leoni

Sadik Hafir Shala (17.4.1966-19.7.1998)

Sadik Hafir Shala (17.4.1966-19.7.1998)

Përgjatë bjeshkëve të Berishës, në trevën e Llapushës, ndodhet fshati Kleçkë me të cilin lidhen shumë ngjarje të rëndësishme të historisë sonë më të re. Në Kullën e Hafir Shalës (babai i dëshmorit Sadik Shala), ishte vendosur Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mu nga kjo seli e SHP të UÇK-së, më 14 qershor të vitit 1998, u paraqit për herë të parë publikisht zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, ngjarje kjo e cila bëri jehonë të madhe në arenën ndërkombëtare. Ky fshat njihet për bujari e mikpritje,por mbi të gjitha njihet për trimat e urtë e të mençur që ka dhënë në të kaluarën, siç janë: Rexhep Kleçka, i vrarë në Betejën e Carralevës më 1910, Sefer Kleçka, Elez Kleçka, Man Kleçka e shumë trima të tjerë.

Sadik Shala lindi më 17 prill 1966. Ai ishte bir i prindërve Habibe e Hafir Shala. Shkollën fillore e kreu në Kleçkë për të vazhduar pastaj në Shalë, kurse të mesmen e kreu në Lypjan,më 1985. I rritur e i edukuar në odë burrash, Sadiku trashëgon tiparet karakteristike të malësorit: bujarinë, besnikërinë, mikpritjen e trimërinë. Që në vitin 1989, kur dëgjon për demonstratat që kishin shpërthyer në Lypjan, ai kapton këmbë fusha e male për të arritur atje dhe për t’u vënë në ballë të demonstruesve. Po edhe me rastin e helmimit të nxënësve shqiptarë më 1990, ai së bashku me shokun e tij Xhevat Krasniqi nga Carralluka kap një serb duke hedhur sprej në oborrin e spitalit të Prishtinës, të cilin ua dorëzon organeve të atëhershme.

Në janar të vitit 1997, në një mëngjes të hershëm, kur Kleçkën e kishte përfshirë një acar i madh, forca të mëdha policore (afro 100 policë) me autoblinda e pizguaerë rrethojnë shtëpinë e Sadik Shalës dhe deri në mesditë e mbajnë nën unazë të hekurt tërë fshatin Kleçkë. Nga familja e Sadikut, policia kërkon dy automatikë, por kjo ishte vetëm pretekst, sepse qëllimi i saj ishte ta arrestonte Fatmir Limajn, duke ditur se shtëpia e Sadikut ishte vendstrehim i sigurt i Fatmirit. Ky fakt u dëshmua gjatë marrjes në pyetje të Sadikut në Gjykatën e Qarkut të Prishtinës kur nga ai kërkohej me këmbëngulje të mësohej se ku ndodhej Fatmir Limaj. Në këtë rast policia serbe kishte arrestuar Sadikun dhe vëllanë e tij, Bajramin. Ata u mbajtën në arrest në burgun e qarkut në Prishtinë, për dy ditë rresht, gjatë së cilës kohë iu nënshtruan torturave fizike. Pas dy ditësh,Sadiku u dënua me gjashtë muaj burg.

Më 8 janar të vitit 1997,Sadiku bie në kontakt me Fatmir Limajn, përmes të cilit angazhohet në radhët e UÇK-së, ku në qershor të vitit 1998, në ceremoninë solemne të organizuar, bën betimin para flamuritkombëtar, si pjesëtar i denjë i kësaj ushtrie. Me angazhimin në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sadiku dha kontribut tejet të rëndësishëm në formimin e celulave të para në rajonin e Llapushës e sidomos udhëhoqi me sukses sektorin e logjtstikës në Brigadën 121 dhe në Zonën Operative të Pashtrikut. Në shtëpinë e Sadikut, në radhët e UÇK-së ishin rekrutuar shumë luftëtarë të ardhshëm të lirisë dhe në të kishin qëndruar e kishin vënë kontakte figura të shumta të UÇK-së, si, Fatmir Limaj, Haxhi Shala, Shukri Buja, Ismet Jashari-Kumanova, Lahi Brahimaj e të tjerë.

Vëllezërit e Sadikut,Skënderi, Shefqeti, Sadiku, Dalipi, Sabiti e Bajrami, ishin ata që në Kosovë e në Perëndim mbështetën në të gjitha aspektet Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Kjo familje, tërë pasurinë që e kishin krijuar djemtë e saj me vite, me djersën e kurbetit, e shkriu në dobi të çështjes kombëtare. Në nëntor të vitit 1997, nga Zvicra në Kleçkë arrijnë për ta organizuar rezistencën e armatosur, si dhe për të zgjeruar territorin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Fatmir Limaj, Haxhi Shala, Shukri Buja dhe Ismet Jashari- Kumanova. Sadiku ishte një ndër shtyllat kryesore të forcimit e të organizimit të luftës çlirimtare, si dhe njëri ndër ushtarët e parë i organizuar në kuadër të Brigadës 121.

Më 21 mars të vitit 1998, në fshatin Kleçkë formohet celula e parë e UÇK-së. Njësiti i parë i kësaj celule merr emrin “Çeliku”,në të cilin njësit bënin pjesë Fatmir. Limaj- “Çeltku.lsrnet Jashari-“Kumanova”,Haxhi Shala-Topi”, si dhe Sadik Shala me vëllezërit, Nexhmiun, Sabitin e Bajramin. Stërvitjet ushtarake Sadiku i bën në Kleçkë. Ai merr pjesë në shumë aksione guerile e frontale. Ishte shquar në Betejën e Grykës së Llapushnikut, më 9 maj të vitit 1998. Në epopenë e kësaj beteje Sadik Shala u dëshmua si një trim i rrallë.

Tri ditë më vonë, Sadiku merr pjesë edhe në aksionin kundër forcave të pushtuesit, të zhvilluar në Luzhnicë, ku në një largësi prej 500 metrash, nën komandën e komandantit Ismet Jashari-“Kumanova”, bëhet sulmi mbi forcat serbe. Tashmë Sadiku ishte ngarkuar me detyrën ushtarake të furnizuesit të njësitit “Çeliku”.

Më 25 qershor të vitit 1998, Sadiku, së bashku me bashkëluftëtarët Fatmir Limaj, udhëheqës i njësitit,Haxhi Shala, Selim Krasniqi-“Limi”, Nexhmi Shala, Refki Mazreku-“Vandami” dhe Gani Paçarizi-“Qeli”, merr pjesë në aksionin sulmues kundër postbllokut të policisë serbe në Duhël, ku forcat serbe pësojnë humbje të konsiderueshme. Tri katër ditë më vonë, njësiti “Çeliku”, ku bënte pjesë edhe Sadiku, kryen aksionin tjetër në stacionin e policisë në Shtime.

Në qershor të vitit 1998, njësiti ku bënte pjesë Sadiku, duke shkuar në një aksion gueril, bie në pritë të postbllokut të ushtrisë e të policisë serbe te vendi i quajtur Pishat e Llazicës, në Llazicë të komunës së Malishevës. Aty zhvillohet një betejë e rreptë, me ç’rast plagosen Fatmir Limaj dhe Selim Krasniqi, ndërsa vriten disa militarë serbë, për të cilët konfirmojnë edhe burimet e atëhershme të televizionit serb të Prishtinës.

Në fillim të qershorit të vitit 1998, Sadik Shala së bashku me Haxhi Shalën, Sabit Shalën e Ukë Gegajn, në fshatin Gegje të komunës së Rahovecit, sulmojnë forcat serbe në një autoblindë, të cilën arrijnë ta djegin.

Me 17 korrik të vitit 1998,Ushtria Çlirimtare e Kosovës futet në Rahovec dhe aty zhvillon një betejë kundër armikut. Në këtë betejë merr pjesë edhe Sadiku, së bashku me shumë bashkëluftëtarë, si Ibrahim Zogaj, Fatmir Zogaj, Abdyl Gegaj, Fadil Berisha, Habib Morina, Liman Gega e të tjerë. Atë ditë, ai lufton deri në mbrëmje, kur arrin të kthehet prapë në bazë, në Kleçkë. Mirëpo, shpirti luftarak i tij nuk mund të qetësohej përderisa disa prej bashkëluftëtarëve të tij kishin ngelur të rrethuar në Rahovec dhe po bënin luftë për jetë a vdekje. Më 19 korrik, ngjesh armët dhe u shkon në ndihmë shokëve.

Atë ditë në Rahovec zhvillohet një ndër betejat frontale më të ashpra dhe më të pabarabarta ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave militare serbe. Forcat armike kishin sjellë përforcime të reja dhe kishin sulmuar nga të gjitha anët. Në këtë betejë të pabarabartë,bien në fushën e nderit disa trima çlirimtarë të UÇK-së, por humbje të mëdha pësojnë edhe forcat e armikut. Atë ditë, në fushën e nderit bie edhe trimi i Kleçkës,Sadik Shala. Përkrah tij bien edhe dëshmorët Liman Gegaj nga fshati Zogaj i Malishevës, Afrim Krasniqi nga Bardhi i Malishevës, Agim Çelaj nga Peja,Gani Paçarizi, nga Dragobili, Hamdi Berisha nga Gurbardhi dhe Abdullah Bugari.

Bashkëluftëtarët bëjnë përpjekje mbinjerëzore për t’i tërhequr të rënët, mirëpo luftimet ishin të rrepta dhe një përpjekje e tillë ishte e pasuksesshme. Për t’i humbur gjurmët, trupin e Sadikut e të disa dëshmorëve të tjerë, forcat serbe i varrosin në varr të përbashkët, në afërsi të varrezave të qytetit të Prizrenit. Pas identifikimit, njësiti i UÇK-së, i udhëhequr nga ushtari Beqir Hoxha nga Arbana (ish-Dushanovë), natën e 26 korrikut, trupi i dëshmorit Sadik Shala zhvarroset dhe sillet në Kleçkë. Më 27 korrik 1998 rivarroset me nderime të larta ushtarake në Varrezat e Dëshmorëve në Kleçkë. Po atë ditë në këto varreza varroset edhe dëshmori Imer Alushani, i rënë një ditë më parë në Betejën e Llapushnikut.

Sadiku ishte i martuar me bashkëshorten, Eminen, me të cilën i ka lënë pesë fëmijë: Minatorin, Mentorin, Abetaren, Kosovaren dhe Qëndresën.

Në vendin e rënies, në Rahovec, është zbuluar pllaka përkujtimore e përbashkët, në të cilën figuron edhe emri i tij e në të cilën është skalitur epitafi:

Lulëzo Kosovë e gjaku ynë

U bëftë dritë për gjeneratat

që do të vijnë pas nesh

Pas rënies, Qeveria e Përkohshme e Kosovës-Ministria e Mbrojtjes, e nderoi me Mirënjohje, ndërsa Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së e ka shpallur “Dëshmor i kombit”, nr.445.

Kontrolloni gjithashtu

Shemsi Xhafer Istrefi (20.8.1977 - 27.4.1999)

Shemsi Xhafer Istrefi (20.8.1977 – 27.4.1999)

Dëshmori i kombit, Shemsi Istrefi, rrjedh nga një familje që kishte zbritur nga bjeshkët e …