Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka deklaruar se ka marrë kërcënime me jetë pas debateve me ministra të Qeverisë Kurti II. Ai ka treguar se kërcënimet nisën pas kundërshtimeve të tij ndaj politikave të ministrave si Hekuran Murati dhe Elbert Krasniqi. Sipas tij, këshilltari i ministrit Krasniqi, Fidan Kalaja, ishte i pari që nisi linçimet publike, për të cilin tashmë ka ngritur kallëzim penal. Një nga kërcënimet përfshinte një email ku thuhej se do të tërhiqej zvarrë deri te Hoteli Sirius. Në një rast tjetër, dy persona kishin shkuar në dyqanin e babait të tij duke e paralajmëruar që “djali të mos ecë nëpër shesh”. Ibrahimi përmendi edhe një rast ku në derën e shtëpisë së tij ishte vendosur një pllakatë me mbishkrimin “Kjo është mundësia jote e fundit”. Ai theksoi se pavarësisht përplasjeve të mëhershme me qeveri të tjera, asnjëherë nuk ishte përballur me kërcënime dhe presion të këtij niveli.
