leoni

Safet Hyseni: Metaforë e menduar në qetësinë e mendjes që vallëzon me erën nëpërmjet valëve të shpirtit

(Një vështrim mbi librin më të ri të Kaltrina VB Hoti “Mos e prek”)

 Duke lexuar librin më të ri të shkrimtares, Kaltrina Hoti s’ke si të mos nxitohesh e të thuash, se arti dhe mendimi mund të bëhen bashkudhëtar të denjë në një ide hyjnore, siç është atdhedashuria. Në këtë libër të ri, ku avancon stilin e të shkruarit, shpirti i pastër e zemra që rreh për atdhe kanë futur në valle prozën dhe poezinë me aq mjeshtëri dhe art ku lexuesi përveç kënaqësisë, merr dhe përgjegjësinë për të hyjnizuar dashurinë ndaj atdheut. “Porta jonë sot është lehtë të ndërtohet, është aty para syve tonë, vetëm duhet t’i mbledhim  fjalët e para dhe t’i bashkojmë me dëshirën e vjetër, me duart e sotme që nuk kërkojnë shpatë as mbrojtëse”, thotë ajo në Porta Etnike.

Paraqitja e tillë, me sa duket, është edhe qëllimi i hedhjes së kësaj proze për ndërgjegjësim dhe përgjegjësi ndaj dritës dhe frymës, ndaj natyrës dhe atdheut, ndaj gjuhës dhe dashurisë… Duke lexuar prozën e autores përveç kënaqësisë që përjeton nga arti, lehtë e kupton se të  shkruash nuk është hapi i parë i një shkrimtari, as të meditosh.., por së pari duhet ta mundësh të keqen brenda vetes që të ndërgjegjësosh, kënaqësh e mrekullosh lexuesin dhe me këtë të ndihesh i dobishëm në vazhdimësi. Jo vetëm kjo, por edhe mënyra se si autorja e shkruan prozën dëshmon se; poezinë dhe prozën i ndan një qime floku kur thjeshtësia e burimit; shpirti, që me këtë rast është tejet i bardhë, zemra ajo që rreh shpejt për të ruajt rrugët e dashurisë si dhe qendra e përpunimit të idesë truri, bashkërendisin ndjenjën dhe çiltërsinë në letër të bardhë. “Sot, dua të të them, o miku im. Dashuria është fuqi më vete. Është e butë e të grith. E nxehtë, mund të digjesh!” Citat nga proza “Dashuria është fuqi me vete që mund ta marrësh edhe si poezi.

Libri i titulluar “Mos e prek” është vazhdimësia e pesë librave të tjerë në gjuhën shqipe, që autorja na i ka sjell, por që dallon për cilësinë e prozës së shkurtër, idenë e kësaj proze, veshjen me art, gjetjen e fjalës me peshë dhe metaforës popullore. Për dallim nga librat tjerë, kësaj radhe ajo na befason me cilësinë e prozës së shkurtër, shtjellimin e saj dhe ruajtjen e temës së dashurisë në 27 titujt, që japin dhe marrin nga njëra-tjetra për të na mrekulluar ideja atdhetare, kuvendi i fjalës, tryeza e fisnikërisë, dashuria si madhështi e tokës ku ka lindur, si dhe shkëlqimi i artit në brendësi. Në këto tregime të shkurtra filozofike shkrimtarja ka depërtuar në thellësi të mendimit popullor, mendim i emancipuar në shekuj, për të na bindur për vlerat e trashëguara nga lashtësia të bartura me shumë kujdes në kuvende që nga Teuta e deri në ditët e sotme. Këto vlera, ajo na i radhit me shumë kujdes e dashuri për të na bindur se janë dritë në udhën tonë, udhë e përbashkët. Me këtë rast më duhet të them se gurra e pashterur popullore ka hasur në një mendje atdhetare me një profil të veçantë krijues që na bënë ta lexojmë e rilexojmë për botëkuptimin e ri për të ardhmen që mbështetet vetëm tek dituria, kultura dhe arti. Se, Atdheu dhe dashuria për vendin, gjuhën, kulturën traditën janë edhe tek shpirti i shqiptarit të mërguar e hasim nëpër prozat e saja; “Një gjuhë flasim”, “Sa bukur tingëllon gjuha ime” nga të cilat lexuesi përmbush mungesën si pjesë e jetës në mërgim. Duke filluar më prozën “Porta etnike” që është një mendim tejet i lartësuar, ku në mënyrë simbolike autorja na fton që me dashuri, sinqeritet e shpirt të pastër, çdo ditë të vendojmë nga një gur për të ngrit atë “portë” që do jetë liri e përgjithshme e një populli të kufizuar nga të gjitha anët me vetveten.  Prozat; “Sa e njohim veten?”, “Fjala e gjallë”, “Pritja”, Heshtja”, “Miku im” por jo vetëm këto, janë që shquhen për metaforën dhe fuqinë e fjalës.

Për autoren e librit “Mos e prek” mund të thuhet shumë, por më e mira është se po të  fillosh ta lexosh ajo të nënshtron dhe të bënë ta ndjekësh në çdo fjalë e varg për të thithë më të mirën e njerëzores.  Qëllimi i saj si duket është të krijoj te çdonjëri ndjenjën e qytetërimin e të dashurisë ndaj njeriut, rrethit, natyrës, kombit. Është aftësia e saj që të bënë ta shikosh ndryshe botën, të gjesh rrugë për ta ndryshuar në të mirë të njerëzimit. Dihet se shkrimtari kur shkruan ka një shkak, ai gjithsesi me lojën e fjalëve dhe arsyetimin a vargut donë të emancipojë mendimin, shoqërinë, gjuhën, kombin.  Qëllimi i tij është që egërsia që ekziston tek çdo njëri të zbutet për një ardhmëri më të mirë, e me këtë rast, ajo thirret në tryezën e lashtë, kullën, besën, fjalën që t’i gdhendim me laps e t’iu japim ngjyrën me brushë, se kjo është mënyra më ë mirë për të zënë diturin. Një popull i ditur rrugën e bashkimit e gjen vetë, pa asnjë plumb shprehet autorja.

Poezia në këtë libër është e ndarë në tre cikle. Për dallim nga veprat tjera, ku ajo ka arrit të krijojë stilin e vetë të lirë dhe ku luan magjishëm me bukurin e fjalës dhe fuqinë e saj në këtë vepër që është një kombinim i prozës dhe poezisë dëshmon për talentin e pakufishëm në pushtimin e hapësirave të shumta. Ajo me fjalën e bukur dhe mënyrën se si e përcjellë bënë joshjen e lexuesit deri në thellësi të shpirtit, kthjellim dhe përvetësim të të mirave që ofron atdheu, për ndërtimin e identitetit dhe ushqimin që duhet të ketë në tryezën e madhe të dashurisë njerëzore. Të shkruash poezinë si Kaltrina nuk është lehtë, duhet të kesh përjetuar dashurinë, mërgimin, vuajtjen, robërinë…

Poezitë janë të ndara në tre cikle por që komunikojnë bukur dhe pandalshëm me njëra tjetrën nëpërmes dashurisë, fuqisë së fjalës, ngjyrës… ku ajo me shumë kujdes i ruan, kështu që kapërcimi nga njëri cikël në tjetrin as që hetohet. Stili i ri i lehtë, i thellë në mendim të le përshtypjen se krijohet në një univers tjetër sa joshës aq dhe i dobishëm bardhësi shpirti, dashuri zemre dhe kthjellim mendimi. Poezitë rrjedhin si një ujëvarë ku vetëm me shikim shkuma e saj të freskon edhe në largësi. E gjitha kjo valëzon nëpër tre ciklet ku sërish kemi atë lojën e fjalës me mendimin atdhe, dashuri, identitet, lojë në kërkim të lirisë së plot. Trinom që bëjnë jetë së bashku në tryezën e jetës, por që ia bëjnë më sy përjetësisë. Në këtë vepër, autorja ka avancuar mendimin rreth atdheut si shtrat i jetës, dashurisë si sublime e shpirtit dhe identitetit si domosdoshmëri për të përjetësuar e plotësuar detyrimet ndaj së parës dhe për të jetuar të dytën. E para jeta e dyta përjetësia.

Kaltrina në këtë vepër është duke përjetësuar origjinalin me mesazhin se të shkruash sot, do të thotë të lexosh nesër, origjinaliteti i saj është ruajt nga veprat e para por tani udhëton drejt një stili që unë do e quaj “kaltrinizëm”. Këtë e them në kombinimin e prozës me poezinë, mënyrën e komunikimit poet me poet, ku ajo ruan kulturën por duke u thirr në vlerat e lashta të një populli të lashtë. Në këtë komunikim ajo nuk i frikohet konkurrencës në art, arti s’ka korniza, përparësi e saj është përvetësimi i kulturave të ndryshme, brusha, ngjyrat që shumë lehtë i bart tek vargu. Mesazhi  është autokton, i marr nga tryeza e kuvendit te Arbrit, i kuptueshëm, por veçantia është se ajo në mënyrën tejet të kulturuar thotë larg, larg kopshtit të huaj kur ju keni një kopsht që edhe dy jetë me pas nuk mund t’ia vjelni të mirat, do mahnitej nga ngjyrat dhe do dehej me aromën. Është kjo simbolikë e rrallë e një mundimtareje të madhe, kur dihet se poetët janë paraprijës të asaj që do vije më vonë, apo të asaj që ne duhet ta sjellim si hyjnore. Hyjnorja e saj në këtë vepër është atdheu dhe dashuria, por siç thotë autorja; së pari kërkojnë një identitet të ndërtuar bukur.  Identitet që të respektosh e ngritësh “Portën etnike” që është në ciklin e parë të titulluar; “Nesër është sot”. Do mjaftonin vetëm pak vargje nga kjo poezi që të detyrojnë t’i rilexosh disa herë. “Neve na bashkon kënga dhe zëri i lahutës/vargu i poetit/nderi dhe lutja për Dodonën/piktura dhe loti i fëmijës”; goditje malli, dashurie për ta bërë Lirin nuse.

Ky cikël, sa abstrakt i emëruar ka një qëllim dhe një nxitim që nuk lejon e sotmja të mungoj, por e nesërmja të na detyrojë në drejtim të së ardhmes. Mes fjalës në varg ajo komunikon me bujarin, fisnikërinë, fjalën si peng, besën dhe simbolet e atdheut për të ndërtuar atë Portë e cila neve na mungon. E gjithë kjo ka një lidhshmëria në fuqinë e fjalës, besën, shpirtin e pastër dhe zemrën që rreh për dashuri në ciklin e dytë “Kur nata palohet”. Në këtë cikël autorja i jep dimensionin shpirtëror dashurisë si ne imagjinatë, ashtu dhe në përjetim. Dashuria është një emër që rrjedh nga shpirti e komunikon me zemër, ajo nuk ka mbiemër. “vjen pa pritur/troket pa tingull/të bënë frymë të lehtë/që kërkon pran melodisë së zemrës të pushon,/nuk e din kur fillon,/nuk e din a ka fund,/derdhesh nëpër valët e saj/dhe pret të bëhesh puthje e kërkuar/dashuria… /nuk ka mbiemër”, vargje të poezisë “Pa mbiemër”. Në ciklin e tretë “Mos e prek” kemi disa perla që dëshmojnë për talentin e saj dhe ajo çka është dhe do mbetet vlerë identiteti i artit dhe ai i trashëguari i një populli të lashtë siç janë shqiptarët. Mjaftojnë vetëm vargjet e pozisë “Unë jam jetë” për t’u futur në atë kopshtë që të shijosh e vjelësh gjithë frutat e jetës. Unë jam jetë! /po…/jam lodhë nga kjo hije /largohu o fjalë e kalbur /derisa bota rrotullohet /ne i shkelim leckat e fjalëve të dhunuara /nuk jam femër e mbuluar /as popull i vuajtur /nuk jam i shkelur /jam ujë /që rrjedhe nga muret e kullave/dritë/që e shndërit të pa parën /natë /që ruan legjendën e përsëritur /baltë /që krijojë skulpturën e të ardhmes /gjethe /që jep jetë /qiell/që hapet me dorën e të bukurës /lot /që sjellë shpresë/buzëqeshje /që kërkon amsh /dashuri /që flenë në retë e bardha /jam shqiptar, bëhem botë/jam shqiptare, dashuroj botën/unë jam jetë!

Poezia është art që flet me ndjenjën dhe atë që të mungon. Poezia lexohet për ta shijuar, por kur ajo të jep frymë e shkëlqim në sy, dita rrjedh me buzëqeshje.

Poezia është fjala e bukur e një ndjenje që ka humbur turpin. Ajo është metaforë e menduar në qetësinë e mendjes dhe dallgët e shpirtit. Vargu i Kaltrinës të bënë të ndihesh i lehtë dhe i lumtur.

Safet Hyseni

Amerikë, korrik 2017

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Në vazhdim të realizimit të projektit për botimin e monografisë për dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare …