Kryetari i degës së PDK-së në Skënderaj dhe ish-eprori i UÇK-së, Sami Lushtaku, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhënë në emisionin “Tëvë1”, ku ky i fundit akuzoi PDK-në për marrje të instruksioneve politike nga liderët e saj të mëparshëm që ndodhen në Hagë. Sipas Lushtakut, deklarata e Kurtit është “më e poshtra e mundshme” dhe tregon frikën e tij nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Frikën ndaj krerëve të UÇK-së e ka problem ai. Është për të ardhur keq për gjendjen në të cilën ka ardhur Kurti”, tha ai për gazetën Nacionale. Ai theksoi se është e papranueshme që Kryeministri të merret me persona që ndodhen në Hagë dhe që po përballen me një proces gjyqësor. “Është e padrejtë që Kurti dhe të tjerët të merren me ta. Le të merren me problemet e vendit dhe jo me ata që po mbrojnë pafajësinë e tyre në gjykatë”, shtoi Lushtaku. Reagimi i Sami Lushtakut pritet të thellojë më tej përplasjet politike rreth qëndrimeve ndaj Gjykatës Speciale dhe të ardhmes së PDK-së në skenën politike të vendit.
