Ish deputetja Sala Berisha Shala ka reaguar ashpër ndaj krizës së vazhdueshme institucionale në Kuvendin e Kosovës, duke e cilësuar si “cirk politik” pamundësinë për të konstituar Kuvendin edhe pas 27 tentativave. Ajo ironizoi faktin se brenda 24 orëve u arrit një marrëveshje për të mos e zhvilluar seancën ditën e Kurban Bajramit, ndërkohë që për më shumë se 100 ditë nuk ka pasur asnjë marrëveshje për çështje jetike për vendin. “Brenda 24 orësh, një ‘mrekulli e dialogut’ u realizua. Por ka mbi 100 ditë që nuk po merren vesh për të zhbllokuar Kuvendin, për të votuar ligje, për të funksionalizuar shtetin. Tani pritet të vazhdojë seria e 27-të e cirkut në Kuvend,” shkroi ajo. Berisha Shala theksoi se të gjitha partitë, pa dallim ideologjie, gjetën gjuhën e përbashkët – jo për të miratuar ligje për qytetarët, por për të ruajtur komoditetin e tyre institucional në një ditë feste. “Kjo që po ndodh është shfaqja më e pastër e hipokrizisë institucionale. Kuvendi është i bllokuar jo për shkak të ndonjë parimi demokratik, por për shkak të kalkulimeve personale, arrogancës dhe mungesës së vullnetit për shtet.” Bllokada nuk është teknike, por e qëllimshme dhe se qytetarët po e shohin çdo ditë se “kur donë, merren vesh – por kur duhet, nuk merren dot vesh”.
