RKL: Intervistë me ish të burgosurin politik, veprimtarin dhe luftëtarin e lirisë, Bajram Gashi

RKL: Intervistë me ish të burgosurin politik, veprimtarin dhe luftëtarin e lirisë, Bajram Gashi

RKL: Z Bajram, për fillim  na tregoni ku jeni lindur, ku keni kryer mësimet e para dhe shkollimin në përgjithësi?

Jam lindur më 16 qershor, 1959,  në fshatin Llapushnik, komuna e Drenasit. Pesë vitet e para të shkollës fillore i kam kryer në paralelen e Shkollës Fillore “Emin Duraku” të Arllatit në Llapushnik kurse tri klasat tjera në shkollën amë në Arllat. Shkollën e mesme e kam kryer në Shkollën e Mesme për Punë të Brendshme në Vushtrri. Shkollën e lartë e kam kryer në ShLP.- në Gjakovë drejtimi Gjuhë Shqipe e Letërsi, kurse sivjet kam diplomuar në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, në Fakultetin Juridik.

RKL:  Qysh në moshë të re iu keni bashkuar radhëve të Lëvizjeve atdhetare  që vepronin ilegalisht në Kosovë. Cili ka qenë motivi apo frymëzimi që  ta ndiqni atë rrugë me rreziqe, befasi dhe të papritura?

Që në fëmijëri jam frymëzuar nga familja, farefisi dhe shumë mësimdhënës dhe librat e lexuara jam njohur me padrejtësitë dhe vështirësitë deri në prag shfarosjeje me të cilat është ballafaquar kombi ynë por edhe me rezistencën në forma dhe përmbajtje të ndryshme dhe se ende nuk ishte arritur synimi i popullit të udhëhequr nga atdhetarët. Dëshira për të ndjekur në mënyrë aktive udhën e rilindësve dhe atdhetarëve tjerë të të gjitha periudhave dhe lufta e drejtë për liri e bashkim ishin motivet kryesore që më nxitën të gjeja bashkëmendimtarë në mesin e studentëve të ShLP. “Bajram Curri” në Gjakovë, ku edhe unë studioja në degën Gjuhë Shqipe e Letërsi.

RKL: A ka ushtruar ndikim në rrugën tuaj revolucionare Shqipëria Socialiste e asaj kohe?

Shqipëria Socialiste përmes emisioneve të Radio Tiranës, Radio Kukësit dhe Radiotelevizionit Shqiptar, ka pasur rol kyç në mbrujtjen time kombëtare e atdhetare që pastaj më ka përgatitur për kyçje në celula dhe organizata politike ilegale siç ishte :Fronti i Kuq Popullor” dhe “Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Viseve Shqiptare në Jugosllavi”.

RKL: Në prill të vitit 1979 iu keni bashkuar  organizatës së quajtur “Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Viseve Shqiptare në Jugosllavi” e themeluar nga atdhetari i mirënjohur, Jusuf Gërvalla. Cila ka qenë platforma dhe fushë-veprimtaria e Organizatës?

Pas diplomimit në Shkollën e Mesme për Punë të Brendshme “13 Maji” në Vushtrri, fitova titullin milicioner dhe më caktuan me detyrë në Sekretariatin Komunal për Punë të Brendshme në Gjakovë. Ngase përherë isha nxënës i shkëlqyeshëm, vendosa ta vazhdoj shkollimin dhe u regjistrova me korrespodencë në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës. Për shkak të situatës së nderë politike, nuk më lejonin të shkoja në provime dhe duke e parë pothuajse të pamundshme vazhdimin e studimeve në Prishtinë, në vitin 1979 u regjistrova në ShLP. “Bajram Curri” në Gjakovë. Ngase që nga 1 shkurti 1979 kërkova transferim në Paralelen e Milicisë në Dushkajë mu krijuan kushte më të përshtatshme për studime. Edhe pse isha me korrespodencë, shpesh shkoja edhe në ligjërata. Profesorët si Shefqet Canhasi që ishte i kyçur në lëvizjen ilegale por edhe profesorët tjerë ligjëratave u jepnin edhe kahe kombëtare e atdhetarëve. Gjatë studimit po ashtu arrita të fitoj besimin e studentëve tjerë që i takonin grupeve ilegale dhe ishin anëtarësuar në Frontin e Kuq Popullor e gjetiu, si Ibish Neziraj e Ramë Zeqiri por edhe shoqërohesha dhe diskutonim hapur për çështje të ndaluara ndër ta me  Ismet Sopin, Agim Deskun, Ilmi Gegaj e shumë të tjerë. Kështu në prill të vitit 1979 u përfundimisht u anëtarësove në Frontin e Kuq Popullor.

Duhet cekur se gjatë shtatorit të vitit 1978 sa isha në detyrë kujdestar në Postëkomandën e Milicisë në Gjakovë, rastësisht hasa në programin e TVSh-ës. Derisa isha duke e përcjellë programin, milicioneri, Hamëz Batusha dhe një tjetër të komunikacionit krahinor me sa më kujtohet ishte një Lushtaku nga Skenderaji, hynë në kujdestari dhe ma bënë me dije se po e përcillja televizionin e ndaluar tek ne. Unë u thash se nëse nuk guxojnë ta përcjellin mua të mos më pengojnë. Ata shprehën gatishmërinë e tyre të më ndihmon në të gjitha tjerat vetëm mua ma lanë të e shtypja sustën e programit. Këtë e dëshmuan edhe në vepër. Më ndihmuan ta rregulloja antenën dhe u ballafaquan me serbë e malazez kur synonin që dhunshëm ta ndërronin kanalin televiziv. Vitin e Ri 1979 rreth dhjet milicioner e kemi pritur në kujdestarinë e Postëkomandës së Milicisë në Gjakovë duke e përcjellë nga fillimi deri në mbarim emisionet e TVSh-së

Kur u transferova në Dushkajë, vazhdova të njëjtë udhë dhe meqë kishim edhe një radio, i përcillja edhe programet e Radio Tiranës dhe Radio Kukësit sidomos emisionet për bashkatdhetarë dhe emisionet muzikore ku i këndohej edhe Enver Hoxhës. Po ashtu edhe kur patrulloja në fshatra gjatë ndejës në odë kërkoja ta përcillnim TVSh-në. Kështu e “legalizova” këtë që deri atëherë përcillej vetëm pa praninë e milicisë. Banorët e dushkajës filluan të më quanin Bajram Kukësi, në fillim nga ata që nuk ma dinin mbiemrin e pastaj edhe nga të tjerët. .

Rëndom, gjatë kohës së lirë, kur nuk lexoja, rrinim në shitoren e Avdyl Hoxhës. Avdyl Hoxha ishte i ri në moshë, humorist i madh dhe shoqëroheshim shumë me të. Pasi u bind në çiltrinë time i kishte folur për mua dhëndrit të tij Ismail Haradinajt nga Gllogjani i Deqanit. Kështu na kurdisi një ndej të përbashkët në dasmën e tij në Cërmjan ku Ismaili foli për rrethanat politike dhe rrethanat historike që ndanë Shqipërinë në Kongresin e Berlinit, Konferencën e Londrës, paqen e Shënë Stefanit, Konferencën e Bujanit e shumë të tjera. Unë isha i pranishëm në uniformë dhe disa provuan ta dredhonin rrjedhën e bisedës dhe më vidhnin me sy për të kuptuar reagimin tim. Unë e dëgjoja me vëmendje dhe kur pritej të ndërhyja, u thash: “Ne mund të themi çka të duam, por faktet historike dhe të vërtetën nuk mund ta ndryshojmë. E jona është ta ndryshojmë gjendjen dhe tu japim fund padrejtësive të deritashme. Ju vetë e shihni se sa të lirë jetoni sot dhe po u emancipuat edhe më të lirë do të jetoni nesër”. Më nuk fola por kaq mjaftoi të fitoja interesimin e bacës Ismail dhe të bindej në ato që i kishte thënë Avdyli për mua.

Kështu filluam të takoheshim si rastësisht dhe të këmbenim disa fjalë derisa në qershorin e vitit 1980 e fitova besimin e plotë të bacës Ismail dhe më anëtarësoi në  LKÇVShJ. Pas kësaj mora detyra konkrete të krijonim grupe të vogla në sistemin e treshit. Në një nga takimet e shumta që kisha me Ismetin, i bindur në idealet e përbashkëta e informova në mënyrë provokuese se kam vërejtur se po organizohen grupe armiqësore me synim shkëputjen nga Jugosllavia dhe bashkim me Shqipërinë. Ismeti kërkoi të hiqja nga fjalori emërtimin armiqësore dhe ta zëvendësoja me çlirimtare. Atëherë i shpjegova shumëçka dhe i propozova që së bashku të rekrutonim të tjerë kurse unë do ta rekomandoja për në celulë. Deri në shtator Ismeti arriti të rekrutonte anëtarë të rinj (Alush Thaçin, Qerkin Sopin dhe Nuhi Sopin) dhe vendosëm të avancojmë statusin e celulës në Komitet të Vendit të LKÇVShJ për Drenicë, me seli në Llapushnik.

RKL: Kur ju kanë arrestuar dhe me cilët nga bashkëveprimtarët ju kanë dënuar për vepra penale, të cilat në ligjin penal të kohës sanksionoheshin si aktivitet armiqësor në pozita të nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar?

Më 18 nëntor 1980 është arrestuar Ibish Neziraj, më 22 nëntor Ramë Zeqiri dhe më 24 nëntor jam arrestuar unë. Më 25 shkurt 1981 Nga Gjykata Komunale në Gjakovë jam dënuar për veprimtari armiqësor bazuar në nenin 133 al. 4 të LPJ dhe nenin 217 al. 2-1 të LPK. me nga një vit e gjysmë burg për secilën vepër penale, Ibishi u dënua me dy vjet burg kurse Rama me një vit burg. Pas demonstratave, u arrestuan edhe shokët tjerë dhe edhe për mua u zgjeruan hetimet. Më 17 gusht 1981 u dënuam nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë, Bajram Gashi me 15 vjet burg bazuar në nenin 136 al. 1 lidhur me nenin 116 al.1 të LPJ, Ismet Sopi me 14 vjet burg, Alush Thaqi me 13 vjet burg, Naim Bujupi 12 vjet burg, Halil Kuliqi me 11 vjet burgi,  Qerkin Sopi me 8 vjet burg, dhe Nuhi Sopi me 7 vjet burg.

KRKL: Ku e keni mbajtur  burgun  dhe me cilët nga veprimtarët jeni njohur gjatë vuajtjes së dënimit?

Nga 28.11.1980 deri më 29.4.1981 në Burgun e Qarkut në Pejë, nga 29.4.1981-2.6.1981 në ShNP. Në Gurakoc, nga 2.6.1981-shtator 1981 në Burgun e Qarkut në Prishtinë, nga shtatori 1981 deri më 22.11.1983 në CZ në Beograd kurse nga 22.11.1983 deri në fund më 22.12.1990 në ShNP. “Zabella” në Pozharevc. Gjatë kësaj periudhe jam njohur me shumë veprimtarë. Po i përmend këta: Abdylxhemil Alimani, Adem Grabovci, Afrim Hoti, Afrim Zhitia, Ali Lajçi, Avdush Abdurrahmani, Bajram Ismaili, Bajram Kosumi, Bajrush Behrami, Bajrush Xhemajli, Bardhyl Mahmuti, Bejadin Hasani, Beqir Beqa, Enver Topalli, Fadil Vata, Fehmi Berisha, Fetah Shemsiu, Gani Koci, Hamëz Kryeziu, Habib Gajtani, Halil Alidemaj, Halil Selimi, Hydajet Hyseni, Hysen Gegaj, Januz Januzi, Ilaz Zhitia, Imer Hasani, Ismail Syla, Kadri Kryeziu, Mehmet Bislimi, Merxhan Avdyli, Muhamet Haklaj, Muhamet Rugova, Murat Bytyqi,  Murat Musliu, Mustafë Ademi,  Naim Shala, Nazmi Hoxha, Nezir Myrtaj,  Nuhi Muhadri,  Pajazit Krasniqi, Ramadan Avdiu, Ramadan Bunjaku, Reshat Avdiu, Rifat Kafexholli, Riza Xhakli, Sabit Veseli, Sami Kurteshi, Skender Ibishi, Shaqir Ruhani, Sherf Pajaziti, Shemsi Veseli, Taip Zeka, Xhafer Osmani,Sadik Zabelajm Shaban Shemsiu,  Kadri Luzha, Riza Vata e të tjerë

RKL: Ku jeni angazhuar pas lirimit nga burgu dhe cili  është mendimi juaj për Lëvizjen paqësore të kohës, sidomos në vitet ‘90, të shekullit të kaluar?

Pas lirimit nga burgu jam angazhuar në ShBH. “Nëna Terezë” dhe nga marsi i vitit 1994 deri në kyçjen në UÇK kam qenë Kryetar i ShBH. “Nëna Terezë” Dga në Drenas. Po ashtu iu bashkova Ismet Sopit për themelimin e Degës së PShDK-ës në Drenas, por pasi kjo ndrroi në mënyrë kundërstatutore kryetarin dhe u shndërrua në filial të LDK-ës e braktisëm dhe iu bashkova Partisë Parlamentare. Në ndërkohë nga shtatori i vitit 1991 drejtori i ShF. “7 Marsi” në Kizharekë Gani Syla më mundësoi të punoj si arsimtar. Me përhapjen e luftës edhe në Llapushnik iu përkushtova vetëm luftës deri në çlirimin e Kosovës.

RKL: Kur iu keni bashkuar luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me cilët nga shokët e burgut e bashkëveprimtarë të tjerë keni vepruar?

Ushtrisë Çlirimtare iu bashkova më 12 maj 1998, në  Llapushnik. Në fillim së bashku me Ferat Sopin (farmacist) Antigone Gashin (infermiere), Indira Gashin e më vonë na u bashkua edhe dr. Zeqir Gashi dhe Lume Gashi (infermiere) në shtëpinë time themeluam ambulancën ushtarake kurse në bodrumin e sajë që deri atëherë e shfrytëzonim si odë u vendosën ushtarët e pikës 3 të njësisë “Çeliku 3”. Nga 1 shkurti i vitit 1999 u caktova në pozitën Administrator i Policisë Ushtarake të Brigadës 121 “Kumanova”.

 

RKL: Pas çlirimit të Kosovës nga robëria serbe  qershor të vitit 1999 ku jeni sistemuar?

 Pas zhvendosjes nga Kleçka në Prizren, mu besua posti i Komandantit të Policisë Ushtarake në Prizren dhe më 29 korrik 1999 me vendimin e Ministrit të Rendit në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, gjeneral Rexhep Selimi, u emërova Shef i Kabinetit të Sektorit të Policisë në Prizren. Me konsolidimin e Prefekturës së Prizrenit nga prefekti i parë i prefekturës Kadri Kryeziu, u emërova Drejtor i Drejtorisë së Rendit. Këtë post e mbajta deri me shfuqizimin e prefekturës dhe rrënimin e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës nga UNMIK-u dhe lakejt e tij. Në ndërkohë më 6 shtator 1999 u pranova në Shërbimin Policor të Kosovës me numrin rendor 00001. Më vonë ma vodhën këtë numër dhe tash e kam numrin rendor 0057.

RKL: Faleminderit për intervistën, z Bajram!

Falënderim për ju dhe Radion-Kosova e Lirë, e cila na ka përcjellë dhe na ka frymëzuar sidomos gjatë luftës por edhe tani!

RKL: Intervistë me ish të burgosurin politik, veprimtarin dhe luftëtarin e lirisë, Bajram Gashi

 

Kontrolloni gjithashtu

Gabriel Escobar: Duam që Serbia të jetë shtet më i fuqishëm brenda komunitetit, me miq që ka në Amerikë dhe në Evropë

Pjesë nga intervista e të dërguarit special të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhënë ‘Zërit të Amerikës”

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në …