Nuk e kam menduar kurrë se në Kosovën e lirë:
-
ndershmëria dhe sakrifica do të shkileshin pa mëshirë, ndërsa servilizmi të ishte privilegj i madh dhe të shpërblehej;
-
pranë varreve të Dëshmorëve do të luhej dyfytyrësia nga ata që gjatë luftës në Kosovë e kundërshtonin UÇK-në, e shanin dhe e pengonin shtrirjen e saj me fuqinë që kishin;
-
fjala e lirë, e drejtë dhe e paanshme, e thënë publikisht, do të kishte për pasojë largimin nga puna;
-
në institucione publike do të pengoheshin emërtimet me emrat e njerëzve të mëdhenj, që hapën kapitujt e lirisë sonë dhe u shndërruan në figura epokale të pavarësisë e lirisë sonë;
-
gënjeshtra dhe mashtrimi do të shndërroheshin në devizën kryesore të “liderçiqëve” që mashtrojnë qytetarin hallexhi, vetëm për ta sunduar e për t’u tallur me të;
-
edhe për së vdekuri heronjtë e lirisë do të konsideroheshin të padëshiruar, duke u penguar çdo përpjekje për t’u vendosur emrin e tyre institucioneve, përkundër kërkesave masive të qytetarëve (siç ndodhi në komunën e Shtimes);
-
korrupsioni dhe krimi i organizuar do të bëheshin oreksi kryesor i dinastive, që sot i përjeton komuna e Shtimes;
-
edhe pas luftës, UÇK-ja do të përjetonte ndjekje të vazhdueshme, përgojim, propagandë dhe poshtërim nga shqipfolës mjeranë, në të njëjtat linja me okupatorin serb;
-
flamuri ynë shtetëror, që simbolizon identitetin tonë kombëtar, të quhej “leckë”, ndërsa hoxhollarët të shpërbleheshin me Mercedes!
E them me zë të lartë: fjala është për dinjitetin e secilit prej nesh, për shtetin të cilin nuk e duam në këtë gjendje. Kosova që deshëm, për të cilën u flijuan breza të tërë, nuk mund të mbetet peng i padrejtësive, hakmarrjeve politike dhe injorancës!