Titoistët dhe bashkëpunëtorët e tyre i kanë interpretuar gjithnjë ngjarjet në mënyrë që “me një gur të vrasin dy zogj”. Kanë arritur që, përmes propagandës së tyre, ta fajësojnë Shqipërinë, sikur ajo të kishte qenë e përfshirë bashkë me jugosllavët në organizimin dhe mobilizimin e kosovarëve.
Sa absurde kjo, kur botërisht dihet se mobilizimin e bënte OZNA, duke përzgjedhur shqiptarët nacionalistë, të papajtuar me ripushtimin e Kosovës!
Me propagandën mashtruese – se gjoja po i dërgonin të mobilizuar në ndjekje të fashizmit – u krijua një iluzion i rremë. Shqipëria e kishte besuar se kosovarët po kalonin nëpër territorin e saj, drejt Malit të Zi, për të vazhduar më tej në Kroaci e Slloveni, ku pretendohej se ende kishte mbetje të fashizmit.
Në këto rrethana, Shefqet Peçi mbajti një fjalim në Shkodër para këtyre marshuesve, duke u uruar fitore mbi fashizmin. Por këta të mashtruar, sapo mbërritën në Tivar, u pushkatuan me mijëra.
Më pas, për 50 vite, jugosllavët titoistë propaganduan, edhe përmes shqipfolësve: “Pse nuk ndërhyri Shqipëria?”, duke pretenduar se Shqipëria e dinte që po shkonin në kasaphan. Madje u përhap edhe ideja se gjatë rrugëtimit, kosovarët nuk guxonin të shkëputeshin nga kolona, sepse do të vriteshin nga shqiptarët e Shqipërisë, duke u konsideruar dezertorë.
Kjo propagandë – më saktë, kjo rrenë – përdoret edhe sot dhe besohet nga naivët, sepse vazhdon të përforcohet nga titoistët dhe pasardhësit e tyre.
Unë kam intervistuar dhe biseduar me shumë nga njerëzit e këtij marshimi, si dhe me tre anëtarë të familjes sime që e kanë përjetuar atë dhe e kanë parë këtë masakër.
Profesori Ahmet Qeriqi na sjell në këtë shkrim argumente të fuqishme dhe një interpretim ndër më të mirët. Respekt për punën e palodhur të autorit. Lavdi veprës dhe jetës së çlirimtarit dhe shkrimtarit, prof. Ahmet Qeriqi.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
