Sadik Halitjaha

Sadik Halitjaha: NË MBËSHTETJE TË SESIONIT SHKENCOR PER REÇAKUN

Sesioni shkencor për Reçakun është i një rëndësie të veçantë shkencore dhe historike për ta memorizuar të kaluarën e afërt të një masakre, një ngjarje makabre që e shkaktoi Serbia me ushtrinë, milicinë dhe bandat paramilitare mbi popullin civil të paarmatosur e të pafajshëm.

Uroj të jenë zbardhur me syrin e mendjes dhe të zemrës shkaqet dhe arsyet e zhvillimit të kësaj ngjarjeje të pashembullt gjenocidale.
Krimi i shkaktuar pa nevojë, pa provokim, na lë të kuptojmë urrejtjen patologjike të armiqve shekullorë e të përhershëm serbo-sllavë.

Këta barbarë, të shtyrë nga kisha sllavo-ortodokse, nga akademitë kriminale të llojit Ilija Garashaninit dhe Vasa Çubrilloviqit, elaboratet e tyre famëkeqe shoviniste. Këta, të turrur nga qëllimi pushtues dhe okupator, donin ta zhduknin nga faqja e dheut shqiptarin dhe marrjen me pushtim të tokave të shqiptarëve autoktonë.

Masakra, krimi gjenocidal gjatë luftës çlirimtare të fundit në Kosovë, tregoi hegjemoninë e tejdukshme të shovinëve serbë pansllavë. Mënyra e veprimeve barbare pati për qëllim jo vetëm vrasjet, masakrimet e të vdekurve nga dora e zezë serbe, por edhe frikësimin dhe ndikimin mbi të gjallët, që të mos guxonin të jetonin në trojet e tyre.

Të gjitha veprimet serbe japin tablonë e qartë të krimit kundër njerëzimit dhe të gjenocidit mbi shqiptarët, me masakra, dëbime e dhunime që i shkaktuan në Kosovë dhe viset shqiptare të okupuara, që deshën t’i zhduknin me gjenocid, ekocid, kulturocid.

Masakra e Reçakut dhe e burgut në Dubravë ishin nga urdhrat më të larta shtetërore, nga Nikolla Shahinoviqi dhe Nebojsha Pavkoviqi; përgjegjësinë sot e gjithmonë e bart shteti serb.

Kemi gjetur dokumente dhe harta nga komanda e tyre, si dhe urdhra makabër, të panjohura për njerëzimin, si ajo e gjeneral-majorit, komandantit të brigadës pushtuese në Prizren, ku thotë me urdhrin e tij:
“Ubite sve što mrda na ovoj zemlji, osim Srba!”
që do të thotë: Mbytni çdo gjë që lëviz mbi këtë tokë, pos serbëve!

Si dhe hartat në të cilat përkufizojnë fshatrat me një vulë të madhe në mes ku shkruante:
“Da se uništavaju!”
që do të thotë: Të asgjësohen!
Korisha, Grejkoci, Gjinoci, Bllaca e Reçaku. Për fshatra të tjera nuk i kemi gjetur.

Me siguri këta kanë pasur shumë urrejtje ndaj fshatrave kryengritëse të kohërave të ndryshme ndaj pushtuesve serbë, siç ishin Ilaz Qorri, Imer Devetaku, familja Syla e Ahmet Shtimja. Janë të njohura luftërat në Kabash, Grejkoc, Gjinoc e në Bllacë.

Këto fshatra etnikisht shqiptare më lehtë do t’i shfarosnin pa dëme kolaterale të banorëve jo shqiptarë. Edhe diçka e rriti këtë qëllim të tyre, sepse UÇK-ja vendosej fillimisht në fshatrat e papërziera me popullatë jo shqiptare.

Grabitja kohore e Reçakut ka qenë sipas strategjisë së tyre “kafshata më e lehtë”, sepse kanë pasur më shumë se dy muaj koncentrim të forcave serbe te Pishat dhe te Podi i Gështenjave. Pastaj kanë shfrytëzuar acarin, kohën e dimrit, 15 janarin, sepse historikisht ekspeditat çetnike serbe me sulmet mbi shqiptarët janë bërë dimrave.

Këtu, këtij sesioni, uroj të mos i kenë munguar të dhënat e protagonistëve të ngjarjeve dhe të drejtuesve të rezistencës luftarake të UÇK-së, të cilët me luftëtarët tanë u dolën në ndihmë popullatës civile që i shpëtuan nga falanga armike, duke i tërhequr dhe mbrojtur me zjarr nga armiqtë. Popullata u vendos në Devetak, Raçë, Petrovë, Mallopolc e Llanishtë, disa nëpër shtëpi, disa nën tenda.

Uroj të jetë çmuar në këtë sesion lufta e UÇK-së dhe sakrifica e pamatshme e saj në ruajtjen, mbrojtjen dhe argumentimin para opinionit botëror të kufomave dhe për masakrën që e bëri shteti serb. Kontribut i madh dhe i veçantë i Fehmi Mujotës, që me shumë përpjekje i solli vëzhguesit e OSBE-së në krye me William Walker-in, i cili dha lajmin alarm për botën demokratike se këtu në Kosovë bëhet krim kundër njerëzimit. U postuan fotot e 45 të masakruarve dhe u dha lajm në Radion Kosova e Lirë, e përgatitur nga drejtori i saj Ahmet Qeriqi, i cili sqaroi me protagonizmin e tij se çka ndodhi në Reçak dhe vazhdimisht shpërfaqi rezistencën e luftëtarëve për katër ditë radhazi.

Në këtë luftë për Reçakun morën pjesë rreth 350 luftëtarë përballë një brigade të kompletuar e të motorizuar me të gjitha armët dhe teknikat e luftës. Kontributi i UÇK-së është i pamatshëm në ruajtjen dhe argumentimin e kufomave, ruajtjen dhe mbrojtjen e popullatës civile të fshatit Reçak dhe të fshatrave përreth. Me çdo çmim, UÇK-ja mbrojti pozicionet e veta duke i shkaktuar humbje armikut në njerëz dhe teknikë luftarake: rreth 22 armiq dhe një autoblindë, një kamion ushtrie dhe një tank.

Armiqtë, në momentin kur u goditën edhe mbrapa shpine nga njësia jonë speciale e Arbrit me minahedhës dhe të gjitha armët që posedonim, atëherë përfundimisht u tërhoqën të mundur në luftime.

Ndarja, abstragimi dhe mohimi i rolit të UÇK-së, nuk duhet bërë për asnjë çmim. Sado që përpiqen ta imponojnë idenë se të flasim e t’i paraqesim vetëm viktimat, faji më i madh do t’u mbetet armiqve. Kjo teori të çon në theqafje, sikur ata barbarë prenë e vranë derisa u ngopën dhe shkuan.

Ne urrë e butë u sollëm, sepse jemi engjëj dhe asi të fesë së re që nuk prekim armë me dorë. Shkelja, me hir apo pahir, e vlerave të luftës së UÇK-së, nuk guxon të bëhet. Kjo do të ishte antikombëtarizëm dhe tradhti ndaj gjakut të dëshmorëve që në këtë betejë ranë 11 dëshmorë, në krye me komandantin e paepur të Brigadës 161, Ahmet Kaqiku.

Lavdi dëshmorëve, lavdi e nderim luftëtarëve të UÇK-së!
Respekt dhe nderim e dhimbje për viktimat!
Respekt për intelektualët e Shtimjes: Ruzhdi Jasharin, Fehmi Mujotën, e të tjerë, për angazhimin në këtë sesion shkencor. I përgëzoj dhe falënderoj të gjithë ata që dhanë sado pak kontribut në zbardhjen dhe memorizimin e kësaj ngjarjeje. Respekt Epir Qeriqi

21 janar 2026
Sadik Halitjaha

Kontrolloni gjithashtu

Mr.Ali Hertica

Mr.Ali Hertica: Kuptoni të tashmen, filloni me të kaluarën në Kosovë

Partitë politike po bëjnë fushatë me një ton gjithnjë e më të mprehtë,që nga Kushtetuta …