Me 28 gusht bëhen plot 30 vjet kur në moshën 66 vjeçare u nda nga jeta inxhinjeri ushtarak Musa Bileri një ushtarak i përgatitur e shumë punëtor.Një ditë të vitit 1995, Z. Alfred Moisiu me pyeti nëse e njihja Musa Bilerin, është nga Luma më tha,inxhnjer i zoti,kuadër i rrallë i xhenjos. E njoh i thash, por nuk kam biseduar nga afër me të.”Po të duash hajde sot pasdite pijmë bashkë një kafe se e kam ftuar”. Mu bë qejfi. Të dy miqtë u zhytën në kujtimet e tyre të rinisë së hershme, që lidhej me përfundimin e Luftës NÇ dhe shkollat që kishin bërë bashkë të dy jashtë shtetit, e sidomos me punën e gjatë të tyre në repartet dhe drejtorinë e Xhenjos të Ministrisë së Mbrojtjes në Tiranë.
Për Musa Bilerin kisha degjuar të flitej me respekt edhe në Shkodër nga ushtarakë të xhenjos,si Xhevdet Jubani , Agim Kinkaj e Hasan Kraja , po edhe nga miku im i paharruar, inxhnjeri ushtarak Ahmet Hereni. Këta kishin njohje nga afër me të .Unë e pata takuar Musa Bilerin këtu në Tiranë , më 1993 në një veprimtari të veteranëve të Kukësit kushtuar jubileu të 50 vjetorit të Çetës partizane të Lumës.
Musa Bileri kish lindur në Mustafe të Bice, me 30 mars 1929 në një familje tipike lumjane, që jetonte me bujqësi e blegtori, me 20 dn tokë dhe 40 krerë dele e ndonjë lope, një familje që në dokumentet zyrtare shkruhej “e mesme”. Edhe afër Cane, që ishte qëndra e Lëvizjes NÇ të Lumës edhe në një pozion topografik të përshtatshm, Mustafet ishin një bazë nga më kryesoret e Lëvizjes në Lumë, të cilën ajo e shfytëzonte shumë.Vëllai më i madh i Musait, Xhemaliu ishte rreshtuar vullnetarisht në Lëvizjen antifashiste, pastaj në Çetën partizane të Lumës dhe në batalionin e saj partizan.Në verën e vitit 1944 ai kishte rënë duke luftuar trimërisht. Musai donte t’i ngjante vëllait, të behej partizan.Prandaj u lidh me Lëvizjen dhe në tetor 1944 shkoi vullnetarisht në batalionin e tretë të Brigadës 24 s të Lumës. Por komisari i batalionit ,Ramadan Halilaj, e ktheu në shtëpi, si i vogël që ishte .Aso kohe Shtabi i Përgjithshëm kish shpallur rregullore për mobilizimin ushtarak .
Në Mustafe bashkë më vëllain tjetër më të vogël,Iljazin ,iu përvesh krahas punëve të shtëpisë edhe atyre të Lëvizjes.Në maj 1945 do të zgjidhej anëtar i komitetit të Rinisë në Bicaj.Po në tetor të atij viti Musai do të çohej për shërbim ushtarak pranë Komandës së Përgjithshme,në Tiranë dhe në dhjetor të 1945, bashkë me 59 shokë të tjerë, të rinjë , ish partizanë ,si Alfred Moisiu,Josif Zegali., Lavdosh Dule, Abedin Galanxhi, Elami Hado, Mendu Backa dhe dy lumjanë të tjerë, Maliq Gashi dhe Ahmet Lamollari, si kurs i parë ,u nisën për studime në Leningrad në një uçilishte me profil xhenjer për tu bërë oficerë. Kjo ishte një shkollë e mesme ushtarake tre vjeçare me shumë tradita mësimore e luftarake me një program mësimor shumë të pasur sidomos në lëndë të matematikës e të xhenjos. Musa Bileri kishte bërë në shkollën e Bice 4 vjet fillore me mësues të zot. Por aty deri me 1947 nuk do te kishte shkolle unike,7 vjecare. Këtë ai do ta kryente pas çlirimit.
Me tu ktheyr nga shkolla gradohet nëntoger dhe emërohet në Brigadën autonome të xhjenjos , në fillim si komandant kompanie e pastaj si komandant i parkut të lehtë. Në dhjetor 1950 do të transferohet në Regjimentin e III të Xhenios (rezervë e Komandës së Përgjithshme)me qendër në Krastë të Elbasanit si komandant i kompanisë teknike. Puna e Musa Bilerit vlerësohet me rezultate te mira e shume te mira. Kompania e tij është më e mira në regjiment, prandaj ngrihet në detyrën e zëvendës komandantit të regjimentit për teknikën në një kohë përmirësimesh strukturore në funksion të detyrave dhe të teknikës së re që vinte nga jashtë për specialitet të reja si kalim lumi, rrugore, teknike etj. Ish koha kur reparteve e xhenjos së Ushtrisë kryen pastrimin e vendit nga minat e shumta të kohës së luftës , kryen fortifikimin e brezit kufitar sidomos në jug të vendit dhe qenë angazhuar fort nè hapjen e rrugève automobilistike malore, me ndèrtimin e urave etj.
Më 1948 Musa Bileri do të martohej më Shine Karxhaliun,ish partizane dhe bijë dëshmorit Hasan Kërxhaliu ( Hero i popullit)Do të kishin bashkë dy vajza, Lumturinë e Fatmirën dhe një djalë Shpëtimin.).`Ndërkohë Musai do ti ngjiste shkallët e karrierës dhe të gradës normalisht nga nëntoger më 1949, në toger më 1951, në kapiten II më 1955, në kapiten I më 1958.
I vlerësuar dhe i dekoruar, më 1958 deri me 1961 Musai bashkë me shoke të tjerë do të shkonte për studime të larta në Akademinë e famshme,atëherë, të inxhinjerisë ushtarake” Kujbishev” në Moskë. Tre vjet atje i mbaroi me rezultate shumë të mira.Pas prishjes së marrëdhënjeve me BS ,ai e vazhdoi vitin e fundit në Tiranë në Fakultetin e Inxhnjerisë së Ndërtimit në Universitetin Shtetëror.Është interesante të thuhet se Musai mbrojti temën e diplomës pikërisht me fortifikimin në bregdet,të cilit do t’i kushtonte aq shumë nga jeta e tij .
Me tu kthyer në gusht 1961 emërohet pedagog në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve në Tiranë për ciklin e Xhenjos. Tre vjet më vonë do të jetë shef i shërbimit xhenjer në Brigadën e mekanizuar.Këtu Musa Bileri e mbyll ciklin e parë të karrierës së tij në njësitë xhenjere.Karakteristikat e punës së tij flasin për një kuadër të formuar, me aftësi të larta teorike e praktike. Më 1962 ishte graduar Major, po edhe ishte dekoruar.
Më 1967 e pas fillon një stad i ri në punën e tij në Ministrinë e Mbrojtjes, ne fillim si inspektor për xhenjon, pastaj për stërvitjen e trupave xhenjere në shkallë ushtrie.Pas pesë vjetësh , në mars 1972 Musai, po në Drejtorinë e Xhenjos të Ministrisë së Mbrojtjes, por do të ngarkohej më nje detyrë te re dhe me shumë përgjegjesi,si instruktor I Parë në grupin e objekteve të Flotës ushtarake Detare, me vendqëndrim në Durrës.Tre muaj më vonë major Bileri do te emerohej shef i grupit te objekteve të Flotës Luftarake Detare në Detashmentin e projektimit ku punoi për 3 vjet të tjera.
Më 1975 do të krijohej Instituti i Studimeve e Projektimeve të Veprave Mbrojtëse në Tiranë.I specializuar dhe i vlerësuar në fushën e projektimeve të veprave mbrojtëse bregdetare, Musa Bileri do të ngarkohej si instruktor i parë në këtë Institut.Për disa vite Musai do të punonte edhe me specialistèt kinezè ushtarakè nè projektimin e disa veprave tè rëndèsishme ushtarake si nè Gjadèr, nè Pasha Liman, në Porto-Palermo ,nè Durrès, nè Linxè, nè Skrapar,në Berat etj. Kur filluan punimet ne Porto Palermo babai dy vjet nuk erdhi fare në shtëpi, më thotë Lumturia, e bija.
Me këtë Institut u ngritën në shkallën më të lartë studimet dhe projektimet për fortifikimin e objekteve të këmbësorisë dhe të gjithë armëve të Ushtrisë. Është koha kur u kryen në masë punime për tunelizimin e mbrojtjes , ndërtimin e objekteve të fortifikuara për armët e këmbësorisë dhe llojet e armëve të Ushtrisë, për ndërtimin e Objekteve te drejtjmit ( VK. VV), ato për vendosjen e rezervave te shtetit, te industrisë ushtarake, te institucioneve shtetërore si dhe ndertimit të strehimeve per mbrojtjen e popullsisë. Në fund të këqsaj periudhe Shqipëria kishte një sistem fortifikimi kompleks, të zhvilluar.
Në institucionet e studimit e të projektimit, ku punonte e drejtonte edhe Musa Bileri, u projektuan objekte të mëdha nëntokësore ( me seksione mbi 150 m katror) u siguruan dhe provuan metoda të reja për hapje dhe betonimin e tuneleve në kushte e shembjeve dhe të lagështirës, të tilla si hapja dhe thellimi i pjesës së nënujshëme të tunelit të Porto Palernos deri 7 m thellësi nën nivelin e ujit.Po kështu edhe në objektin e Shëngjinit. Të dy këtë objekte ishin ndërtuar në formë ”U” me hyrje dhe me dalje.Në Porto Palermo gjatësia e tunelit shkonte në 650 m.Brenda në Tunele mbaheshin të armatosura nëndetëse dhe Katera silurues të gatshëm kundër çdo objekti armik dhe të mbrojtura në thellësi të bregdetit.Ata që i kanë parë dhe i shohin nuk mund të mos habiten.Cilësia e betonimit është e nivelit të lartë, edhe sot aty nuk pikon as nga lart e as anash.
Se c’vepra të mëdha ishin këto, lexuesit e studiuesit mund të shohin diçka në emisionet e sotme televizive, ku është paraqitur gjendja e tanishme( e shkatërruar) e tyre.Atëherë ato ishin të armatosura dhe me një infrastrukturë të plotë: me tuba karburanti, uji, drite elektrike, me zyra pune, depo municioni , dhe gjithcka duhej per efektivin, edhe spital. Në tetor 1991 shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë tyrke,gjeneral Doan Gyresh, i shoqëruar nga komandanti i Flotës dhe komandanti i Aviacionit ,pasi u njoh nga afër me objektin e Shëngjinit,e vlerësoi lart dhe shtoi se nuk kishte nje të tillë në vendet e NATO-s. Me këtë objekt ky gji ( i Shengjinit) është i papushtueshëm, do të shprehej. Kur 4 muaj më vonë në Turqi ishte një grup i Shtabit tonë të Përgjithshëm,gjeneralë e kolonel të Shtabit turk na pyesnin se ç’keni bërë ju me këto fortifikime se Shefi ynë na thotë të marrim shembull nga Ju.
Në këtë detyrë gjithnjë për objektet fortifikuese bregdetare Musa Bileri do të qëndronte deri më 1976. Nuk kishte bërë vetëm një vit në Institutin e studimeve e projektimeve të veprave të mbrojtjes në Tiranë kur me 1976 do ta qarkullonin në Korpusin e Burrelit në detyrën e shefit të xhenjos.Ishte 47 vjeç, moshë në të cilën normalisht oficerët kthehen ose vijnë në Ministri. Ishin kohë të turbullta,mbushur me plot të papritura pas vitit 1975 kur u likujdua gjithë udheheqja e Ministrisë dhe e Shtabit të Përgjithshëm për gjoja veprimtari armiqësore. Organizata e partisë në karakteristikën e tij i shkruante “ Detyrën e kryetarit të grupit të Flotës e ka kryer mirë dhe me ndërgjegje të lartë. Ka dhënë një kontribut të madh në projektimin e objekteve hidroteknike të Flotës dhe është nga të parët që ka hedhur bazat e projektimit në këtë sektor”.Por në një letër dërguar ish Ministrit të Mbrojtjes në dhjetor 1982, Musai shkruan për qëndrime të pamotivuara me pasoja negative për të lidhur me kohën dhe punën në objektet bregdetit në vitet 1969-1976, për të cilat koha dhe zhvillimet e reja i kishin dhënë të drejtë. Kjo do të thotë se pavarësisht karakteristikës shumë të mirë që i kish bërë organizata e Partisë më 1976,ai thellë e ndjente se pas këtij “ qarkullimi” qëndronte edhe dora e një shefi të lartë, të pompuar me tituj , grada e poste. Musa Bileri i thosh gjërat hapur e troç.Po këtë qëndrim dikush e konsideronte si “kokëfortësi”,sepse Musai u kundërvihej padrejtësive.Ky qarkullim i pamotivuar u prit me habi në opinonin e ushtarakëve atë kohë, më thotë veterani i ushtrisë dhe miku i tij Vesel Kastrati, atëherë shef i sektorit ushtarak në Komitetin Ekzekutiv të rrethit të Kukësit.
Posti i shefit të Xhenjos së Korpusit ishte një detyrë e rëndë, jo vetëm pse do ta merrte familjen nga Tirana në Burrel,siç e mori, por sepse fortifikimi ishte një nga detyrat më të vështira, rreth të cilit ushtrohej një mbikëqyrje e rreptë që përkurgjë hiç kthehej në akuza politike.Rasti e solli që Mehmet Shehu, kur ishte edhe ministër I mbrojtjes ,kur po kalonte në Fushë Studen-Steblevë kishte dyshuar se disa qendra zjarri nuk ishin vendosur mirë taktikisht. Të nesërmen erdhi një ekip kontrolli nga lart dhe pasi panë me kujdes terrenin, bënë edhe inventarizimin e fortifikmit, dëgjuan edhe shpjegimet e Musait dhe ikën pa raportime negative, shkruan Kolonel Xhelal Martini, ish shef i zbulimit të Korpusit të Burrelit.
Korpusi i Burrelit shtrihej në një hapsirë të madhe , nga jugu i rrethit të Kukësit, nga mali i Korabit, Peshkopi, Bulqizë, Librazhd deri në Pogradec , pra gjithe vija lindore e frontit.Po Musa Bileri do ta bënte natën ditë, dhe do t’I binte kryq e tërthor gjithë hapsirës së Korpusit nga Korabi e Kalaja e Dodës, Goolloborda, mali ik Shebenikut , Qafë Thanë e do të ishte kudo ku kërkohej prania e tij, aq sa komandanti i korpusit kish thënë njëherë, si me shaka, se ai me makinë e Musai në këmbë e nuk e kapte dot. Për të patur një ide mbi punën që bëhej për fortifikimin po citoj këtu nga “Historia e Armës së Xhenjos në Shqipëri “ të Ramiz Feçorit, Miti Golloshit e Zabit Cukut ” Tiranë 2015 se ”Një division këmbësorie kishte afërsisht deri në 5 brigada këmbesorie,1-2 brigada artlerie, 1 br. Tankesh, 1 br, sulmuese 1 regj AKA etj .Shuma e përgjithshme e qendrave ëe Zjarrit do të ishte nga 8000-10 mije coëe.” f.327. \
Kjo siç shkruante vetë Musai “ishte një detyrë e rëndësishme por shumë e vështirë” Po ai ia doli me sukses sepse ndërtonte marrëdhënje korrekte si më komandën e Korpusit edhe me vartësit, edhe më punëtorët e thjeshtë.Shpesh herë disa kuadro të shtabit të Korpusit, po edhe të njësive të tjera shpreheshin se ky Musai urtë e butë ,pa ngritur zërin siç bën x e y, ia arrin qëllimit të marrë atë që kërkon nga komanda e Korpusit. Ose “ rrallë kemi parë malsorë të qetë e të shtruar si Musai.” Ai ishte punëtor i madh dhe njohës i përkryer i profesionit të tij. Musa Bileri nuk vepronte qorrazi as nuk mbështetej vetëm tek autoriteti i detyrës, ai zhvillonte takime e biseda pune me kuadrot e me punëtorët edhe me ato të montimit, ku shpjegonte saktë me argumente të kuptueshme se pse ishte kaq i domosdoshëm fortifikimi dhe ç’vlerë të madhe kishte ai.Korpusi dhe divizioni i Burrelit i realizoi rregullisht detyrat e fortifkimit, madje nje vit zuri vendin e parë në shkallë vendi.
Më 1982 Musa Bileri transferohet ne Divizionin e V në Tiranë si Shef i Xhenjos së tij dhe këtu del në pension.
Musa Bileri nuk ishte vetëm një projektues e një xhenjer, ai u dallua në punën e tij si pedagog në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve.Madje edhe më 1975 kur Ministria organizoi nje kurs 1 vjeçar me studentët ushtarake që kishin mbaruar Fakultetin e Inxhinjerise së Ndërtimit, të Universitetit Shtetërot të Tiranës , Musai do të ishte njëri nga katër pedagogët që do tu jepte leksione e seminare , që ata , kuadro e një brezi të ri të Xhenjos në Ushtrinë tonë të viteve 1975-1990,të kishin një njohje të plotë e të saktë rreth artit ushtarak të Ushtrisë sonë në lidhje më detyrat e tyre si inxhinjerë ushtarakë. Musa Bileri është njëri nga kuadrot e Xhenjos të Ministrisë së Mbrojtjes që ka kontribuar veçanërisht për pasurimin e literaturës për armën tonë të Xhenjos,me leksionet, me artikujt e studimet e tij, me rregulloret dhe monografitë.
Me 1962 Musa Bileri do të gradohej major.Me 1966 gradat u hoqën.Po të ishin ata , për 20 vjet oficeri i shquar i xhenjos me siguri do të kishte fituar edhe gradën nenkolonel e Kolonel, që iu njohën më 1992 pas rivendosjes së gradave.Ndofta ai mund të ish bërë edhe gjeneral, por kjo ka qenë dhe vazhdon të jetë një gradë që jepet.
Po edhe në pension Musai vijoi punën e tij si Veteran i luftës ANÇ dhe do të ishte shumë aktiv në Organizatën e Veteranëve të Luftës. Miku im Adnan Qatipi më fliste me respekt per Musain si një nga veprimtarët e shquar të Organizatës se Veteranëve të LANÇ.
Edhe në media, ku shkruante herë pas here mbronte punën e madhe në fortifikimin e vendit në tërësi, pa ndonjë teprim që ishte bërë. Pas një periudhe denigrimi,koha e sotme po e rivlerëson fortifikimin që u bë para vitit 1990 dhe bashkë me të ajo do të vlerësojë edhe projektuesit e zbatuesit e saj, një nga më të miret e të cilëve ishte Musa Bileri.