Rilindasit e vonuar dhe rikthimi në identitetin e të parëve

Jeta dhe vepra e Josif Bagerit, (1868 – 1915) e panjohur dhe e pandriçuar sa duhet,  po rikthehet në kujtesën e kombit, së bashku me një rizgjim të vonuar të ortodoksëve shqiptarë të Maqedonisë, të cilët ishin shumëfish të keqtrajtuar e të përbuzur. Në radhë të parë të përbuzur si shqiptarë, nga Perandoria Osmane dhe nga sllavët e grekët,  pastaj të anashkaluar si pjesëtarë të fesë së vjetër,  në kohën kur shumica e vëllezërve të tyre  të gjuhës e të gjakut, kishin pranuar islamin, të përbuzur e të katandisur edhe më keq nga shteti sllavomaqedon, i cili të gjithë besimtarët ortodoksë i trajonte dhe i trajton si bullgarë, apo maqedonë sllavë, si të tillë këta shqiptarë përbëjnë një kapitull në vete për studimin dhe ndriçimin e së kaluarës dhe së tashmes së tyre.


Dihet se Malësia e Dibrës, Fusha e Pollogut, Malësia e Dervenit, Malësia e Rekës deri në shekullin 19-të në shumicë  i takonte fesë ortodokse, ku ishte e përhapur edhe laramania fetare, ashtu si kudo ndër fshatrat malore të Shqipërisë etnike. Fakti se shqiptarët ortodoksë të këtyre trevave mbanin dhe dëgjonin meshën në gjuhën greke dhe atë sllave, u përmbaheshin festave fetare ortodokse, që lidheshin me Kishën e Lindjes, bëri që shumë herët të fillojë edhe asimilimi gjuhësor e kombëtar. Të ndodhur me kurdhës dhe çekanit, shqiptarët ortodoksë në Maqedoni iu nënshkruan procesit të humbjes së identitetit autokton, humbjes së gjuhës dhe zakoneve shqiptare. Në 100 vjetët e fundit pjesa më e madhe e tyre u bullgarizua dhe u greçizua. 


 


Rikthimi i një pjese të elitës kulturore të shqiptarëve ortodoks në identitetin e mirëfilltë, sikur është intelektuali dhe misionari i rizgjimit, Branko Manojlovski zgjon shpresa edhe për shumë shqiptarë të tjerë ortodoksë të rikthehen në rrënjët e moçme, pa asnjë presion, por me përcaktim vullnetar. Kohë më parë, “kryetari i Kuvendit të Kosovës,  Jakup Krasniqi, priti  misionarin e ringjalljes kombëtare ndër shqiptarët ortodoks në Maqedoni, Branko Manojlovski, të cilin e ka përgëzuar për punën e madhe dhe të mundimshme që është duke e bërë për vetëdijesimin kombëtar të një numri të madh të shqiptarëve ortodoks në Maqedoni, të cilët, në kohën e socializmit jugosllavë janë asimiluar. Branko Manojlovski, me origjinë nga Reka e Epërme, që përfshinë 18 fshatra në rrethinat e Dibrës, i cili tash e 40 vjet jeton dhe punon në Amerikë por një pjesë të mirë të kohës e kalon në vendlindjen e tij, ka rrëfyer fakte pikëlluese për fatin e rreth 300 mijë shqiptarëve ortodoksë në Maqedoni.  Ai është shprehur optimist për suksesin e misionit të tij të vështirë: “Shqiptarët ortodoks në Maqedoni po u kthehen rrënjëve. Dua që fëmijët tanë dhe fëmijët e fëmijëve tanë ta dinë se vijnë nga etër e gjyshër shqiptarë, e ta kuptojnë se gjaku ujë nuk bëhet”, është shprehur veprimtari nga Reka e Epërme, duke përkujtuar rilindësin e madh shqiptar të asaj treve, Josif Bageri.  Manojlovski  është shprehur shumë i kënaqur që ndodhet në Kosovën e lirë, duke i uruar popullit shqiptar të Kosovës suksese edhe më të mëdha në të ardhmen, e duke qenë i bindur se shteti i pavarur i Kosovës duhet të bëjë më shumë për bashkëkombësit tanë kudo ku ata jetojnë”.


 


Aktivitetet e tilla, vizitat e ndërsjella, ndihma që do të duhej ta ofronte  në këtë drejtim Tirana dhe Prishtina, pa dyshim se ndihmojnë në disponimin shpirtëror të këtyre njerëzve, të dhunuar e të përbuzur nëpër shekuj. ( A. Qeriqi)



 


Josif Bageri (1868 – 1915) personalitet i shquar i Rilindjes Kombëtare


 


Josif Bageri (1868 – 1915) nga Reka e Epërme e Dibrës ishte një ndër figurat më të shquara të Rilindjes sonë kombëtare. Ai ishte poet me talent të rallë, prozator që shkroi shumë tregime (sidomos për fëmijë), gazetar dhe publicist si dhe atdhetar i flakët, i cili tërë jetën dhe veprën ia kushtoi çështjes kombëtare shqiptare.


 


Josif Bageri u lind në vitin 1868 në fshatin Nistorvë, i cili në atë kohë administrativisht i takonte sanxhakut të Dibrës, kurse tani – rrethi i Gostivarit. Në vendlindjen e tij e kaloi fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë. Për shkak të rrehtanva politike të asaj kohe Josif nuk pat mundësi të fillojë shkollimin në moshën e duhur. Leximin dhe shkrimin shqip e përvetësoi në Sofje në moshën 17 vjecare. Atje jetoi si mërgimtar, ku për një kohë të gjatë punoi si këpuctar. Krahas kësaj pune Josifi në Sofje, prej vitit 1887 u inkuadrua edhe në lëvizjen kombëtare shqiptare. Në këtë kohë, Sofja ishte e stërmbushur me atdhetarë, te cilët i ndiqte pushteti osman , për shkak të veprimtaris së tyre. Më 1 janar te vititi 1893 ne Sofje u themelua shoqëria shqiptare “Dëshira”, ndërsa Josifi ishte njëri ndër themeluesit dhe aktivistët më të shquar të sajë. Kah fund i vitit 1899 shkoi në Stamboll për të vizituar poetin tonë të madh Naim Frashërinë, i cili ishte shumë i sëmurë dhe dergjej në shtrat. Takimi me Naimin i la mbresa të mëdha. Ndikimi i tij ishte jashtzokinsht i madh tek Josifi, sa që pas vdekjes se Naimit shkruajti edhe poezi për të:


 


Gjat periudhës së viteve 1905 – 1907 Josifi ndihmoi shumë në përhapjen e arsimit shqip ndër masat popullore. Ishte luftëtar i denjë për gjuhën dhe shkollën shqipe dhe si rezultat i saj, në shtator të vitit 1908 në fshtatin e tij të lindjes hapi edhe një shkollë shqipe. Në maj të vitit 1910, në Sofje fillon të botojë gazetën me titull “Shqypeja e Shqypnisë ”, e cila luajti një rol të madh në përhapjen e asrsimit dhe në trajtimin e cështjes kombëtare. Pas shpalljese së pavarsisë së Shqipërisë, Bageri kthehet në Shqipëri dhe vendoset në Durrës. Atje qeveria e emron redaktor të revistës “Ushtima e Krujës”. Në vitin 1915 , gjatë një udhëtimi të mundimshëm nga Durrësi për në Sofje, i lodhur e irraskapitur fizikisht Vdes ne Prishtinë.


 


Josofi Bageri punoi shumë për cështjën shqiptare. Punoi pa u lodhur, duke lënë pas shumë shkrime teë botuara e të pabotuara; poezi e prozë, platoforma politike, artikuj, komente, reagime, klidhje politike etj. Gjate veprimtarisë së tij pati një bashkpunim te ngushtë me dibranët: Said Najdenin e Jashar Erebarën, m Atanas Albanskin nga Reka e Epërme, me Nikolla Ivanajn, Luigj Gurakuqin dhe shumë atdhetar të tjerë. Personaliteti dhe veprat e tij politike, letrare e publicistike meritojnë respekt të lartë.


 


 


U përurua libri “Josif Bageri – rilindasi shqiptar”


 


Autori i librit Branisllav Sinadinovski, një bashkëqytetar i Josif Bagerit, po ashtu me rrënjë të vjetra shqiptare – ortodokse vuri theksin në domethënien që ka edhe sot vepra e Bagerit


 


Në Universitetin Shtetëror të Tetovës, ditën e mërkurë në organizim të USHT-së, Bibliotekës së Tetovës dhe Shoqatës “Josif Bageri”, u promovua monografia “Josif Bageri – Rilindasi shqiptar”, i autorit Branisllav Sinadinovski, i cili edhe vetë është me prejardhje nga Reka.


Në këtë promovim, të pranishëm përpos një numri të madh të studentëve, profesorëve, udhëheqësisë së universitetit me në krye Rektorin, Prof. Dr. Vullnet Ameti, ishin edhe  ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Arben Çejku dhe ai i Republikës së Kosovës në Maqedoni, Ylber Hysa, zëvendës ministri i arsimit Safet Neziri, si dhe personalitete të shumta të jetës shoqërore – politike dhe kulturore të vendit.


Të pranishmit, në emër të USHT-së i përshëndeti, Prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar, Prof. Dr. Arbër Çeliku i cili theksoi se Universiteti Shtetëror i Tetovës përherë i ka përkrahur dhe vazhdon t’i përkrah iniciativat që kanë të bëjnë me aktivitetet për afirmimin e vlerave kulturore, shkencore dhe letrare. “Figura e Josif Bagerit është mjaft komplekse që duhet të studiohet në shumë aspekte pasi që është një ndër figurat e shquara të Rilindjes sonë kombëtare”, tha në mes tjerash prorektori Çeliku.


 


Në emër të shoqatës “Josif Bageri” dhe Bibliotekës së Tetovës, foli drejtoresha e këtij institucioni, Fitore Reshiti, e cila tha se ky promovim nuk do të ishte i mundshëm pa një bashkëpunim mes USHT-së dhe Shoqatës ,,Josif Bageri”. Për rëndësinë e veprës “Josif Bageri – Rilindasi shqiptar”, folën akademiku Vllado Popovski, profesorët universitarë, Salajdin Salihu, Ejup Ajdini, Aurora Ndreu – Karameti, si dhe vetë autori i librit.


Akademiku Vllado Popovski duke vlerësuar monografinë dhe jetën e veprën e Josif Bagerit, preku edhe çështjen e marrëdhënieve ndëretnike dhe ndërfetare në Maqedoni, ku në mes tjerash tha se babai im më ka mësuar se shqiptarët dhe maqedonasit me shekuj kanë jetuar bashkë, “Personaliteti i Josif Bagerit dhe libri kushtuar jetës dhe veprës së tij, në thelb kanë të bëjnë me procesin kombëtar shqiptar nga shekulli i XIX, gjë që kulmon me krijimin e Shtetit shqiptar në vitin 1912. Nga këto arsye, fillimisht si tezë paraprake e patjetërsueshme është që të jepet një definicion i përgjithshëm i procesit kombëtar shqiptar i cili u zhvillua në shekullin XIX dhe që u imponua me forcën dhe veçantinë e saj që edhe në marrëdhëniet politike ndërkombëtare u njoh pikërisht me formimin e Shtetit shqiptar.


Autori i librit Branisllav Sinadinovski, një bashkëqytetar i Josif Bagerit, po ashtu me rrënjë të vjetra shqiptare – ortodokse vuri theksin në domethënien që ka edhe sot vepra e Bagerit.


“Nëpërmjet demistifikimit të jetës dhe veprës së Bagerit të madh, të fshihet harresa e tij e imponuar. Ai pluhur i krijuar që tani më peshon me tonelata mbi jetën dhe veprën e tij, njëkohësisht me këtë të përfundojë heshtja shumëvjeçare për Bagerin dhe ky personalitet dhe vepra e tij të jetë më e afërt për qytetarët shqiptarë dhe maqedonas, por edhe shumë më gjerë, pasi besomëni në këtë që e them, kam studiuar shumë literaturë, por shumë pak, me të vërtetë shumë pak në aspektin interdisciplinar është shkruar për këtë njeri të madh, i cili është fenomen në kuptimin e vërtetë të fjalës. Ai është autodidakt, analfabet, luan në kavall, ruan dhen, por udhëheq debate teorike sikur të ishte në pyetje Hegeli, Kanti ose ndonjë filozof tjetër i madh. Duke mos hyrë aspak në poezinë e tij e cila lirisht mund të krahasohet më një Njegosh, Koço Racin, Branko Priobiçeviq e të mos flas për të madhin Naim Frashëri. “Josif Bageri, është një person i cili ka luftuar për bashkimin e shqiptarëve, ai ka qenë një person i cili e ka luftuar ndarjet fetare dhe racore duke thirrur në bashkimin e shqiptarëve në lidhje të besës dhe gjakut. Edhe pse Josif Bageri nuk ka pasur një shkollim të mjaftueshëm atë mund ta krahasojmë me shumë shkrimtarë të njohur botërorë“, tha Sinadinovski.


Ai ofron dëshmi të shumta mbi lidhjet e ndryshme kulturore, revolucionare, politike ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve.


“Në fund të fundit dhe vetë synimet e Bagerit ishin për “unitet në popullin e vet, e pastaj aleanca të forta me të gjithë popujt fqinj që e rrethojnë”.


Duhet thënë se ofertat e elitave intelektuale dhe politike shqiptare kanë qenë të shpeshta për krijimin e një mirëkuptimi të këtillë, të ngritur mbi bazamentin e së vërtetës, barazisë dhe solidaritetit”, theksoi Sinadinovski.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. Zholi

Albert Z. ZHOLI:  Dita Botërore e  librit dhe e kriza e së drejtës së autorit në Shqipëri

 Dita Botërore e  librit dhe e kriza e së drejtës së autorit në Shqipëri Shqipëria …