reciprocitet, sepse  në tavolinën e bisedimeve ulen bashkërisht përfaqësues të dy  delegacioneve,  të dy shteteve, pa kushtëzime paraprake. Nëse arrihet ndonjë marrëveshje, kjo do të thotë se reciprociteti po vazhdon, edhe nëse nuk arrihet, reciprociteti do të vazhdojë në të ardhmen.

Po ashtu reciprociteti nënkupton edhe fjalën “kompromis”,  dhe që ka qenë e vazhdon të jetë kushti  numër një  i Serbisë.

Reciprociteti me këtë rast do të nënkuptojë një pazar me përfitime për të dyja palët, por njëra palë, ajo më e dobëta do të dalë e lagur.

Serbia do ta marrë veriun dhe Kosova do ta mbajë pjesën tjetër, në Lindje,  pasi të dyja palët janë marrë vesh që nuk do të ketë shkëmbim territoresh. Serbia nuk mund ta detyrojë Qeverinë e Kosovës, t’i kërkojë tri komunat shqiptare në Lindje, pasi me kohë ka hequr dorë nga ato, sepse shkëmbimin e territoreve e kishte ideuar, kundërshtari më i madh i Kurtit, pengesa më e madhe në rrugëtimin e tij për 15 vjet, Hashim Thaçi.

Kompromisi  rezervë i Serbisë, nëse jo ndarja, atëherë  do të jetë “Zajednica”, formulim gjuhësor politik, eufemistik  i vetë Kurtit, në zëvendësim për “Republikën serbe të Kosovës”, me fuqi vendimmarrëse,  ekzekutive. Për të mos lejuar krijimin e  “Zajednicës” dhe me qëllim për ta mbrojtur Çakorin, ende përgjigjen para gjyqeve  deputetët e Kurtit dhe të Ramushit, të cilët kishin hedhur gaz lotsjellës në Kuvend, duke kundërshtuar Qeverinë, Mustafa.

Kemi pritur që qeciprociteti i Albin Kurtit  do të kalkulohet, do të stërhollohet dhe do të  dridhet e do të përdridhet si mishi në hell, me qëllim që mishi të piqet e helli të mos digjet, por ja që ndodhi fare papritur, natyrisht jo nga goja e Kurtiti, për shkaqe që dihen por nga goja e ministres së tij, zonjës Rozeta Hajdari e cila ka deklaruar se Qeveria e Kosovës ka vendosur të heq dorë nga reciprociteti me Serbinë.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka treguar pse nuk do të vendoset kjo masë ndaj shtetit fqinj. Ministria ka bërë me dije sot se nuk ka dashur që të vendosë menjëherë reciprocitetin me Serbinë por të shfrytëzojë mekanizmat rajonalë që të zgjidhin problemet, që ekzistojnë mes dy shteteve. Këto deklarata, Hajdari i bëri gjatë konferencës rajonale “Ndikimi ekonomik dhe pasojat e krizës” të organizuar nga Oda e Afarizmit të Kosovës dhe partnerët e saj, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri – Perëndimore dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë të Qarkut të Vlorës. Zonja Hajdari tha se si ministre, qëllimi është që të forcojë bashkëpunimin rajonal dhe të zgjidhë problemet, pavarësisht se Serbia po bën gjithçka që të pengojë vendin tonë. Duke prekur temën e reciprocitetit, zonja Hajdari u shpreh se nuk ka dashur që të ndërmarrë këtë veprim, duke shprehur gatishmërinë që problemet të zgjidhen në tryezën e bisedime, me negociata dhe  përmes mekanizmave të duhur.

Liridashësit e Kosovës, ata që kanë sakrifikuar dhe do të sakrifikojnë kurdo që të paraqitet nevoja, nuk do t’ i gëzohen humbjes së Albinit e Rozetës, në raport me Serbinë dhe BE-në, me moton idiotike, “për inati të resë…”. Pavarësisht se kush e udhëheq Kosovën, ai që mendon se është më i mençuri i botës, apo ai tjetri të cilin e thërrasin me nofkën Koti e Huti, apo Hajni e tradhtari, reciprociteti i paralajmëruar i Albin Kurtit, ra si kulla prej zalli, sepse është ditur fare mirë  se ka qenë një sfidë tepër e rëndë për ta gëlltitur, ka qenë një piramidë mashtrimi,  duke e ditur fare mirë se atë  reciprocitet nuk do ta pranojë Amerika, as BE-ja, as Gjermania dhe askush nga vendet të cilat Kosova i konsideron vende  mike.

Heqja dorë nga reciprociteti, sa për fillim, paralajmëron fillimin e dialogut të Albinit me Vuçiqin, me ndërmjetësimin e Lajçakut, Borelit, Stanojes, paralajmëron fillimin e kushtëzuar të negociatave, kur lakrorit do t i hiqet peta krejtësisht dhe kur premtimi për kauzë, të do avullohet me fjalët, mirëkuptim, marrëveshje reciproke, bashkëpunim rajonal, zgjidhjen e problemeve me bisedime e të tjera, pikërisht ashtu si në kohën e  regjimit të bashkim vëllazërimit të shqiptarëve me serbët e popujt e tjerë të Jugosllavisë, të bashkëjetesës së Kosovës me Serbinë, në kohën e të ashtuquajturave  ndërrime kushtetuese në vitin 1988, që kishte ndërmarrë Serbia në drejtim të pezullimit edhe të asaj autonomie së cilës i kishte dalë ngjyra.

Jo rastësisht  të burgosurit politikë të Lëvizjes Vetëvendosje edhe kërkesën bazë të vitit 1981, Republikë Kushtetutë-ja me hatër ja me luftë, për hir të Albinit e deformuan, dhe e bënë: Vetëvendosje Kushtetutë, sepse kështu ka lezet, pavarësisht çka thotë historia, ajo për dikë duhet të jetë mësuese e jetës, por për dike nuk ka pse të mos jetë edhe një putanë që ulet në prehrin e çdokujt.

Vetëvendosje- Jo negociata, tani në ndërrimin e tezave do të tingëllojë, dialog dhe negociata, mirëkuptim fqinjësor  e përparim, mjafton që Vetëvendosja ta ruajë emrin e partisë dhe kjo nuk është pak.  (Ahmet Qeriqi)

Kontrolloni gjithashtu

Komandanti i ZOD, gjatë luftës, Sami Lushtaku, rrëfen momentet me komandantin. Ilaz Kodra, në 25-vjetorin e rënies së tij

Në 25-vjetorin e rënies së komandantit Ilaz Kodra, bashkëluftëtari i Ilaz Kodrës, Sami Lushtaku, ka …