Kush nuk donë ta përdorë e as ta dëgjojë fjalën luftë, nocionin luftë e zëvendësuan me nocionin konflikt! Po të thuhet pat luftë, duhet pranuar që pat luftëtarë! Edhe fjala çlirimtar ju pengon. Po të thuhet u çliruam, duhej të pranohej se ishim të robëruar!
Për ta mohuar çlirimin, tradhtarët thonë që ishim në bashkëqeverisje me vullnet nën Jugosllavi. Arsyeja që luftohen çlirimtarët nga armiqtë është se ata duan të hakmerren për humbjen e Kosovës dhe humbjen e luftës! Këta nuk lanë gur pa rrokullisur për t’i kapur e gjykuar çlirimtarët. Këta i vunë në listat e Interpolit. Krejt çka mundën me bërë, e bënë kundër luftëtarëve çlirimtarë!
Me siguri, kurrë nuk mund të pajtohen me humbjen e tyre. Këta përpiluan dhe fabrikuan dosje fallco për ta bindur botën se luftëtarët ishin kriminelë dhe terroristë, fundamentalistë myslimanë, e çdo gjë të keqe, deri te krimet kundër njerëzimit, me shitje të organeve njerëzore!
Çdo pushtues i urren luftëtarët, i urren çlirimtarët, sepse pushtuesit duan përherë t’i mbajnë nën pushtim, shfrytëzim e kolonializim të robëruarit. Edhe sikur të mos ishte gjetur kjo shpifje, ishte sajuar një tjetër. Qëllimi: me i burgosur e dëmtuar luftëtarët çlirimtarë!
Këta armiq arritën ta bëjnë frontin kundër UÇK-së! Si të kuptohet që të njëjtën gjë e bëjnë edhe aleatët kundër çlirimtarëve? Del sikur ne kemi qenë në lajthitje, kur e kemi marrë aq përzemërt dhe kemi menduar se jemi bashkëçlirimtarë me aleatët! Bile ua kemi atribuuar atyre sikur na çliruan. Së paku një shumicë e popullit kështu mendonte!
Çartë shihet se edhe aleatët nuk na duan si luftëtarë e çlirimtarë, së paku kështu janë sjellë deri sot. Këta, si duket, nuk po munden ta durojnë krenarinë e çlirimtarëve dhe kanë interesa tjera me armiqtë tanë!
Me siguri, Perandorët janë të gjithë të njëjtë. Nuk duan kryengritës, nuk duan luftëtarë e çlirimtarë, nuk duan liri për të robëruarit!
Shiheni çka ndodhi: Rusia kamufloi pushtimin e Ukrainës me një “operacion ushtarak”, për ta hequr fjalën luftë! Njëkohësisht, Trump e fajëson Zelenskyn, duke e qortuar si fajtor: “Po të mos rezistoje ti, po të mos të mbroheshe, Ukraina nuk do të shkatërrohej!” — Kjo don të thotë: prano robërinë!
Ky është absurdi i kohës: pushtuesi ka të drejtë sepse është i fortë, i dobëti nuk ka të drejtë as të mbrohet!!!
Po mos të ishte ky front anti-UÇK, si brenda ashtu edhe nga jashtë, si nga armiqtë edhe nga tradhtarët, nuk do të burgoseshin e të luftoheshin çlirimtarët!
Ne e fituam luftën çlirimtare — luftë mbrojtëse, e drejtë dhe e pastër — e bazuar në konventat ndërkombëtare si ajo e Gjenevës dhe të tjera mbi të drejtat në luftë.
Me siguri, Perandorët e kanë për qëllim ta shuajnë zjarrin e lirisë, ta shuajnë prushin revolucionar e ta bëjnë hije; të mos ketë më luftë çlirimtare, sepse e dinë mirë që Europa i ka shumë borgje Shqipërisë, që e ndau në pesë pjesë në llogari të fqinjëve grabitqarë e pushtues. I druhet luftërave të ardhshme për bashkimin kombëtar, për ribashkimin e Shqipërisë!
Me anglo-amerikanët, edhe pse ishim aleatë në luftën çlirimtare dhe bashkë luftuam — aleatët në ajër, ne në tokë duke u koordinuar me koordinata — ata, kur erdhën në Kosovë, që në fillim na çarmatosën dhe nuk donin të kishim ne ushtri, që ta kishim mbrojtjen tonë!
Modeli i demokracisë, i interpretuar sipas dëshirave dhe interesave të tyre: “Kështu e do ky popull, dhe anketat japin 90% — nuk duan ushtri, sepse duan që ne t’i mbrojmë!” Kështu na sugjeronin aleatët!
Vërtetë, si gjithkund në botë, ishim pakicë në luftë — 3-5%! Kjo, kur përkthehet në demokraci, ku 95% janë shumica — kjo shumicë lehtë manipulohet nga të huajt, sepse ata i konsiderojnë forcë, e jo çlirimtarët!
Vetë luftëtarët, nga kjo kategori, përmes një deriçke — një pakicë luftëtarësh — pas çlirimit hynë në politikë dhe u korruptuan, hynë në grupin e oligarkëve të vjetër. Kështu që u bën shkop për të keqtrajtuar shumicën e çlirimtarëve!
Dinjteti dhe vlera e luftës, e luftëtarëve çlirimtarë, u nëpërkëmb dhe u përbuz skajshmërisht, duke i trajtuar pa dinjitet dhe pa mbrojtje ligjore ish-luftëtarët!
Si i duan pushtetarët të kemi ish-luftëtarët? Me siguri i duan të lodhur moralisht, ekonomikisht, psiqikisht; të shkatërruar në familje dhe nga shëndeti — gati e kanë arritur krejtësisht këtë qëllim!
Luftëtarëve u shkëputën lidhjet me bashkëluftëtarët, me familjarët e Dëshmorëve, me miq e dashamirë! Janë lënë të papunë, pa të ardhura, në rrugë — argatë krahu! Disa janë bërë roje me javë, duke ruajtur pasuritë e oligarkëve, profiterëve të pasuruar në kohën e pushtimit jugosllav, si dhe pas çlirimit!
Ju themi jo! Luftëtarët duhet të mbeten roje të Atdheut, me ideale të pathyera. Duhet të investohet në patriotizëm e siguri shtetërore!
Si e mendojnë ky front anti-UÇK — kush do t’i përgjigjej kushtrimit për mbrojtjen e lirisë, të popullit e të Atdheut? Kush, sipas këtyre nihilistëve e utopistëve, duhet ta mbrojë Atdheun?
Ju të frontit anti-UÇK, ju mjerana — do të thoni: mercenarët, të paguarit, të marrë me qira për të bërë luftën! Apo, sipas mendësisë tuaj, vetë pushtuesi — ju ruan ujku delet, këtyre kuislingëve dhe kolaboracionistëve!
Vetë ju jeni dëshmitarë, o farë e keqe, se pa gjakun e këtij populli, pa sakrificën — e papare ndonjëherë në historinë e njerëzimit — ajo më sublimja, të Jasharajve, si dhe të 2576 Dëshmorëve dhe 13.500 viktimave, pa luftën e UÇK-së nuk do të vinte kurrë liria!
Nuk do t’ua sillte askush lirinë në pjatë — nuk ka liri pa luftuar, o të mjerë!
Ish-luftëtarët u shuan nga jeta, që nga lufta e këtej mbi 20%! Si dhe u vetëvranë mbi 100. Jetojnë me gjymtyrë të këputura — pa këmbë, pa dorë, pa sy — të plagosur rreth 4000 ish-luftëtarë!
Me kurime mjekësore janë shumë. As barna nuk u sigurohen, as proteza. Me qindra prej tyre jetojnë me qetësues e me psikologë!
Si i doni ju çlirimtarët?
Ju i doni vetëm luftëtarët e vdekur. Të vdekurit janë të mirë për ju! Qofshi të mallkuar!
Sikur të kishte ligj për vlerat e luftës, sikur të kishte ligj për luftëtarët, do të trajtoheshin e respektoheshin me ligj vlerat e luftës! Nuk do të dënoheshin nga gjykatat brenda e jashtë vendit. Nuk do të guxonte Qeveria t’i shkëpuste nga ligji i pagës minimale!
Gjykatat tona kanë të drejtë të thirren në ligje — sepse askush nuk mund të jetë mbi ligjin — por kur është fjala për çlirimtarët, për komandantët, për ata që patën përgjegjësinë e luftës, që luftuan e drejtuan — këta çlirimtarë kanë legjitimitet për luftëtarët dhe për luftën!
Gjykatat e sinkronizuara brenda e jashtë vendit po i gjykojnë komandantët dhe gjykojnë luftën çlirimtare, duke mos njohur çlirimin dhe vlerën e lirisë!
Po të mos ishte shpikja shpifëse e DCK-së, do ta shpiknin një tjetër! Po të mos ishte Elez Blakaj, do të gjenin një tjetër! Sepse qëllimi i politikës së brendshme, si vazale e së jashtmes dhe karshi Serbisë, është që të luftojnë në çdo mënyrë luftën dhe luftëtarët e lirisë.
Fronti anti-luftë, anti-UÇK është edhe anti-kombëtar!
Duke u bërë gjyq çlirimtarëve — mediat e shitura, analistët (banalistët), matrapazët dhe qeveritarët miopë e të pavlerë — të gjithë së bashku në frontin anti-UÇK!
UÇK është gjallë! Nuk duhet të rrimë duarkryq. Duhet t’i dalim zot lirisë, çlirimit dhe çlirimtarëve! Duhet t’i tregojmë këtij populli se nga gjykatat, në emër të drejtësisë, po bëhen padrejtësi të mëdha. Në emër të ligjeve, shkelin mbi legjitimitetin e bartësve të luftës çlirimtare, shkelin mbi dinjitetin e luftëtarëve!
Luftëtarët janë njerëz të dinjitetshëm dhe me obligime familjare. Ju po ua thyeni idealet për Atdhe! Ju po i shkatërroni ekonomikisht e psiqikisht! Mjaft më! Nuk mund të durohet padrejtësia!
Ju ua shkelni edhe privatësinë dhe të drejtat elementare njerëzore. I mbani peng pa gjykim me vite në hetuesi dhe pranë dyerve të gjykatave — me qindra çlirimtarë!
Gjykatat civile, pa kokërr njohurish ushtarake, gjykojnë komandantët dhe luftën, pa pasur njohuri elementare mbi ushtrinë, mbi formacionet dhe nocionet ushtarake!
Në emër të profesionalizmit dhe me të drejtat e pakufizuara që ia kanë dhënë vetes — me gjykuar vetëm shqiptarët! Edhe më eklatante: vetëm të një lloji, duke krijuar përçarje!
Këto gjykata të zhytura në padrejtësi procedurale, njerëzore — Gjykatë një-etnike, duke e quajtur UÇK-në:
NDËRMARRJE KRIMINALE!
GJYKATAT PO BËJNË KRIM!
POSHTË PADREJTËSIA!
POSHTË GJYKATAT NJË-ETNIKE!
LIRI E DREJTËSI ÇLIRIMTARËVE!
RROFTË POPULLI SHQIPTAR LIRIDASHËS!
03 gusht 2025
Sadik Halitjaha