Tema të tjera...
Ismet Sylejmani: Selia e BDI-së në Tetovë definitivisht është Seli Heroinë moderne shqiptare!
02/03/2026
Miku im i çmuar, Luan Mersim Rama,
E vlerësoj shumë shkrimin tënd të datës 02.03.2026, që e bëre në analizën:
“PSE NJERËZIT E MIRË NUK QËNDROJNË NË POLITIKË?”
Nëse politikën e konsiderojmë si artin e së mundshmes, atëherë duhet ta ndajmë politikën për liri e atdhe nga ajo për pushtet.
Nëse me politikë njerëzit duan të arrijnë karrierë apo të pasurohen duke pasur pushtet, në një politikë të tillë nuk të thuret nder e lavdi.
Nëse merresh me politikë pushtetare, duhet të heqësh dorë nga dinjiteti personal dhe të përshtatesh. Në politikë vendimet merren me përshtatshmëri dhe me shumë aktorë që nuk janë si ti, e ndonjëherë edhe kur ti mendon ndryshe.
Në politikë duhet të jesh i përshtatur me interesa e forca të ndryshme, qofshin ekonomike apo politike, nga oligarkë të brendshëm, miq apo armiq të jashtëm. Në politikë shpesh nuk mund të jesh vetvetja.
Për këto arsye dhe për shumë të tjera, njerëzit e mirë nuk qëndrojnë në politikën pushtetare.
Ndërsa në politikën atdhetare e çlirimtare, aty ka nder, aty ka lavdi. Ka shumë rreziqe, por për idealet e larta dhe qëllimet kombëtare je i gatshëm të sakrifikohesh dhe të mbetesh me lavdi, edhe nëse fiton amshimin dhe shkon në përjetësi.
Në këtë lloj politike, njeriu i mirë atdhetar, me dinjitet e ideale, nuk ka nevojë të tjetërsohet, por mbetet përherë vetvetja dhe udhëheq apo merr pjesë aktive me bindje dhe gatishmëri vepruese politike deri në flijim, për misionin dhe idealet e tij, që duhet t’i arrijë me politikë paqësore apo edhe me luftë.
Këto që i shkrova nuk i mora nga filozofë të mëdhenj apo politikanë të kohërave të ndryshme. Thjesht u bazova në vetveten time, dhe kështu të pashë edhe ty, vëlla. Ti, kur arritje në pikën që të tjetërsoheshe e ta humbisje dinjitetin, që të mos ishe vetvetja, u largove nga politika.
Beso se na ke gëzuar të gjithëve që të duam ashtu siç je.
Në kohën kur duhej bërë politikë atdhetare, ti nuk ishe pasiv, por dhe maksimumin. Pra, ti je njëri nga njerëzit e mirë që nuk qëndrojnë në politikë.
Nuk janë të mirë ata që u gëzohen privilegjeve që ua sjell politika, pasurimit pa djersë e pa të drejtë. Populli thotë: “Mos t’u bëftë bukë për familje politika!”
Vetëm ne ballkanasit gëzohemi t’i dominojmë të tjerët kur jemi në pushtet, të shtypim, të shfrytëzojmë e të pasurohemi. Ky është qëllimi i shumëkujt, por jo i njerëzve të mirë.
02.03.2026
Sadik Halitjaha
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
