Sabit Gashi

Sabit Gashi: Si po e humb përkrahjen popullore përditë e më tepër, kryeministri, Albin Kurti?

Zgjedhjet e fundit të datës 17 tetor, ku LVV humbi rreth dy të tretat e votave, të cilat i kishte fituar disa muaj më parë në zgjedhjet qendrore, për disa ishin befasi, por jo për të gjithë.

Nga fitorja e 14 shkurtit kur LVV i fitoi rreth 52 % të votave të përgjithshme, (rezultat ky i prekur si asnjëherë më parë nga ndonjë qeveri tjetër), bëri që kjo parti të marrë të gjitha institucionet udhëheqëse të vendit, siç ishin presidenca, kryesia e parlamentit, dhe qeveria. Mirëpo nga data e shpalljes së fitores e deri më sot janë vërejtur një seri gafash e gabimesh së pari të kandidatit për kryeministër A. Kurtit, qysh nga deklaratat e para të tij para se të zgjidhej kryeministër, duke u shoqëruar me një sërë gabimesh të vazhdueshme pas zgjedhjes së tij e deri në ditën e sotme.

Deklarata e Kurtit se dialogun me Serbinë e ka vënë në pikën e gjashtë të prioriteteve të tij, përbënte një zhgënjim të madh si për vendorët, po ashtu edhe për ndërkombëtarët, pasi dialogu po shihet si e vetmja zgjidhje për daljen nga status quo në të cilën aktualisht gjendet Kosova, si dhe relaksimi i marrëdhënieve dhe përparimi i të gjitha vendeve në tërë Ballkanin Perëndimor.

Një ndër gafat më të mëdhenj, të cilin kurrë nuk do t’ia falë historia, ishte krijimi i një aleance me Metën e Berishën në Shqipëri, për të bërë fushatë kundër Ramës, si dhe shkuarja e tij për të votuar atje në cilësinë e kryeministrit të Kosovës. Kjo bëri që të provokojë një incident ndërshtetëror, duke ndikuar në neutralitetin e zgjedhjeve atje, por u prit me gjakftohtësi nga kryeministri Rama, i cili e bëri një reagim të pjekur karshi këtij provokimi dhe Kurti dështoi me turp.

Refuzimi i marrëveshjes së Uashingtonit ishte njëra ndër gabimet më të rënda të Kurtit, pasi ajo marrëveshje ishte nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë nga të dyja palët në prani të presidentit amerikan, ku përveç tjerash kërkohej që të zbatohej edhe Minishengeni Ballkanik, i cili më vonë e ndërroi emrin në Open Balkan, të cilin filluan që ta zbatojnë Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Më vonë këtë marrëveshje administrata Biden e përkrahu dhe kërkoi që të zbatohet pikë për pikë. Ky refuzim bëri që Kosova të izolohet nga bashkësia ndërkombëtare, e me theks të veçantë nga SHBA të, të cilat në mënyrë të heshtur i ndërprenë marrëdhëniet me Qeverinë e Kosovës, (rasti i vizitës së presidentes Osmani në SHBA, e cila nuk u prit nga asnjë strukturë e lartë në departamentin e shtetit Amerikan), duke ua bërë me dije se marrëveshjet që nënshkruhen në Shtëpinë e Bardhë në Uashington janë të plotfuqishme dhe duhet që të respektohen si të tilla.

Neglizhenca e pandemisë kovid 19, refuzimi i Kurtit për të mos pranuar ndihma me vaksina nga shteti amë Shqipëria, si dhe mos blerja me kohë e vaksinave, ishte ndër gabimet më të mëdha të kësaj qeverie, pasi si pasojë e mos vaksinimit të popullatës, shpërtheu një pandemi e pa kontrolluar, e cila ishte fatale për popullin, ku si rezultat i kësaj pandemie për një kohë të shkurtër humbën jetën me mijëra njerëz, prej të cilëve edhe shumë të rinj. Kjo ndodhi për shkak të pa aftësisë së kësaj qeverie për të menaxhuar këtë krizë pandemike.

Pastaj refuzimi i ndihmave amerikane që edhe Kosova të futet në rrjetin e gazit, i cili është pjesë e projektit TAP, për shkak të paaftësisë së kësaj qeverie që të inkorporohet në këtë projekt, bëri që të bëhet një zhgënjim i madh tek popullata në Kosovë, e në veçanti tek zgjedhësit e kësaj partie, si dhe një zhgënjim i madh për miqtë ndërkombëtarë, siç janë ata amerikanë.

Shkarkimi blanco i ambasadorëve të Kosovës në shtete të ndryshme të Botës, si dhe mungesa intelektuale e kësaj partie për t’i zëvendësuar ata me ambasadorë të tjerë, bëri që të dështojë diplomacia e jashtme e Kosovës dhe të krijojë zhgënjime të mëdha në masë. Po ashtu heqja e shumë projekteve infrastrukturore të cilat ishin duke u kryer nga qeveritë e mëparshme dhe mos arritja që të nisen projekte të reja madhore, është një zhgënjim i madh nga kjo qeveri, prej të cilës votuesit kanë pritur ndryshime të mëdha. Nga e gjithë puna e kësaj qeverie mund të themi se nuk është bërë diçka konkrete përveç shkarkimit të disa bordeve të ndërmarrjeve publike dhe zëvendësimit të tyre me militantë partiak, e që shumica e tyre janë nëpër procese gjyqësore dhe mund të pritet edhe kthimi i tyre nëpër vende të mëparshme, si dhe shkarkimi i kryetares së KQZ, i cili mendohet se është institucion i pa varur dhe baza e demokracisë së një vendi, e që edhe ky rast është në procedura gjyqësore dhe pritet që të merret vendim meritor kundër këtij shkarkimi.

Por nga ajo që quhet kulmi i gabimeve të kësaj Qeverie të udhëhequr nga Kurti, ishte spektakli me policinë speciale në Veriun e Kosovës, me pretekstin për të vënë reciprocitetin me Serbinë për targat, ku u bë një intervenim i pa planifikuar mirë, i ngutshëm dhe për efekte elektorale dhe si rezultat i këtyre gabimeve amatore, policia speciale u gjet në një zgripc dhe u bllokua nga popullata atje për rreth dy javë ditë. Ky ishte një gabim i madh strategjik, pasi dërgimi i forcave speciale në Veri të Kosovës pa asnjë shkak, me qëllime të pretenduara se serbët lokal do të bëjnë probleme dhe kundërshtime të mëdha për ta penguar implementimin e reciprocitetit të tabelave dhe do të mund të i rrezikonin jetën e policëve dhe të doganierëve, doli të jetë i gabuar dhe me pasoja të rënda, pasi intervenimi me forca speciale i paraqiti serbët lokalë si viktimë para bashkësisë ndërkombëtare dhe kjo u dënua prej tyre. Po ashtu ata, (bashkësia ndërkombëtare), u shprehën se ishin të befasuar nga kjo ndërhyrje, çka e lanë të kuptohet se ky aksion ishte bërë pa një koordinim të mirëfilltë me bashkësinë ndërkombëtare. Por pasojat e këtij aksioni qenë të rënda, pasi bashkësia ndërkombëtare i detyroi palët që të ulen në tryezë të bisedimeve dhe të merren vesh për tabelat, duke e kthyer dialogun politik për zgjidhjen e statusit të Kosovës në një dialog teknik për tabelat, me të cilën u bë kthim mbrapa dhe epilogu i këtyre bisedimeve ishte i dhimbshëm.

Në Bruxel u vendos që të dyja shtetet të përdornin stikersa për të mbuluar simbolet shtetërore të të dyja shteteve, çka u pa si pozitive, por në anën tjetër u bë me marrëveshje që të pranohen tabelat të cilat lëshoheshin nga koha e Milosheviçit me simbolet KM, PR, etj. Por e keqja e kësaj marrëveshje nuk ndalet këtu, pasi këto tabela do të mund të përdoreshin vetëm në pjesën veriore të vendit, çka e bën atë një pjesë të veçantë të Kosovës brenda territorit të vendit. Po ashtu u krijua një presedan i ri, ku tani e tutje policia speciale nuk mund të veprojnë në Veri të Kosovës pa lejen e Serbisë, sepse do të bllokohen nga popullata dhe bandat kriminale në veri të vendit. Kjo u vërtetua me rastin e ndërhyrjes së fundit të policisë speciale për të luftuar krimin e organizuar, ku nga 9 aksione të planifikuara atje, policia speciale arriti që të ndërhyjë vetëm në një vend dhe aty pati policë të rrahur dhe të plagosur.

Të gjitha këto që u cekën më lartë dhe shumë të tjera që nuk janë cekur, tregojnë për një çasje komplet të gabuar të kësaj qeverie ndaj problemeve që i ka vendi. Kjo për faktin se kryeministri Kurti për shkak të kauzave që i kishte përdorur për t’u ngritur me vota, për të fituar zgjedhjet, kishte bërë aq shumë premtime, sa ato ishin bërë jo vetëm të paarritshme, por pothuajse imagjinare. Këto premtime që ua kishte dhënë zgjedhësve të vetë, ishin të gjitha në kundërshtim me realitetin, pasi ato ishin premtime më tepër populiste dhe pa asnjë bazë që të përkonin me të vërtetat. Këto dhe dështimet e tjera kanë bërë që zgjedhësit e Kurtit të zhgënjehen në masë të madhe çka kjo reflektoi edhe në zgjedhjet e fundit në nivel lokal.

Por hiq më mirë nuk është duke udhëhequr as me politikën e jashtme, sidomos në raport me dialogun me Serbinë, pasi u kishte premtuar zgjedhësve të vet se nuk do të kishte negociata me Serbinë për pa i kërkuar falje Kosovës, si dhe pa u kthyer të gjithë të zhdukurit e luftës së fundit, do të kërkonte bashkim kombëtar, etj. Kjo jo vetëm që nuk ndodhi, por u mundua që të manipulojë me dialogun, duke thënë se do të bisedojë me serbët lokalë, e jo me Serbinë. Kjo politikë e tillë jo vetëm që nuk funksionoi fare, por iu kthye në boomerang, pasi me rastin e bllokimit të policisë speciale në Veriun e Kosovës nga serbët lokalë, filloi që t’i thurë lavde shefit të Listës Serbe Goran Rakiq, duke thënë se ai po e qetëson situatën atje. Mirëpo më vonë doli se pikërisht ishte ai që  po e bënte organizimin e bllokadës në veri, sepse serbët lokalë janë të manipuluar nga Beogradi dhe kjo metodë nuk funksionon fare. Por më e keqja është se jo vetëm që nuk funksionoi që ta bëjë Rakiqin për vete, por nuk guxoi as ta shkarkojë një ministër i cili doli kundër kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, ku me kushtetutën e Kosovës neni 94 thuhet se: Detyrat dhe kompetencat e kryeministrit janë që të kontrollojë punën e të gjitha ministrive të tij, që të zbatojnë politikat qeveritare që i udhëheq qeveria e vendit. Deklaratat e Kurtit se do të bisedojë me serbët lokalë, ishin një çasje e gabuar e tij ndaj dialogut, sepse gjarprin nuk duhet ta kapësh nga bishti, por nga koka dhe ta mundësh atë, përndryshe kthehet e të kafshon.

Mirëpo për të qenë sa më qesharake, të gjitha këtyre dështimeve të lartcekura të tij, ai po mundohet që t’u përgjigjet me demagogji dhe hipokrizi, duke u tallur me zgjedhësit e vet. Pra humbjet e tij në zgjedhje ku nuk arriti që të fitojë asnjë komunë të vetme, u mundua që t’ua paraqesë zgjedhësve të vetë si fitore. Rritjen e çmimeve dhe rritjen e inflacionit, u mundua t’ia paraqesë si rritje të ekonomisë dhe të eksportit. Mos rritjes së pagave, të cilat nuk janë rritur asnjëherë që nga koha kur Thaçi ishte kryeministër, i përgjigjet me disa ndihma të vogla para fushatës elektorale.

Për të dalë nga ky kollaps ku është futur vendi, Kosova në koordinim me udhëheqësit e Shqipërisë, të Maqedonisë, të Luginës, të Malit të Zi, të Sanxhakut, etj. duhet që të dialogojë me udhëheqjen e Beogradit, e cila  është udhëheqja e të gjithë serbëve në ish Jugosllavi, pasi ne jemi aktualisht në një luftë të ftohtë serbo-shqiptare, duhet të punohet për të arritur marrëveshje politike të qëndrueshme (all i one), për të hequr tensionet e luftës, si dhe për të zbatuar pikë për pikë marrëveshjen e Uashingtonit, e cila në vete i përmban një sërë marrëveshjesh të tjera, të cilat e avancojnë përpara çështjen e shqiptarëve të Kosovës dhe të rajonit, pasi aty parashihen marrëveshje që Kosova të hapet ekonomikisht me vendet e rajonit përmes lidhjeve infrastrukturore siç janë hekurudhat, autostradat, vijat ajrore, etj. Pastaj ajo marrëveshje e cila u nënshkrua në Uashington në mes të palës kosovare dhe asaj serbe, parasheh që në dialogun që do të zhvillohet me Serbinë dhe vendet e tjera, në fund të procesit do të ketë njohjen e Kosovës nga Serbia. Kjo nismë e tillë, e cila del nga marrëveshja e Washingtonit dhe marrëveshja e Berlinit e quajtur si Minishengen, e që më vonë e ndërroi emrin në Open Balkan, i krijon mundësitë edhe Kosovës që t’i futet një procesi të daljes së saj nga ky status quo ku është futur, ku për momentin nuk po shihet ndonjë përparim i dukshëm ekonomik, me rritje të lartë të çmimeve, rritjen e lartë të inflacionit, dhe me pagat më të vogla në rajon, ia mundësojnë që të hapet dhe të futet si shtet i pavarur me të drejta të barabarta me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, ku de facto do të pranohet edhe nga Serbia, pasi pranimi i këtyre marrëveshjeve infrastrukturore dhe administrative, do ta bënte Kosovën shtet të pa varur me të gjitha të drejtat e barabarta, ku në një fazë më të vonshme do të pranohet edhe de jure, si dhe Serbia do të kërkojë falje për masakrat që i ka bërë ndaj popullit shqiptar.

Mos anëtarësimi i Kosovës në këtë nismë së bashku me Shqipërinë dhe vendet e tjera, e dobëson atë dhe e izolon nga vendet fqinje, si dhe rrezikon që të mbetet e mbyllur në Gheto, karshi vendeve të tjera në Balkanin Perëndimor, pasi heqja e barrierave doganore, ia mundëson shqiptarëve që të integrohen sa më shumë brenda për brenda kombit dhe të dalin nga ndikimi i ekonomisë së Serbisë, ku janë futur aktualisht. Heqja e barrierave doganore, ia mundëson shqiptarëve evitimin e pritjeve të gjata nëpër kufij e dogana, sidomos mërgimtarëve tanë, të cilët maltretohen nëpër kufij të ndryshëm, duke pritur me orë të tëra, ku përveç humbjes së kohës së çmueshme, atyre u shkaktohet nervozë e pa nevojshme.

Pastaj pjesëmarrja e Kosovës në Open Balkan, do të shenjonte heqjen e tensioneve të luftës dhe do t’i hapë rrugë investimeve të huaja, pasi ata janë të interesuar që të investojnë në vende ku nuk ka barriera doganore, ka qetësi,  infrastrukturë dhe klimë të mirë për investime. Heqja e doganave në mes të vendeve të rajonit e nxitë prodhimin vendor, si dhe i rregullon një sërë çështjesh të brendshme të vendit, siç janë mos ndarja e Kosovës dhe rregullimi i të drejtave të pakicave të tjera pa kompetenca ekzekutive. Po ashtu Kosovës i hapet mundësia në mënyrë automatike që të pranohet në NATO dhe në organizmat e tjera ndërkombëtare, pasi këto shtete pas arritjes së marrëveshjeve, nuk do ti bëjnë më obstruksione njëra tjetrës, por do të rritin bashkëpunimin e tyre në të gjitha fushat, si ato ekonomike, administrative, kulturore, etj. Kështu që ky është një kusht për t’u pranuar edhe nga vendet e tjera të Evropës të cilat aktualisht nuk e pranojnë Kosovën shtet të pavarur, si dhe para pergaditje e rajonit për t’iu bashkangjitur BE së.

Kryeministri Kurti duhet ta ketë të qartë që është zgjedhur kryeministër me vota të popullit të Kosovës, e cila e ka mundur Serbinë me luftë, i ka zgjedhur aleatët më të fortë të Botës dhe e ka pozitën gjeografike më të mirë në rajon, si dhe është pjesë e një populli që është faktor kryesor në Ballkan dhe më gjerë. Si i tillë nuk duhet që ta ndjejë veten inferiorë karshi vendeve të tjera dhe të ikë nga marrëveshjet me vendet e rajonit, por duhet të jetë krenarë dhe të marrë pjesë në të gjitha nismat rajonale në Ballkanin Perëndimorë dhe të paraqes kushtet e vendit tonë për t’u bërë pjesë me të drejta të barabarta si të gjitha shtetet e rajonit. Nuk ka të drejtë që me veprimet e veta t’ia humbë perspektivën pro perëndimore popullit të Kosovës, por duhet që të punojë që t’i sigurojë vendit një prosperitet në gjirin e shteteve të Ballkanit Perëndimorë. Përndryshe nëse nuk e ndryshon qasjen ndaj këtyre politikave, parashihet që të bjerë edhe më shumë në zgjedhjet e ardhshme dhe do të ngelet në histori si kryeministri dhe qeverisja më e dobët në historinë e qeverive të Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Dr. Gurakuç Kuçi: Zgjedhjet elektorale si gjeopolitikë: Maqedonia e Veriut drejt Perëndimit apo Rusisë dhe reagimi i Gjermanisë

Zgjedhjet elektorale më nuk janë thjesht një ndërmarrje demokratike e organizuar për të kahëzuar zhvillimin …