RKL: Për herë të parë pas luftës në Kosovë asnjë ministër nga radhët e UÇK-së

Gjashtë muaj të ndeshtrashave dhe mosmarrëveshjeve të liderëve politikë të vendit, kanë mjaftuar për Beogradin e Brukselin që të projektojnë dhe të realizojnë një Qeveri të re në Kosovë me tri forca politike, jo të njëjta nga fuqia votuese, por të njëjta nga përgjegjësia dhe ndarja e pushtetit.


PDK-LDK dhe “Srpska” formuan qeverinë e re të Kosovës, e cila në radhët të parë ka kënaqur Beogradin e Brukselin, pastaj Isa Mustafën e Hashim Thaçin. Të kënaqur e të shastisur janë edhe deputetët e qeveritarët serbë, të cilët duke shfrytëzuar përçarjen e forcave politike shqiptare dhe Marrëveshjen Thaçi-Daçiq të Brukselit të 19 prillit 2013, kanë arritur jo vetëm ta marrin edhe  de jure” qeverisjen totale të veriut të vendit, por edhe kanë “kapur” hiq më pak se një të tretën e kulaçit në Qeveri, në Kuvend dhe kudo në institucione.


 


Pikërisht për këtë arritje, ka shpërthyer i papërmbajtur, zëvendës-kryeministri në Qeverinë e re të Kosovës, Branimir Stojanoviq, një post i njëjtë me atë të Hashim Thaçit, i cili  shtetin e Kosovës e quan krahinë të “Kosovë e Metohisë” dhe “Kosmet”.  Ai i kapardisur nga pushteti të cilin ia kanë dhënë PDK-ja dhe LDK-ja, thotë se pret shumë punë dhe luftë e pamëshirshme për interesat serbe. Për herë të parë të gjithë ne serbët nga Kosova e Metohija kemi hyrë unik, ka thënë Stojanoviqi për të përditshmen beogradase “Politika”. Stojanoviq, i cili menjëherë pas zgjedhjes në Parlamentin e Kosovës dha dorëheqje nga posti i kryetarit të Graçanicës, ka thënë se si nënkryetar i Qeverisë prioritet do të ketë koordinimin e dy ministrive që i mbajnë serbët me ministritë tjera në Qeverinë e Kosovës, sepse, siç thotë, “njëra pa tjetrën s’mund t’i realizojnë detyrat e planifikuara. Sipas tij, pritet formimi i shpejtë i asociacionit të komunave serbe, formimi Gjykatës speciale për krime lufte, vazhdimi i dialogut, si dhe zgjidhja e problemeve të përditshme, jo të vogla, të cilat “me vite i shtyjnë serbët në margjina”. Për të gjitha këto, ai pret që të realizohen në bashkëpunim dhe me mirëkuptim nga partnerët shqiptarë në Qeverinë e Kosovës, por edhe me mbështetje të fuqishme nga Beogradi. “Këtë do ta them qartë edhe në Prishtinë. Të gjithë e kanë të qartë si kristali, edhe shqiptarët edhe bashkësia ndërkombëtare, se prania e shtetit të Serbisë në Kosmet kurrë nuk do të zvogëlohet as për një milimetër”, porositi Stojanoviqi nga Beogradi.


 


Kjo është deklarata e një serbi, i cili me të drejtë ndihet i kreshpëruar, meqë atë që Serbia humbi me luftë në Kosovë, në vitet 1998-1999,  tani po e kthen në paqe, duke shfrytëzuar klasën politike të servilëve politikë shqiptarë, mosmarrëveshjet tona të brendshme dhe pamundësinë për t’u faktorizuar si komb, forcë e shtet i përbashkët.


Beogradi e ka realizuar pikë për pikë një pjesë të synimeve për kthimin në Kosovë, fillimisht përmes veriut, tani përmes kapjes së një pjese të pushtetit dhe ka lënë hapur mundësinë që me zyrtarët e ri të Qeverisë së Kosovës, të vazhdojnë bisedimet derisa Serbia t i realizojë të gjitha aspiratat e veta hegjemoniste dhe antishqiptare.


 


Deklarata e tillë si kjo e Stojanoviqit, është deklaratë publike e zyrtarit, i cili ka post të njëjtë me Hashim Thaçin e PDK-së. Derisa ai nuk e njeh shtetin e Kosovës, por e quan me cinizëm Kosmet, apo Kosovë e Metohi, kjo nuk është vetëm lojë fjalësh, por një realitet që me të drejtë i irriton të gjithë liridashësit e Kosovës, e më së shumti ata që kanë derdhur gjak dhe ata që kanë luftuar për çlirimin e saj nga fashizmi serb.


 


Duke folur për formimin e Qeverisë së re të Kosovës me tri forca politike, dy shqiptare dhe një serbe, të cilën e ka zgjedhur vetë Beogradi zyrtar, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka kritikuar sërish koalicionin qeverisës PDK-LDK duke thënë se të korruptuarit u bënë bashkë me Listën Serbe,  me Beogradin. Lideri i VV-së, Albin Kurti tha se kjo qeveri do ta bëjë federalizmin e Kosovës, duke pranuar kushtet e Listës Serbe, meqë vetëm pas marrëveshjes që nënshkruan Thaçi e Mustafa me Listën u bë qeveria. “Qeverisë së formuar më 9 dhjetor 2014, i parapriu marrëveshja e krerëve të PDK-së e LDK-së me kreun e Listës serbe. Prandaj, kjo qeveri është qeveri e përbashkët e Prishtinës me Beogradin. Sipas tij të djathtit në Kosovë u bashkuan për t’iu nënshtruar të djathtëve shovinistë e anti-shqiptarë në Serbi. “Të djathtit që thanë se u bashkuan natyrshëm, njësoj, pra natyrshëm, po ju nënshtrohen të djathtëve më të fuqishëm në Serbi, tamam sikurse në natyrë ku fuqia është ligji. Nga këta të djathtë që u bashkuan në Kosovë mund të presim vetëm ndarje të mëtutjeshme të Kosovës e varfërim të mëtutjeshëm të popullit të saj. Atyre qysh në fillim më shumë po ua sheh hairin Beogradi se sa Kosova”, u shpreh Kurti.


 


Fjalët dhe konstatimet e Albin  Kurtit nuk janë thjesht konstatimet e një lideri politik, i cili nuk arriti të futet në Qeveri, por shprehin një realitet lakuriq që po ndodh në vend, një realitet të cilit shumëkush nuk i beson vetëm sepse po u shprehka nga një lider i opozitës.


 


Realisht thënë qoftë but e troç, apo ashpër dhe me arrogancë, Serbia tashmë është kthyer në Kosovë, por ne jemi ata të fundit që po e shohim, edhe pse kjo po ndodh në pikë të ditës. Dhe si mos të kthehet Serbia në Kosovë, kur forcat e vërteta çlirimtare janë rrudhë, janë katandisur  dhe janë defaktorizuar deri në atë nivel sa, në Kosovën e lirë dhe të pavarur me gjakun e tyre,  ata duhet të protestojnë për regjistrimin e një biri apo bije të dëshmorit në një fakultet të Universitetit të Prishtinës.  Dhe për më keq, ka edhe shqiptarë, analistë shqipfolës pro-serbë, madje edhe studentë të manipuluar që protestojnë kundër regjistrimit në Universitetin e Prishtinës të një numri të bijve e bijave të çlirimtarëve.


 


Po të hetojmë me vëmendje zyrtarët e rinj të emëruar të  qeverisë së Kosovës, gati të gjithë i përkasin klasës politike pacifiste, qofshin ata të LDK-së apo të PDK-së. Dhe kjo nuk është e rastësishme, ashtu sikur nuk është fare e rastësishme që nga posti i ministrit të FSK-së të largohet ish shefi i SHP të UÇK-së, komandanti i TMK-FSK-së, Agim Çeku dhe në postin e tij të emërohet një jurist i LDK-së, një Haki Demolli. Kjo është mjaft simptomatike. Pse për shembull, nuk u lejua që Anton Çuni të bëhet ministër i FSK-së, pavarësisht se i ka takuar dhe i takon krahut Farkist. Ai, është ndër të paktit e kreut të LDK-së  ka marrë pjesë në luftën e UÇK-së.


Në postin e ministrit të Punëve të Brendshme, është emëruar, ish përkthyesi i Ibrahim Rugovës, Skënder Hyseni, i cili nuk ka marrë as numrin minimal nga partia e tij për deputet.  


Përbërja e re e Qeverisë së Kosovës, si nga LDK-ja ashtu edhe nga PDK-ja i përket lëvizjes pacifiste. Të gjithë dikur ishin me LDK-në dhe si të tillë, tani janë bashkuar edhe pse i ndanë një mal me retorika kundërshtuese politike. 


Nga kabineti i ri qeveritar  i Isa Mustafës në luftën e UÇK-së ka marrë pjesë vetëm, Hashim Thaçi, i cili ka qenë figurë politike e diplomatike e luftës. Asnjëri prej tetë ministrave të tjerë të PDK-së nuk ka qenë pjesëmarrës i luftës së UÇK-së. Asnjëri prej ministrave aktualë të LDK-së nuk ka qenë madje as përkrahës i luftës së UÇK-së.


 


Kjo Qeveri ku janë përjashtuar të gjitha kuadrot politike të ish UÇK-së do ta krijojë Gjykatën Speciale kundër UÇK-së, me qëllim që kjo luftë të diskreditohet në tërësi, për hir të kthimit të kolonëve serbë në Kosovë.


Për krahun e luftës, mendoj edhe për shoqatat e luftës dhe për krejt çlirimtarët e Kosovës, kjo qeveri nuk ka kurrfarë kredibiliteti kombëtar dhe si e tillë,  nuk duhet lejuar të ketë perspektivë.


 


Kjo përbërje e Qeverisë, nuk shpreh vullnetin as edhe të atyre shqiptarëve që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e 8 qershorit dhe as të atyre që nuk kanë marrë fare pjesë në zgjedhje.


Kabineti i ri qeveritar është prodhim i bisedimeve  Kosovë-Serbi, në rrugë për rikthimin “paqësor” të regjimit të Beogradit  në vendin tonë.


 


 


Cili nga këta ministra ka qenë në radhët e UÇK-së, përveç Hashim Thaçit?


 


Kryeministër i  Kosovës – Isa Mustafa


zv. Kryeministri i  Parë – Hashim Thaci


Zv. Kryeminister – Kujtim Shala


 


PDK


 1.Ministër i Punëve të Jashtme – Hashim Thaçi


2.Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë – Arsim Bajrami


3.Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural – Memli Krasniqi


4.Ministria e Diasporës – Valon Murati,


5.Ministria e Drejtësisë – Hajredin Kuci


6.Ministria e Integrimit Evropian – Bekim Qollaku


7.Ministria e Zhvillimit Ekonomik – Blerand Stavileci


8.Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor – Ferid Agani


9.Minister i Shtetit dhe Udhëheqës i dialogut teknik Kosovë-Serbi – Edita Tahiri


 


LDK


 1.Ministria e Punëve të Brendshme – Skender Hyseni


2.Ministria e Shëndetësisë – Imet Rrahmani


3.Ministria e Infrastrukturës – Lutfi Zharku


4.Ministria e Tregtisë dhe Industrisë – Hikmete Bajrami


5.Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës – Haki Demolli


6.Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit – Kujtim Shala


7.Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale – Arban Abrashi


8.Ministria e Financave – Avdulla Hoti


 


Fshati që shihet nuk do kallauz.


Këta janë ata të dikurshmit, ose bijtë e bijat e atyre që për një shekull resht e kanë pranuar autoritetin e Serbisë në Kosovë. Nuk është madje krejt e rastësishme se qeveritari i Rrahman Morinës dhe i Qeverisë së Milosheviqit, në fund të viteve 80, Isa Mustafa të jetë krye-qeveritari i këtij kabineti, kryekreje pacifist dhe pro-jugosllav.


 


Kësaj Qeverie duhet t’ i shkurtohet afati i qeverisjes, në emër të ruajtjes së pavarësisë së Kosovës.


 


 


 


 


RKL: “Bacë nuk është kryer!”, ende kemi shumë punë për të bërë…


 


 


Emërimi i kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, në postin e kryeministrit të Kosovës, pikërisht në kohën kur vendi do të përballet me presionin më të madh ndërkombëtar, lidhur me themelimin e Gjykatës Speciale dhe demonizimin përfundimtar e UÇK-së, është një ogur i keq për të gjitha forcat liridashëse të vendit. Por ky fakt nuk i ka habitur çlirimtarët e vërtetë të Kosovës, ata që kapitalin e tyre kombëtar nuk e kanë kapitalizuar në pasurim dhe favore, por i kanë mbetur besnikë lirisë dhe pavarësisë së vendit. Ata e dinë mirë se Isa Mustafa është emëruar në postin e krye-qeveritarit, jo se ka dashur, apo sepse do Hashim Thaçi, jo sepse e do shumica shqiptare e Kosovës, madje as një pjesë e fortë e LDK-së,  por sepse për këtë koalicion qeveritar  ka vendosur zonja Xhejkobson, ambasadori, Klif dhe “miqtë e partnerët tanë”, të cilët na kanë ndihmuar të çlirohemi dhe tani ata vetë vendosin për fatin dhe ardhmërinë tonë, qoftë me preferenca edhe për rikthim  gradual nën Serbi.


Nuk thuhet kot se në politikë, vetëm armiqtë janë të vërtetë, miqtë jo!


 


Po kështu ky koalicion ka pasur edhe mbështetjen  dhe aprovimin e Qeverisë së Serbisë, sepse serbët pajtohen dhe  mund të bashkë-qeverisin në Kosovë vetëm me një ish-zyrtar, i cili dikur në rininë e tij  ka qenë shërbëtor tejet i devotshëm i regjimit komunist-titist.  Serbët kanë pranuar të marrin pjesë në Qeveri dhe në të gjitha institucionet e vendit, pasi Qeveria e Kosovës, “është pastruar” nga ministrat me prejardhje nga UÇK-ja, pasi në krye të ish-UÇK-TMK-FSK-së nuk do të jetë më komandanti i saj, Agim Çeku dhe asnjë ministër tjetër, çlirimtar i vendit, por do të jetë cili do qoftë një emër nga LKJ-LDK-ja, gjithnjë paqësore dhe e moderuar dhe gjithnjë e gatshme për të bashkëpunuar me Beogradin, ashtu sikur ka bashkëpunuar klasa pacifiste shqiptare prej vitit 1912 e deri sot.


Nuk janë vetëm tmerret dhe shprehja e  zemërimit të arsyeshëm të profesor Rexhep Qoses lidhur me  zgjedhjen e Isa Mustafës në krye të Qeverisë së Kosovës, por një zemërim dhe tmerr i tillë i ka përshkuar të gjithë liridashësit e vërtetë, të cilët veten e tyre e identifikojnë me veprat e legjendarit Adem Jashari dhe me gjakun e derdhur për liri.


 


Besnikët e lirisë së Kosovës, asnjëherë deri tani nuk janë pajtuar me pazaret e liga politike, në dëm të luftës dhe të vendit, qoftë edhe të disa personave të UÇK-së, të cilët në çdo tubim a fjalim thirren në emër të Legjendarit dhe të luftës së shenjtë çlirimtare, edhe atëherë kur e djallosin fare edhe atëherë kur bashkëpunojnë me dreqin e të birin, vetëm për të mos e lëshuar pushtetin, që sjellë sa e sa përfitime, për ata vetë dhe për shumë breza pasardhës të tyre.


 


Qysh prej mbarimit të luftës së UÇK-së e deri tani, nga vitit në vit, klasa durimtare pacifiste me prejardhje nga LKJ-LDK-ja nuk ka lënë gur pa lëvizur kundër luftës së UÇK-së. Kjo klasë ka hartuar edhe dosjet e para kundër UÇK-së,( pa të dhëna relevante e të dëshmuara, por me akuza të imagjinuara dhe të instruktuara), të cilat ia ka ofruar UNIMK-ut, Tribunalit të Hagës  dhe të gjitha shërbimeve të huaja.  Këtë angazhim dhe këtë aktivitet kundër UÇK-së e kanë mbështetur të gjithë zyrtarët e huaj pa asnjë dallim. Mjerisht, në vazhdimësi e ka mbështetur dhe e mbështet edhe Tirana zyrtare, meqë angazhimi i Tiranës zyrtare nuk ka të bëjë me kombin, bashkimin, perspektivën e shqiptarëve, por ka të bëjë me përfitimet që sjellë pushteti për ata vetë dhe për klanet e nën-klanet e tyre të profiterisë ekonomike e financiare.


 


Në një gjendje të tillë të katandisje, është krejt normale të shprehet pakënaqësia, madje edhe zemërimi e pse jo edhe urrejtja, pse jo edhe “lufta” për ta ndryshuar gjendjen dhe për ta vënë në binarë të  drejt interesin tonë kombëtar dhe jo interesin e një shteti, i cili jo vetëm nuk na njeh por kërcënon se sërish do të na shtyp e do të na zhbëjë.


 


Profesor Qoses, me të drejtë i vjen keq që po hesht ish-UÇK-ja, po heshtin veprimtarët e dalluar të çështjes kombëtare, po heshtin ish-të burgosurit e të përndjekurit, po heshtin veteranët e invalidët.  Ka apo nuk ka të drejtë profesori i nderuar, në këtë segment  këtë le ta gjykojë secili, sipas bindjes dhe vlerësimit të tij.


 


Natyrisht se ngritja e zërit kundër këtyre padrejtësive dhe kundër kësaj katrahure, e cila po zotëron në vend, është vetëm njëra anë e medaljes.


Nuk mjafton vetëm ngritja e zërit kundër këtyre pazareve të mbrapshta, me të cilat po degradohet edhe pavarësia e vendit.


Nuk mjafton vetëm konstatimi se ku na kanë katandisur të huajt dhe tanët, nuk mjaftojnë as ankimet e lutjet  e familjarëve të dëshmorëve për t’i regjistruar në fakultetet e Universitetit të Prishtinës, bijtë e bijat e tyre, sipas një marrëveshjeje paraprake disavjeçare, nuk mjafton as pritja për ndonjë shpërblim material të invalidëve e veteranëve, tani nga Qeveria e Isa Mustafës, nuk mjaftojnë fjalët, protestat verbale, ashtu sikur nuk kanë mjaftuar as në kohën e delirit pacifist  të Ibrahim Rugovës, sikur nuk kanë mjaftuar kurrë. Megjithatë njerëz jemi dhe nuk bëhet nami kur reagojmë, madje as kur reagojmë ashpër, sepse me ankime e protesta të tilla zbrazim paksa valvulet e zemërimit dhe presim çka do të ndodh, pasi të qetësohet paksa situata e rëndë dhe e nderë.


 


Çka duhet të bëjmë?


 


Pas çdo konstatimi të drejtë, pas çdo analize të mirëfilltë, gjithnjë shtrohet pyetja, çka duhet të bëjmë? Të pajtohemi me këto konstatime dhe të vajtojmë, apo të bëhemi tok për ta ndërruar gjendjen në të mirën tonë, në të mirën e kombit e të shumicës, e cila nuk ia ka dhënë besimin kësaj klase politike. Vetëm 40-45 për qind e shqiptarëve të Kosovës kanë marrë pjesë në zgjedhjet e fundit. I tillë ka qenë indiferentizmi popullor në të gjitha zgjedhjet e deritanishme, dhe i tillë do të mbetet derisa shumica të bindet përfundimisht se nuk shkon më tej, se pushteti i pakicës diskriminon, jo vetëm shumicën që nuk merr pjesë në zgjedhje, por edhe shumicën që merr pjesë, por prapë mbetet në bisht të qeveritarëve.


Në situata të tilla të kaosit dhe gjendjes së rrezikshme, në shtetet me demokraci të mirëfilltë, është opozita ajo e cila do të duhej, jo vetëm të ngrehë zërin, por edhe t’i mobilizojë qytetarët, për të mos lejuar degradimin e shoqërisë, në rastin tonë degradimin e pavarësisë së shpallur të Kosovës. Pavarësia është degraduar me fatin se Beogradi zyrtar përcakton në një masë formimin e Qeverisë së Kosovës, largon nga lista të gjithë ministrat me prejardhje të UÇK-së dhe për 5 për qind të numrit të serbëve në Kosovë, merr në përfaqësim afër  një të tretën në Qeverinë e Kosovës.


Nëse me këtë ndërhyrje, krejtësisht të tejdukshme, arbitrare dhe mujshare nuk është cenuar pavarësia e vendit, atëherë me çfarë ndërhyrje të tjera mund të cenohet në të ardhmen?


 


Opozita ka pësuar edhe goditjen më të keqe që ka mundur ta ketë në këto rrethana


 


Partitë e mbetura në opozitë, Vetëvendosja, AAK-ja dhe Nisma kanë pësuar goditjen më të keqe të mundshme, sepse edhe këta i kishin varur shpresat te Isa Mustafa, me të cilin në krye, për  6 muaj rresht u munduan të konsolidohen dhe të unifikohen, por  në një moment, u zhgënjyen keq në moralin politik, komunist, të Isa Mustafës.


Kush ia kishte falur  besimin këtij politikani?  Jakup Krasniqi, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, çuditërisht edhe Albin Kurti, politikani më pak i gabuar në Kosovë, duke përjashtuar këtë radhë, por jo aq fatale për Vetëvendosjen, meqë qoftë si Lëvizje, qoftë si parti politike, vetëm opozita i ka hije, sepse kjo parti vërtet e kupton dhe e zhvillon për mrekulli rolin e opozitës.


 


Opozita dështoi  në koalicionin pas zgjedhor. Dështoi sepse besimin ia dha një lideri, prejardhjen ideo-politike  të së cilit e dinte mjaft mirë.


Si mund t’i kenë besuar Jakup Krasniqi, Albin Kurti, Fatimir Limaj e Ramush Haradinaj, Isa Mustafës?


Për çka i besuan aq fortë  LDK-së, për Kosovën apo për ta marrë Qeverinë-qeverisjen?


Pse ishte më i keq Hashim Thaçi se Isa Mustafa dhe a mund të bëhet fare krahasim mes “meritave” për çlirimin e vendit të këtyre dy personaliteteve?


Katër liderët e opozitës i kishte bashkuar vetëm një qëllim, rrëzimi i Thaçit. Ky segment i kishte bashkuar, apo i kishte verbuar, ashtu sikur verbërohet strinca kur brenda kurthit sheh kokrrën e melit, e jo kurthin.  


Këta përmes Isa Mustafës, donin t’ i realizonin qëllimet e tyre për veshje me pushtet dhe nuk iu shkonte mendja se Isa Mustafa u kishte ngehur kurth, në radhë të parë për t’ i komprometuar e pastaj për t’ i përplasur.


Pse sot nuk u pëlqen atyre  Isa Mustafa në postin e  kryeministrit, e dje u pëlqente si kryekuvendar dhe kryetar i ardhshëm i Kosovës?


Isa Mustafa ishte i pranueshëm për ta vetëm që ta kapnin pushtetin përmes tij.


 


A thua ishin aq naivë dhe vërtetë mendonin se një politikan i rryer dhe i katapultuar në sa e sa qeveri, si Isa Mustafa,  qofshin qeveri marionete  e pas marionete, të mos përfillte interesin e partisë së vet, por ta zëmë të AAK-së apo partive të tjera?


Koalicioni PDK-LDK, dikur është dukur si koalicion i panatyrshëm dhe i papërgjegjshëm, por sot është koalicion krejt i natyrshëm, meqë në PDK ka mbetur në shumicë, (pas shoshitjes së fundit), ish anëtarësia e LDK-së së dikurshme. Ajo që ishte me origjinë nga UÇK-ja, nuk është më pjesë e Qeverisë, me ndonjë përjashtim që nuk meriton të përmendet.  Nuk duhet harruar fakti se në LDK i kanë rrënjët partiake  ideologjike e politike shumë parti të mëdha e të vogla, madje edhe të opozitës, pa përjashtim. Andaj  mos e bëni haram LDK-në, partinë  e dikurshme mëmë, e cila sa herë që vendi ka pasur dhe do të ketë nevojë të kthehet nga Beogradi, qoftë me apo pa presion nga të huajt, nuk kemi alternativë tjetër, pos LDK-së, deshëm apo nuk deshëm.


Edhe në kohën kur Kosova po digjej në zjarr e barot, në pranverë të vitit 1999, kur regjimi fashist i Beogradit kishte dëbuar dhunshëm qindra mijëra shqiptarë nga Kosova, dhe vriste e masakronte me qindra brenda ditës,  kryetari ‘historik” i kësaj partie, Ibrahim Rugova kishte vajtur në Beograd, ishte ulur  gju më gju me xhelatin Milosheviq, dhe i kërkonte  NATO-s t’ia ndërpriste bombardimet,  Sodomës-Serbi. Mbase ai e bëri nga zori, por as Isa Mustafa nuk e bëri nga qejfi koalicionin me PDK-në. Madje këtë koalicion nuk e mbështetën shumë zyrtarë të kësaj partie, të cilët vazhdojnë me kryeneçësi ta akuzojnë për tradhti të interesave të partisë.


Nga do ta analizojmë rrjedhën aktuale politike, nga cilido kënd i vështrimit, i pajtimit apo mospajtimit, është krejt e sigurt se ende jemi të varur nga të huajt, se jemi shumë të përçarë nëpër grupe klane e parti, se jemi shumë larg emancipimit kombëtar, për ta ruajtur në radhë të parë interesin e kombit, se jemi në rrugë të humbin në këtë paqe të brishtë, atë që kemi fituar me gjakun e derdhur rrëke nën robërinë gati  një-shekullore nën Serbi.  


Rrugëdaljen nga kjo gjendje nuk e kanë në program partitë politike të Kosovës.


Rrugëdalja ndodhet e projektuar  në amanetin dhe shembullin e legjendarit Adem Jashari.


“Bacë nuk është kryer”, ende kemi shumë punë për të bërë…


14. 12. 2014


Prishtinë


 


 


 

Kontrolloni gjithashtu

Komisioni për Politikë dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës miraton raportin për kërkesën e anëtarësimit të Kosovës

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka shënuar një hap të rëndësishëm në procesin e …