Reshat Mujota: Ata varrosën gjymtyrët, ne po varrosim kujtesën

Dikush e la dorën në Koshare. Tjetri këmbën në Jezerc,e tjetrit sytë iu shuan. Ata nuk u tërhoqën. As kur plumbi iu fut në trup. As kur dhembja bërtiste më shumë se pushka. I lanë gjymtyrët nëpër llogore dhe marshuan përpara – për lirinë tonë, për këtë Kosovë që ne sot po e kalbim me harresë.
Sot, invalidët e luftës jetojnë me plagë që ende kullojnë. Plagët e tyre janë të hapura, mish i gjallë që nuk është shëruar as pas 26 vitesh. Disa nuk mund të ecin, disa nuk mund të flenë, disa nuk mund të flasin për natën kur shokët u ndanë përgjithmonë në një krismë që u lahu në gjak.
Ndërsa veteranët – ata që mbijetuan luftën, por nuk po i mbijetojnë padrejtësisë janë në mëshirën e Zotit. Pensionet e tyre janë një tallje. Jetojnë në skamje, në hije, në harresë. Askush nuk i viziton. Askush nuk i dëgjon. Politikanët i përmendin vetëm në përvjetorë, kur flasin para kamerave me fjalë boshe e zemër të ftohtë.
Dëshmorët tanë nuk kërkojnë më asgjë. Ata janë prehur. Por amaneti i tyre po copëtohet. Ëndrra e tyre po përbaltet. Po sundojnë ata që s’e qëlluan kurrë armikun, por e gënjyen mikun. Po flasin ata që s’kanë as një kujtim të pluhurit të luftës, por e kanë bërë UÇK-në dekor për karrierë.
Kosova e pasluftës është një plagë që dhimbshëm na kujton se liria pa drejtësi është një mashtrim. Dhe nuk ka paqe të vërtetë mbi varret që ne i përmendim vetëm njëherë në vit, por i tradhtojmë çdo ditë me heshtje.
Kujtoje atë që s’ka dorë ta ngrejë flamurin, atë që s’ka këmbë të ngjitet në memorial, atë që sytë i la në luftë e sot sheh vetëm errësirë. Sepse ata nuk luftuan për të na parë të përulur, të harruar dhe të poshtëruar.
Nëse s’kemi guxim t’i mbrojmë të gjallët që sakrifikuan gjithçka, s’kemi as të drejtë të flasim për të vdekurit që na e dhanë lirinë.

Kontrolloni gjithashtu

Sokol Bashota: DITA E SOTME PËRKUJTON SAKRIFICËN SUBLIME QË MBOLLI RRËNJËT E LIRISË DHE TË ARDHMËRISË

Për Klinën me 18 qershor të vitit 1999 erdhi Ora e Madhe e Lirisë pas …