Sadik Halitjaha

Sadik Halitjaha: PEZULLIMI I PËRKOHSHËM I DIALOGUT STRATEGJIK NGA AMERIKA

Gëzim apo hidhërim?! Kush u gëzua e kush u hidhërua?!

Kosova vërtet ka krizë të brendshme, por çka bëri kundër Amerikës? Më drejt me e thënë: përse duhet të hidhërohet Amerika?!
Ku janë prekur apo cenuar interesat e Amerikës në ekonomi, siguri, strategji apo gjeostrategji?

Nuk kisha dashur të merrem me vendimet amerikane – ata i dinë punët e tyre. Edhe ne besojmë shumë se ata e dinë kah duhet, si duhet, kur duhet dhe çka duhet. Nuk e humbim kurrë besimin ndaj Amerikës.
Aleate e përhershme dhe e pazëvendësueshme për ne shqiptarët, jemi me fat dhe krenarë që jemi të rreshtuar në kolonën pas Amerikës, Anglisë dhe NATO-s.

Vetëm po pyes: pse pikërisht tani?
Amerika nuk ka thënë asgjë më shumë, pos që e pezullon përkohësisht dialogun strategjik me Kosovën!
Shyqyr që nuk kanë thënë se po i shkëputim marrëdhëniet me Kosovën për ndonjë gabim, faj apo dëm që Kosova i ka bërë Amerikës!
Unë kurrë nuk besoj se Kosova ndonjëherë do t’i bëjë ndonjë të keqe Amerikës!

Ashtu siç e kemi aleat, është dashur të na e trasojë dhe të na tregojë rrugët që përputhen me planet dhe strategjinë e saj. Nëse ne nuk do ta dëgjonim, nuk do ta respektonim e madje do ta refuzonim, atëherë do të kishte të drejtë plotësisht!
Nëse ne gabojmë në hapa, të na këshillojë, jo të na penalizojë.

Nëse i kemi prishur punë me Serbinë, “dashnoren e re” të saj, e cila po flirton me Rusinë dhe Kinën, Amerika duhet të na thoshte: “Mos mi trembni pulat.”

Nëse na ngarkon me obligime ndaj Amerikës, të gjitha i përmbushim. Edhe pse nuk kemi raketa e armë bërthamore, nuk do ta kursenim gjakun tonë.
Nëse do ta provonin SHBA-të ta nxirrnin në referendum, 90% do të votonim që jemi me Amerikën. Nëse do të deklaroheshim me referendum të bëhemi shtet i Amerikës, mbi 70% do të votonin pro.

Ama të jemi shtet i pavarur e sovran dhe të mos kemi udhëheqësi që vendos vet, kjo sikur nuk ka logjikë e as mënyrë tjetër!
Nëse po e rrah samarin, se nuk ka çka i bën gomarit, disi kështu duket. Apo për hatër të Serbisë po e shtrëngon Kosovën?!

Nëse donë të i japim diçka Serbisë për hatër të Amerikës, nuk është e drejtë!
Nëse na tregon Amerika çka i detyrohemi, do t’ia kthejmë të gjitha detyrimet për ta ruajtur Aleancën. Vërtet ne duam të jemi aleat besnik, me krejt mundësitë që kemi, pa e kursyer as jetën për SHBA-në!

Por në radhë të parë jemi shqiptarë dhe vdesim për shqiptarin para se të vdesim për Amerikën!

E kuptoj se pezullimi i dialogut strategjik e ka gëzuar Serbinë dhe Vuçiçin!
Si ta kuptoj pse gëzohen kaq shumë liderët e partive në Kosovë? Gëzohen gazetarë e analistë (banalistë) me plot hare dhe zgërdhihen duke u kënaqur, se i është dhënë një shuplakë Albinit. Por unë mendoj se trysnia dhe pasojat bien mbi Kosovën!

Ndoshta kjo ju erdhi si shiu në shkretëtirë, bash në fushatat zgjedhore lokale, por Amerika i ka agjendat e veta që duhet të përputhen me rrethanat.

Për mua botërisht dihet se jam votues i kësaj opozite, sepse hapur përherë votoj. Pra, nuk jam me Kurtin, as me Dimal Basha, as me Donika Gërvallen e Hekuran Muratin. Por jam dhe do të jem përherë me popullin dhe për popullin!

Ndërsa këta miopët e opozitës nuk e kanë dert që ky pezullim i dialogut strategjik dëmton shumë Kosovën, në radhë të parë për sigurinë e shtetit tonë, pikërisht në këtë kohë që janë zjarret e luftës afër në Europë, dhe është shumë e mundshme të vijë lufta edhe në Ballkan. Dodik publikisht po proklamon një situatë të rrezikshme shumë të afërt!
Këta, vetëm për një grusht vota, kënaqen duke e viktimizuar Kosovën për inat të Albin Kurtit!

Opozita, duke mos pasur asnjë moto, asnjë kauzë që ta rrëzojë Kurtin, kërkon t’i ndihmojë Amerika!
Arsyeja e vërtetë: Kurti vërtet në diplomaci është treguar i paaftë, sidomos me miqtë!

Si nuk ju vjen turp opozitës të mos bëjë asgjë, të mos gjejë kauza e mënyra, por vetëm të presë në pasivitet që t’i vijë pushteti!
Këta i bashkohen kënaqësisë së Serbisë dhe pakënaqësisë së Listës Serbe. I gëzohen pezullimit të dialogut strategjik nga Amerika, vetëm ta mundin Kurtin, pa u lodhur fare që t’ju vijë pushteti në pjatë!

Duhet të mundet VV-ja me meritë, jo me pushkë të Hajdaragës e me ndërskamca!
Të bëhemi bashkë të gjithë për Kosovën, ta bashkojmë kombin dhe tokat shqiptare. Do ta kemi peshën e madhe e reale karshi të tjerëve dhe karshi armiqve!

Sa do që “banalistët” çirren se Rugova krijoi aleancë me SHBA-në, shtrohet pyetja: kush ishte para e pas Rugovës? A thua vetëm pse bëri me gisht kah Amerika Rugova? Apo vetëm pse thoshte “Zoti e bekoftë Amerikën” ishte profet Rugova? Cila ishte pesha e Kosovës në ato vite?!

Amerika ishte mike dhe shpëtimtarja e shqiptarëve që nga George Washington-i!
Aleancat lidhen mes shteteve për qëllime e interesa të ndryshme politike, të sigurisë, strategjike e gjeostrategjike, duke ruajtur parime e partneritet. Jo për dashninë mes tyre, jo për krushkët mes tyre!

Kosova atëherë, kur ishte Rugova, nuk ishte shtet. Ndoshta kurrë nuk do të ishte si pas angazhimeve utopiste e pacifiste të tij!
Aleanca me Anglinë e SHBA-në u lidh në Londër, në prag të luftës së UÇK-së.
Diplomatët e UÇK-së dhe shteti amë – Shqipëria – bënë aleancë. Edhe tani, po mos të ishte Shqipëria, Kosova me këta “liderucë” nuk do të mund të mbante asnjë aleancë e asnjë aleat!

Popull i dashur, bashkimi kombëtar është më i domosdoshëm se kurrë më parë.
Kjo bëhet nga opinga e popullit, mos të presim nga liderët!
Të bashkohemi rreth kësaj kauze të patjetërsueshme, të ngjitemi dhe ta bëjmë bashkimin e shqiptarëve në tokat tona autoktone arbërore me çdo mënyrë e përpjekje!

Besoj se do të dalin liderë të rinj të fortë kombëtarë. Me siguri do të kemi edhe përkrahjen e Anglisë dhe të Amerikës, si dhe të botës demokratike e liridashëse.

Rroftë populli shqiptar i lirë dhe i bashkuar!
Rroftë UÇK!

13 shtator 2025
Sadik Halitjaha

Kontrolloni gjithashtu

Prof. Dr. Jeton Kelmendi: ATY KU EKSTREMI BËHET NORMË – SHOQËRIA PO TË SHPËRBLEN

Prof. Jeton Kelmendi PhD: Kosovën e udhëheq zonja më pak se gjysmëpresidente

Në çdo demokraci moderne, roli i presidentit është të mishërojë unitetin e kombit. Presidenti nuk …