Sali Onuzi: Beteja e Lumës e vitit 1912 në informacionet e diplomatit austro-hungarez, Oskar Prohaska

Pasi nuk ishte përmendur në asnjë botim zyrtar të mëparshëm,më 2002 botimi akademik i “  Historisë se popullit shqiptar” shënonte me parë shtypjen se qëndresën e 2000 lumjanëve kundër forcave serbe në nëntor 1912, pa thënë asnjë tjetër fjalë për një betejë të zhvilluar e  të fituar prej tyre. Por e vërteta zhytet e nuk mbytet, sic thotë populli.

 Më 2012, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë,   Instituti i Historisë  botoi veprën dokumentare në 6 vëllime “ Shqipëria në dokumentet Austro-hungareze.(1912)” përgatitur dhe redaktuar nga akademik i asocuar Maranglen Verli dhe dr. Ledia Dushku. Në këtë vëllim janë përfshirë  dy informacione ( telegrame)  që konsulli i Perandorisë Austro-hungareze, Oskar Prochaska i dërgonte Vjenës ato ditë nëntori 1912 dhe që flasin qartë për luftë, madje “ luftë të ashpër”, e të përgjakshme” dhe “ për humbje të mëdha të serbëve,” që i ka detyruar të thërrasin për ndihmë të gjithë forcat e tyre.

Konsulli Prochaska nga Prizreni shkruante me 13 nëntor : ”  Thuhet se Ushtria serbe këtu, nga Prizreni (S.O) do të shkojë në Shëngjin .Ushtarët ,(duhet te jete fjala për ushtarët osmanë  të Xhavit Pashës  që u terhoqen nga Gjakova më 4 nëntor pa luftuar .shënim im) të cilët më 5 të këtij muaji ishin nisur për  në Lumë, me 7 të këtij muaji u kthyen nga Dibra e madhe .Me 8 filloi të shkrijë bora dhe ushtarët u nisën përsëri. Deri tani kanë shkuar 12 batalione  dhe pak kavaleri. Deri dje, kur ata hynë në Bicaj, nuk hasën në kundërshtim. Malësorët katolikë u dorëzuan me këshillën e Preng Bib Dodës. Serbët fituan sepse nuk kishte kush t’i kundërshtonte”.

Prochaska na njofton se nga Prizreni kanë dalë 12 batalione.Kjo nuk do të thotë se 12 batalionet  kishin hyrë në Bicaj.Këto batalione  kanë  filluar të dalin nga Prizreni që nga data 9 nëntor .Ata janë nisur në dy drejtime, njëri për Mirditë ( që kaloi ne krahun e djathtë të Drinit të Bardhë dhe te Ura e Vezirit e që përbëhej nga 6 batalione(sic shënon vetë historiografia jugosllave. B. Ratkovic) ,dhe pjesa tjetër  për në Lumë.Kur  Prochaska shkruan “ nuk hasën në  kundërshtim” e ka fjalën për të dy drejtimet,si  për atë të Lumës,  dhe për grupimin e Adriatikut   që kaloi nëpër Mirditë. Ushtarët e të dy drejtimeve ishin të Divizionit “ Shumadija I”,të bazuar në Prizren. Në Gjakovë ishte bazuar Divizioni  serb “ Drina II”.

Datën e fillimit te betejës, edhe Prochaska e jep më 15 nëntor  në telegramin e tij të datës  27 nëntor.Sipas tij forcat serbe  kishin hyrë në Bicaj me datë 12 nëntor pa hasur në kundërshtim. ( nga raporti i datës 13 nëntor) Por me 15 nëntor “lumjanët kishin  ngritur krye papritur e pa kujtuar “ ( raport  i datës 27 nëntor ) Kjo  vërteton tërheqjen mjeshtërore në kurth të reparteve serbe nga lumjanët dhe goditjen e tyre në befasi..” Lufta,vijon konsulli, u bë tek Kulla e Shën Gjonit (  për Gjomc në Bicaj, shënim im), Kulla e Lumës dhe në Zhur e Curr afër Prizrenit”

Po mes informacionit të konsullit Prochaska  dhe atij të historiografisë serbe ka diferenca të mëdha .Nga 12 batalione që kanë dalë nga Prizreni, sipas Prochaskës,6 batalione kanë përbërë grupimin e ‘”Adriatikut” të Divizionit  “ Shumadija I”( Ratkovic. Prvi balkanski rat.1912-1913,libri i dytë, f.294) . Ratkovic  shkruan  se në Lumë u angazhuan vetëm 3 batalione, duke lënë pa adresë tre batalione të tjerë, që, sipas konsullit austro-hungarez ,kanë dalë nga Prizreni.Kështu del se  informacioni që jep Aqif Pashë Elbasani  për qeverinë e Vlorës ,bazuar në thëniet e Ahmet Zogut për 6 batalione sërbe në Lumë , duhet konsideruar.

Ne telegramin e tij  të dërguar Vjënës më 27 nëntor 1912 konsulli Prochaska shkruante (gjithnjë  nga Prizreni ) për “ një luftë të ashpër e të përgjakshme, ( në Lumë . S.O.)që u ka kushtuar serbëve humbje të mëdha dhe i ka detyruar të thrrasin për ndihmë të gjithë forcat e tyre.” Konsulli austrohungarez sjell edhe nje fakt  tjetër : shkallën  ekstreme të urrejtjes shoviniste sërbe ndaj lumjanëve ,që ,në mënyrën e vet , flet për shkallën e humbjeve në Lumë.Ai i raporton Vjenës :” Në vizitën që kleri katolik bëri tek gjenerali serb ( është fjala për komandantin e Armatës së tretë Bozhidar Jankovic. shënim im)me 21 të këtij muaji (  3 ditë pasi kish marrë fund beteja ( shënim im),ai deklaroi se sa u përket lumjanëve, ai ka marrë urdhër që “ fisi Lumës do të shfaroset krejt, me gra e fëmijë”.Tanimë dihet se forcat sërbe bënë krime të llahtarshme më 1912 -13  për të zbatuar këtë urdhër famëkeq.Në   tetor 1913  masakruan më shumë se 1800 veta në Topojan,Përbreg Brekijë, Kalis, Palush, Lojme etj

Lexuesit duam t’i tërheqim vëmendjen ne cilësimet që i bën konsulli Prochaska  kësaj lufte.Nuk ka luftë pa gjakderdhje.Por Prochaska shënon në telegram që shkon me shifër në Vjenë ( ku cdo fjalë matet shumë): “ luftë e ashpër dhe e përgjakshme”.

Nuk ka luftë pa humbje, pa vrasje e plagosje. Por Prohacka shënon “ humbje të mëdha të sërbëve”. Pra ,jo humbje të zakonshme.

Informacioni i konsullit është vecanërisht i rëndësishëm: ai përfaqëson një palë të tretë, Austro-hungarinë dhe jo forcat pjesmarrëse në betejë.

Prohaska i shkruan këto nga Prizreni ,nga shumë afër vendit të ngjarjes , në Lumë.

Dhe i ka shkruar këto të dhëna ato ditë që zhvillohej kjo betejë( luftë e quan Prochaska)

Prochaska konfirmon edhe taktikën e goditjes në befasi. ( ndonëse sipas Ratkovic sërbet kishin informata dhe po trembeshin )Goditja ne befasi  e bën  të besueshme shkallën e lartë të humbjejve sërbe.

Mbi të gjitha konsulli Prochaska  na ka dhënë dy të dhëna që e vendosin betejën e Lumës në një taban të fortë në pikëpamjë historiografike: 1-“ Luftë e ashpër, humbje të mëdha” 2- numrin e reparteve  sërbe që kanë marrë pjesë  në këtë betejë. Prochaska na thotë se kanë dalë më datë 9 nëntor 12 batalione nga  Prizreni.Kjo e dhënë ka rëndësi shumë të madhe dhe kjo ka munguar deri sot për studiuesit shqiptarë. Prej saj mund të nxirret një përftyrim më i saktë dhe më realist i betejës së Lumës. Nga këto 12 batalione që kanë dalë nga Prizreni për një ditë ,sipas historiografise jugosllave ,6 batalione ( b1 R10k,b2 dhe i 3,  të R12k,b1dhe b4 të R11k dhe b2 i R 19k,) së bashku me  forcat të tjera mbeshtetese, artleri , ndërlidhje e logjistikë ), gjithsej 6500 ushtarë dhe oficerë kanë përbërë “Grupin e Adratikut të Divizionit Shumadija I” që ka lëvizur në anën e djathtë të Drinit të Bardhë,në qafën e Kumbullës dhe në Mirditë e Adriatik. Këtë shifër e ka dhënë edhe italiani  Giani Baj Macario në studimin e tij në vitet 1930.

Nga këto 12 , 6 batalione të tjerë  duhet të kenë bërë pjesë në  Grupin e Lumës, ndryshe c’ka thënë historiografia jugosllave për 3 batalione, nje batalion ne vije te pare,në Bicaj, një tjetër ne krahun e djathte te përroit te Shejes dhe një i tretë  pa e kaluar lumin Luma (Këta kanë qenë batalioni  2,  3 dhe i 4  të  R10 ,dhe tre batalione të tjerë që historiografia jugosllave,sipas Prochaskës  dhe nesh, i ka fshehur).Duket se të gjashtë batalionet janë vendosur ne territorin e Lumës.Pra nje regjiment e gjysem.Kemi te drejte te themi se lufta dhe fitorja mbi to ishin betejë dhe jo thjesht një ose disa luftime.

 Kjo do të thotë se skema e historiografisë sërbe duhet rivleresuar dhe studiuar sipas të dhënave të reja që jep arkivi austro-hungarez dhe konsulli Prochaska duke ndërtuar një skemë tjetër, duke mbajtur parasysh numrin e 6 batalioneve , terrenin , kohën dhe intensitetin e veprimeve luftarake.Dhe konkretisht :

 Në Bicaj duhet të jenë vendosur dy batalione këmbësore ( njëri që ka sulmuar drejt qafës së Kolesjanit dhe tjetri që ka mbrojtur shpinën e tij.)

Në krahun e djathtë të përroit të Shejes një batalion tjetër,që ka mbuluar sulmet nga krahu perëndimor i Gjallicës.

Një batalion i katërt mund të ketë kaluar lumin Luma dhe të jetë futur në luftim në fazën e dyte te Betejës  në Rrafshin e Lumës  nga  Zborri i Nangëve  në Bugajë deri në Kullën e Lumës . ( Bëhen kështu nga qafa e Kolesjanit ne Kullë të Lumës 4 batalione sërbe)

Dy batalione të tjerë mund  të jenë mbajtur  për kontrollin dhe sigurimin e rrugës Prizren-Kulla e Lumës ( Përbreg) dhe mbrojtjen e tërheqjes.Prohaska shënon se kjo luftë e ashpër është zhvilluar edhe në Zhur e Curr afër Prizrenit.

Kjo skemë mund te ketë edhe variante të tjera.

Kështu informacioni që i ka dhënë Ahmet Zogu Aqif Pashë Elbasanit e ky kryesisë së Qeverisë së Vlorës , se lumjanët nja gjashte batalione serbe i  paskan  zhdukur,vërteton se 6 batalione janë përfshirë në këtë luftë ( pavarësisht nga shkalla e pjesëmarrjes dhe e humbjes përkatëse të secilit: repartet sërbe  nga qafa e Kolesjanit në  Bicaj  e deri në Kullë të Lumës duhet të ketë pasur humbjet më të rënda) Sipas Prochaskës “ të mëdha “ e të përgjakshme”. Sipas Ahmet Zogut “deri në zhdukje”. Duhet të  besohet se këtë informacion A.Zogu ta ketë pasur nga xhaxhai i tij ,Xhelal Zogu, i cili në vitet e fundit të sundimit osman në Lumë ka qenë  administrator ( kajmekam )dhe duhet të ketë pasur lidhjet e tij  që e kanë informuar.

Këtyre të dhënave u vjen ndihme edhe një informacion i nënkonsullit britanik nga Shkupi i cili në shkurt 1913 shkruan se në Lumë Sërbia ka humbur 8 batalione.( kjo përfshin edhe fazën e tretë  pas nëntorit 1912.)

Për të përfunduar : Forcat serbe pjesëmarrëse kanë qene 6 batalione ( 6500 veta) me gjithë artileri e ndërlidhje e logjistike. Pra, nuk kanë qenë 18000 , e as 16000, sikur   kanë shkruar disa studiues pa pasur mbështetje dokumentare dhe pa bërë analiza historiko-ushtarake  .Po del se  nuk kanë qenë as tre 3 batalione forcë pjesëmarrëse dhe as 198 të vrarë  ( apo disa qindra ),sic ka fshehur historiografia jugosllave.

 Ne edhe më parë i jemi referuar një informacioni që i shkonte ushtrisë osmane dhe që  shënon ne Lumë për 24 orët e para   1000 pushkë të kapura ,pra të  1000 ushtarëve sërbe të vrarë Pra deri me datë 16 nëntor  një humbje prej 1000 vetësh  e bën më të besueshme  të kenë qenë në Bicaj deri në Kolesjan  dy batalione .Mund të besohet se ky ritëm humbjesh shumë i lartë( 50 %) të ketë vijuar edhe me datë 16-17 nëntor dhe 17-18 nëntor, Pra i bie të kenë humbur rreth 2000  e më shumë   ushtare serbë dhe gjysma e tyre,( dicka më pak a më shumë) të kenë dalë gjallë e të plagosur .Kjo mund ta konkretizojë përfundimin e Novakovicit ( serb, që ka marrë pjesë në ketë betejë ) që  thotë  “disa qindra të vrarë ”, “ humbje të mëdha “, dhe “ humbje e plotë”.

Natyrisht studimi i arkivave serbe( që edhe sot mbahen të mbyllura, ne veçanti për shqiptarët) do të sillte të dhëna edhe më konkrete e të hollësishme për këtë betejë të famshme, të cilën e ka ruajtur aq fort kujtesa popullore dhe folklori i krahinës dhe  e ka përmendur në krijimtarinë e tij artistike edhe  shkrimtari i madh Ismail Kadare.

Po kush ishte ky konsulli Oskar Prochaska. Diplomat i Perandorisë Austro-hungareze Prochaska ishte konsull me rezidencë në Prizren.Me origjinë ishte cek, kishte lindur  më 12 korrik 1876 në Brno , qendër e Moravisë ,qyteti i dytë në Ceki, pas Pragës.Lufta e parë ballkanike e zuri Prochaskën aty ku shërbente, në Prizren dhe ai i dënoi ,sic e meritonin ,masakrat e trupave pushtuese serbe mbi popullsinë shqiptare.Për këtë arsy sërbet e arrestuan diplomatin trim  Oskar Prochaskën “ për nxitje të popullsisë shqiptare  për qëndresë  “. Ky incident i rëndë coi në një krizë diplomatike mes Perandorisë Austro-hungareze dhe Mbretërisë së Sërbisë. Emri dhe bëmat e konsullit Prochaska u morën në mbrojtje  nga shtypi austro-hungarez dhe u bënë të njohura e popullore anekënd perandorisë shumkombëshe.Edhe fotoja e Prochaskës  që po botojmë është e një fotografi amerikan bërë për gazetën vieneze  të kohës Neue Freie Presse.  Prochaska u lirua nga burgu sërb në janar 1913.Ai e vazhdoi karrierën diplomatike si konsull i Perandorisë në Rio-De Zhaneiro të Brazilit.

Po emri i konsullit Prochaska ,për informacionet e tij tanimë historike dhe publike në Shqipëri meriton  te vlerësohet , të ketë,  për shembull, një zë në  Fjalorin Enciklopedik shqiptar dhe  të përmendet në botimin akademik të  “ Historisë së popullit shqiptar” .Mendoj se Oskar Prochaska meriton ta ketë fotografinë e tij ne Muzetë tona,në Kukës e Prizren, po edhe në Muzeun Historik Kombëtar. Madje ai meriton te shpallet ,  qytetar nderi i qarkut të Kukësit dhe i komunës së Prizrenit. Figura e tij në përkrahje të popullit shqiptar në një moment  të vështirë të historisë së tij kombëtare është shembulli i një diplomati për cdo kohë,është nder  për vendin e tij, Cekinë. Dhe me siguri Oskar Prochaska do të nderohet sa herë të flitet e të përkujtohet beteja e Lumës dhe lufta e popullit shqiptar kundër pushtuesve serbë me 1912.

Tirane, 15 janar 2014.

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – X

-112- Për përdorim të kufizuar J C R Gray Esq                                                                                           Ambasada britanike FCO                                                                                                                     Beograd I …