Ish-kryetari i PD-së, Sali Berisha ka marrë pjesë për herë të parë në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike që prej pezullimit dhe përjashtimit të tij. Në një komunikim me gazetarët pas mbledhjes, Berisha i ka kthyer përgjigje kryetarit të Grupit Parlamentar te PD-së, Enkelejd Alibeaj, i cili u shpreh më herët se Berisha nuk është pjesë e Grupit Parlamentar. Berisha tha se e cilëson ‘zero’ vendimin e marrë nga kryetari i larguar, Lulzim Basha. Kërkesës për të bërë një hap pas, ish kreu i PD-së iu përgjigj duke thënë se ‘të krahasosh fituesin me humbësin është një gabim i madh logjik’. Për deklaratën se në PD nuk mund të ketë persona ‘non grata’ Berisha, tha se për këtë çështje ka folur anëtarësia e partisë. Berisha u pezullua si anëtar i PD në shtator 2021, pasi ishte shpallur ‘non grata’ nga SHBA dhe më pas në janar 2022 u përjashtua nga partia pak pas Kongresit të thirrur prej tij, raporton Euronews Albania.
