Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka drejtuar kritika në drejtim të Ministrisë së Financave. Ai e ka akuzuar Ministrinë e Financave për keqinterpretim të ligjit dhe për ndalimin e padrejtë të proceseve teknike të vlerësimit të pronave komunale. “Kjo ministri ka ngatërruar ligjin në fuqi për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim dhe këmbim, sepse ky proces është teknik, pra vlerësimi i pronave për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim është proces teknik, kurse me legjislacionin në fuqi në Kosovë thuhet që pas ditës së shpalljes së zgjedhjeve lokale nga presidentja, atëherë të gjitha proceset sa i përket marrjes së vendimeve në kuvendet komunale për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim dhe këmbim duhet të ndalohen, por jo proceset teknike. Për këtë arsye, ne kemi konstatuar që kjo ministri nuk është duke u sjellë në bazë të legjislacionit në fuqi sa i përket vlerësimit të pronave komunale të cilat mund të jepen në shfrytëzim dhe këmbim, sepse nuk ka të bëjë me vendimmarrje politike” ka theksuar për Ekonomia Online, drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.
