Sadik Halitjaha

Sadik Halitjaha: INCIDENTI KUFITAR I FUNDIT I SHKAKTUAR NGA SERBIA!

Plagosja dhe kidnapimi i një qytetari të Kosovës nga banda kriminale të Serbisë, brenda territorit të Kosovës, si dhe marrja e tij në Serbi para dy ditësh, tregon qartë armiqësinë e përhershme të Serbisë ndaj Kosovës dhe përpjekjet e vazhdueshme për t’i sulmuar, dëmtuar e shkelur sovranitetin e shtetit tonë.
Të vrasësh e të kidnaposh njerëz brenda Kosovës — qoftë dyqind metra, dy apo njëqind kilometra — është shkelje e sovranitetit!

Vrasja e dytë e presëvës, kapja e policëve tanë si dhe vrasja e fundit, tregojnë domosdoshmërinë që ushtria jonë të ruajë kufirin. Kjo duhet të bëhet me dijeninë dhe njoftimin e aleatëve dhe të KFOR-it.
Duhet bërë markimi i kufirit, përgatitje e vrojtorëve kufitare, si dhe vendosje pengesash që të mos lejohet kalimi i paligjshëm i kujtdo që tenton kalim të fshehtë.

Çdo kalim kufitar nga kushdo që tenton të hyjë pa ligj duhet të bëhet i pamundur kalimi!
Duhet caktuar grupe patrulluese, fillimisht së bashku me KFOR-in dhe policinë tonë; dhe, pas një kohe të shkurtër, me fuqizimin e radhëve ushtarake dhe rregullimin fizik të terrenit — me vrojtorë, fortifikime dhe pengesa (madje edhe me gjemba dhe mjete të tjera) që sigurojnë pamundësinë e kalimit.

Të fortifikohen pjesët që duhet dhe që do të jenë përherë të pakalueshme nga kalimtarët e fshehtë me qëllime armiqësore e të paligjshme.
Qartë duhet të bëjmë krahasime: si që është rasti i gjithë kufirit të Polonisë me Bjellorusinë dhe me shtetet e tjera në mbrojtje nga emigrantët.

Pse të mos mbrohemi ne nga sulmet, kur është e qartë se armiqtë nuk ndalen me fjalë, por me veprime?
Nëse duam një shtet të sigurt, si ato të shteteve të sigurta, duhet të shfrytëzojmë këtë rast — këtë gjendje që po përsëritet nga Serbia!

Serbia asnjëherë deri tani nuk ka dhënë llogari për asnjë rast. Edhe atëherë kur me qindra banda militare hynë në Banjskë, vranë policin tonë dhe plagosën të tjerë, si dhe tentuan të pushtonin pjesërisht apo tërësisht Kosovën — Serbia nuk u ndëshkua. As aleatet, as KFOR-i nuk i kërkuan llogari; nuk u mor asnjë masë penale.
As protesta zyrtare nga Kosova nuk është dërguar mjaftueshëm fuqishëm. Kosova nuk duhet pritur pa fund derisa e keqja të bëhet e pakthyeshme!

Jemi në raporte jo normale me Serbinë, të gjitha nga ana e saj — pra në armiqësi. Si mundet që Presidentja, me aq vakëti, ta kalojë këtë rast?
Duhet që ekipi të konstatojë vendin e ngjarjes dhe vendodhjen e qytetarit tonë. Komandantja e përgjithshme duhet të ketë guxim!

Kur saktë dihet kush e shkaktoi krimin, kush bëri shkeljen e vendit tonë, kush janë kidnapuesit dhe vrasësit që erdhën nga Serbia — Serbia është përgjegjëse; kjo botërisht është e njohur!
Pra, ku janë pushtetarët e Kosovës? Ku është KFOR-i? Ku janë institucionet e sigurisë dhe diplomacisë së Kosovës?

Shtetit i duhet siguria, integriteti, sovraniteti, pavarësia dhe mbrojtja — liria e qytetarëve në vendin e vet!
Zgjohuni nga apatia, o ju të miopët! Lëreni qarjet dhe përçarjet, sepse armiku nuk fle!
Shqiptarëve na duhet ribashkimi kombëtar — jo vetëm si dëshirë dhe aspiratë, por sepse koha dhe rrethanat e determinon si domosdoshmëri.

Rroftë Kosova e lirë!
Rroftë Bashkimi Kombëtar!

4 nëntor 2025
Sadik Halitjaha

Kontrolloni gjithashtu

Sadik Halitjaha: U SHUA NGA JETA FATOS NANO

U shua nga jeta Fatos Nano, reformatori i pluralizmit, politikani i skalitur që do ta …