Njohësit e fushës së ekonomisë kanë tërhequr vërejtjen se për shkak të mosratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare për shkak të moskonstituimit të Kuvendit, Kosova ka humbur rreth 1 miliard e 200 milion euro. “Po e them me keqardhje që dëmet aktuale janë pothuajse afër një miliard e 200 milionë euro, duke përfshirë afër 830 milionë euro që kanë të bëjnë me IPA fondet 2 dhe 3, që kanë të bëjnë me agjendën për reforma të Bashkimit Evropian, me projekte të financuara nga SHBA-ja dhe kur krejt kësaj i shtohet fakti që kemi dy marrëveshje të paratifikuara me Bankën Botërore prej 230 milionë eurosh, e treta është 90 milionë euro dhe ato janë të ngrira, atëherë paramendoni cilat janë dëmet që po i shkaktohen Kosovës. Sot në Bruksel nuk flitet për Kosovën, sot për Kosovën po dominon një heshtje në qarqet evropiane dhe kjo është më e keqja që mund t’i ndodhë Kosovës” ka thënë për Ekonomia Online, eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu.
