RKL: Përfaqësimi i veteranëve dhe të burgosurve politikë në listat për deputetë të partive politike

Në shumicën e partive politike të Kosovës, kandidatë për deputetë, ka edhe nga mesi i veteranëve të luftës së UÇK-së dhe të burgosurve politikë, shumë prej të cilëve në të njëjtën kohë janë edhe veteranë. Në mesin e tyre ka edhe veprimtarë të mirënjohur, të cilët tërë jetën ia kanë kushtuar kombit e Atdheut.


Për dallim nga legjislaturat e mëhershme ku numerikisht kishte më shumë të përfaqësuar nga këto dy kategori idealistësh, në listat aktuale, të partive politike për zgjedhjet e 8 qershorit 2014, numri i veteranëve dhe të burgosurve është reduktuar dukshëm ndërsa në disa parti nuk është përfaqësuar fare. Ky fakt flet për rrugën e pacifikimit të partive politike, të cilat me ndonjë përjashtim janë të orientuara për integrim në politikat e BE-së globaliste, të cilën dita ditës po e ha pesha e vet dhe po shkon drejt dezintegrimit.


 


Partia Demokratike e Kosovës, në regjistrin e deputetëve për zgjedhjet e 8 qershorit,   ka kandidatë nga të gjitha prejardhjet politike dhe është partia më heterogjene në këtë drejtim. Në mesin e kandidatëve ka edhe numrin më të madh të veteranëve të UÇK-së e të burgosurve politikë, në krahasim me partitë e tjera. Kjo edhe për faktin se në zgjedhjet e fundit ishte partia që fitoi më së shumti vende të deputetëve në Kuvend. Megjithatë, në dhjetëshen  e parë të listës, përveç njëshit e dyshit, Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit nuk është asnjë kandidat tjetër me prejardhje nga lufta e UÇK-së dhe asnjë nga shumë veteranët dhe ish-të burgosurit. Për dallim nga herët e tjera, PDK-ja ka lënë në margjina disa nga aktivistët më të zellshëm dhe personalitet me rëndësi të partisë, si Agim Çekun, në vendin 58, Shaip Mujën në radhën 90, Adem Grabovci në 29, ndërsa  e katapultuara në këtë parti, një javë më parë, Margarita Kadriu ndodhet  para Azem Sylës, ish komandantit  të UÇK-së, dhe Arsim Bajramit, juristit më të njohur të vendit dhe deputetit të PDK-së, që nga legjislatura e parë e pas luftës.


Radhitja e kandidatëve në PDK kësaj radhe duket se është bërë me porosi nga lartë, duke i lënë në margjina kontribuesit dhe më meritorët e luftës dhe të paqes dhe duke iu dhënë përparësi të lakueshmëve dhe të dëgjueshmëve të BE-së, veçmas  të ambasadores Trejsi Xhejkobson, gjithnjë në pajtim me Marrëveshjen e 19 prillit të vitit 2013, të nënshkruar në Bruksel nga Hashim Thaçi, Ivica Daçiq dhe Keterin Ashton, si kusht për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. PDK-ja aktualisht nga 110 kandidatët për deputetë 30 i ka nga ish-UÇK-ja dhe 10-12 nga radhët e të burgosurve politikë, por jo në radhitjen prioritare.


 


Edhe në LDK vërehen lëvizje, rokada,  duke lënë anash më meritorët dhe më të përkushtuarit e partisë dhe duke postuar në vendet e para kandidatë të rinj, por jo sa duhet të njohur për elektoratin e kësaj partie. Megjithatë, LDK-ja ka ruajtur kreun me figura meritore, të dëshmuara, si rugovistë. Bie në sy fakti se militanti i njohur i LDK-së Ali Sadriu ndodhet në vendin 42, ndërsa i katapultuari i para dy javëve në këtë parti, një Bardhyl Meta, i njohur për qëndrime kontroverse dhe fyese kundër luftës së UÇK-së, kundër gjuhës letrare shqipe, kudër ish të burgosurve, është radhitur në numrin 20.  Anton Çuni, i vetmi epror i lartë i kësaj partie nga lufta e UÇK-së, (nga ish-formacioni FARK), është radhitur në vendin 31, ndërsa Bajrush Morina i cili ka bartur mbi supe për 15 vjet rresht pozicionin e fortë të LDK-së në gazetën, “Bota sot”, është radhitur në vendin 85. Sesi mund të krahasohet kontributi 15-vjeçar i zëdhënësit më të fuqishëm të LDK-së, Bajrush Morina me një Bardhyl Metaj që nuk e njeh fshati ku ka lindur, as lagja e tij në Prishtinë, sepse ka jetuar në Gjermani, këtë e dinë më së miri ata që e kanë hartuar këtë listë.  Po ashtu në numrin 38 është radhitur kuadri shumëvjeçar dhe me shumë ndikim  i kësaj partie, Sadri Ferati. Megjithatë, në 10 vendet e para në listën e LDK-së, me sa kemi ne njohuri,  nuk ka kandidatë të sapo aderuar në parti.


 


Lëvizja Vetëvendosje, në regjistrin e kandidatëve për deputetë, po ashtu ka bërë ndryshime qenësore. Edhe në këtë parti ka kandidatë me prejardhje nga lufta dhe ish të burgosur politikë, por edhe një numër të konsiderueshëm të kandidatëve  nga prejardhja komuniste-titiste, si Mazllum Baraliu, Ilir Deda, Avni Zogiani, Yll Hoxha e të tjerë, të cilët në radhitjen e listës janë vendosur para ish-të burgosurve dhe veteranëve të UÇK-së. Përveç Rexhep Selimit, ish-inspektorit të SHP të UÇK-së, dhe kryetarit të Lëvizjes,  Albin Kurti, në dhjetëshen e parë nuk është radhitur asnjë kandidat nga këto dy kategori më meritorësh të luftës dhe të paqes në vend. Avni Zogiani i cili një muaj më parë iu ka bashkuar kësaj partie ndodhet në vendin e 16-të, ndërsa Gani Krasniqi, ish i burgosur politik dhe epror i lartë i UÇK-së, me një stazh të gjatë në Vetëvendosje ndodhet i radhitur në vendin e 19. Hydajet Hyseni në numrin 31 dhe Emrush Xhemajli në 52. Po kështu është vepruar edhe me Florim Krasniqin, i radhitur në numrin 42, ndërsa Salih Zyba, njëri ndër militantët e Vetëvendosjes në numrin 80. Vetëvendosjen vazhdimisht e ka karakterizuar lëvizja e kuadrove, shtrydhja deri në fund e disave prej tyre,  pastaj braktisja e kuadrove  apo edhe përjashtimi nga radhët. Sa do që kjo formë duket e vrazhdë, është e vetmja  metodë për ta ruajtur unitetin në kreun e partisë me çdo kusht dhe në çdo rrethanë. Në Vetëvendosje duket se kjo është treguar metodë e suksesshme.


 


E njëjta dukuri e rokadave në krahasim me zgjedhjet e fundit vërehet edhe në AAK.  Ashtu si  PDK-ja, e njohur si parti me prejardhje nga lufta, e cila ka një shumicë kandidatësh nga ish-UÇK-ja, edhe AAK-ja ka në radhët e veta kandidatë me prejardhje nga UÇK-ja por krejt pak ish të burgosur politikë, ndërsa ka shumë kandidatë me prejardhje politike nga e kaluara komuniste dhe shkizmatë të LDK-së. Njëri prej tyre,  Nexhat Daci është postuar në vendin e katërt ndërsa, i burgosuri politik,  luftëtari i lirisë dhe veprimtari,  Muhamet Kelmendi në radhën 58.  Në 10-shin e parë,  përveç Ahmet Isufit dhe Ali Lajçit, ish të burgosur, të gjithë të tjerët, përveç kryetarit Ramush Haradinaj kanë prejardhje nga ish nomenklatura pushtetare dhe LDK-ja.


 


Nisma për Kosovën edhe pse parti e re, kandidon  me 21 deputetë. Shumica e deputetëve, madje edhe vetë kreu i partisë janë deputetë me prejardhje nga ish-UÇK-ja, por edhe ish të burgosur politikë. Në krye të kësaj partie janë dy personalitete të njohura të Kosovës, si Jakup Krasniqi, zëdhënës e SHP të UÇK-së dhe i burgosur politik i viteve 80, si dhe Fatmir Limaj, i njohur gjatë luftës si komandant Çeliku, njëri prej eprorëve më të suksesshëm të luftës së UÇK-së, dhe politikani më karizmatik i vendit.  Për dallim nga partitë e tjera të cilat tashmë janë konsoliduar, Nisma për Kosovën ndodhet në fazën e konsolidimit dhe zgjedhjet e parakohshme nuk i kanë konvenuar. Megjithatë, në disa komuna të vendit si në Prizren, Malishevë, Drenas, kjo parti ka gjasa të marrë numër të konsiderueshëm të votave.


 


Aleanca Kosova e Re, pavarësisht se ka pasur kohë për t’u konsoliduar nuk ka arritur të zgjerohet, për shkaqe që nuk do t’i përmendim kësaj radhe. Duket se fitorja e kësaj partie në zgjedhjet lokale  në komunën e Gjakovës dhe të Mitrovicës, i ka ngjallur shpresat për rritje sadopak të numrit të votuesve. Në 12 emrat e parë të kandidatëve për deputetë, të kësaj partie është vetëm një i burgosur politik, Bajram Kosumi, një ish-epror i lartë i luftës së UÇK-së, Naim Maloku dhe veprimtari i njohur, Ibrahim Makolli.


 


Nga kjo analizë del se në listat e kandidatëve për deputetë të partive politike, të cilët do të garojnë për zgjedhjet e përgjithshme të 8 qershorit, në krahasim me zgjedhjet paraprake, numri i veteranëve dhe i kuadrove të njohur të luftës dhe numri i veprimtarëve politikë, nga radhët e të burgosurve dhe të përndjekurve politikë ka shënuar rënie. Megjithatë, strukturat e larta të shumicës dërrmuese të  partive i udhëheqin pikërisht çlirimtarët, të cilët janë përbaltur dhe vazhdojnë të përbalten nga mediet me prejardhje ideologjike, titiste komuniste, që  nuk lënë gurë pa lëvizur, me qëllim për të ndikuar në degradimin e imazhit të Kosovës, madje duke e paraqitur tërë kreun e luftës si të korruptuar dhe të pa aftë për qeverisje. Ky demonizim nuk duket se ka dhënë ndonjë efekt, meqë përveç LDK-së dhe AKR-së, të gjitha partitë e tjera politike udhëhiqen nga krerët e luftës së UÇK-së, nga komandantët më të suksesshëm të saj dhe fitorja e tyre në zgjedhje do të jetë fitore për Kosovën dhe një turi-thyerje për titistët, nostalgjikët e jugosllavizmit, rankoviçistët, surroisët, Birnistët dhe soji i mbetjeve të Serbisë në Kosovë. Kosova, nga vitit në vit, po pastrohet nga mentaliteti i debilëve dhe servilëve të Beogradit dhe nga plehrat e Serbisë të mbetura në vendin tonë gjatë okupimit 80-vjeçar, pavarësisht përpjekjeve të një segmenti të zyrtarëve të Brukselit, të cilët duan që vendi ynë  të kthehet nën Serbi.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Frontit Europian, Bujar Osmani, shpalli fitoren në zgjedhjet presidenciale të Maqedonisë, me epërsi të 40 mijë votave

Kandidati i Frontit Europian për kryetar të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka shpallur fitoren …