Sejfulla Malëshova (1900 - 1971) politikan, demokrat dhe poet

Sejfulla Malëshova (1900 – 1971) politikan, demokrat dhe poet

Sejfulla Malëshova (1900 – 1971), i njohur me emrin letrar Lame Kodra, është nga personalitetet e para disidente në kulturën shqiptare të pasluftës. Shumica e poezive të Lame Kodrës janë botuar në vëllmin Vjersha (Tiranë, 1945), ku ai e quan veten poeti rebel. Sipas Malëshovës, Shqipërisë i duhej integrimi kulturor dhe jo izolimi nga Evropa Perëndimore. Ai thoshte se detyra e intelektualëve shqiptarë është që të vendosin lidhje të ngushta kulturale me popujt e Ballkanit, me Bashkimin Sovjetik, me Anglinë, Amerikën dhe me gjithë botën demokratike e progresive. Gjatë viteve 1946-1947, Malëshova ishte ministër i Arsimit dhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Pas kësaj figura e tij u denigrua për pikëpamjet e tij “oportuniste” dhe u dërgua të punojë në punë të ulëta. Prej vitit 1956 ai u internua në Fier, ku u detyrua të punonte jashtë profesionit të tij. Atje ndërroi jetë në vitin 1971.

Prof. Nasho Jorgaqi: Sejfullah Malëshova, politikan, demokrat liberal dhe poet

Në mungesë të të dhënave burimore nga shumëkush është menduar se poeti Sejfulla Maleshova, i njohur me pseudonimin letrar,  Lame Kodra, gjatë kohës së persekutimit e kish braktisur poezinë. Kjo arsyetohej me kushtet e rënda qytetare dhe  shpirtërore që iu krijuan, por dhe me arsyen se ai asnjëherë nuk do të dallohej si poet prodhimtar. Ashtu si Fan Noli dhe  Sejfulla Maleshova do të krijonte kryesisht në momente të caktuara, të diktuara nga rrethana social-politike, por kjo  praktikë krijuese lidhej dhe me kërkesat e larta që kish ndaj poezisë së tij. Kështu shpjegohet që poeti sa qe gjallë botoi  vetëm një libër, vëllimin poetik “Vjersha” (1945) me 21 poezi, ndërsa vjersha të tjera mbetën të shpërndara në organet e  shtypit të viteve 20-40, të cilat të marra të gjitha së bashku nuk i kapërcejnë pesëdhjetë. Pra, nga pikëpamja sasiore kemi  të bëjmë me një bilanc modest, një dukuri kjo e njohur në historinë e poezisë, që nuk është përcaktuese në vlerësimin e  poetit. Rasti i Sejfulla Maleshovës e vërteton këtë më së miri. Gjithë sa ai krijoi, janë të mjaftueshme për t’i dhënë  emrit të tij një vend të nderuar në poezinë shqipe në mes dy luftërave. Është fakt i njohur që poezia e Lame Kodrës. Në  mungesë të të dhënave burimore nga shumëkush është menduar se poeti Sejfulla Maleshova, i njohur

me pseudonimin letrar Lame Kodra, gjatë kohës së persekutimit e kish braktisur poezinë. Kjo arsyetohej me kushtet e rënda  qytetare dhe shpirtërore që iu krijuan, por dhe me arsyen se ai asnjëherë nuk do të dallohej si poet prodhimtar. Ashtu si  Fan Noli dhe Sejfulla Maleshova do të krijonte kryesisht në momente të caktuara, të diktuara nga rrethana social-politike,  por kjo praktikë krijuese lidhej dhe me kërkesat e larta që kish ndaj poezisë së tij. Kështu shpjegohet që poeti sa qe  gjallë botoi vetëm një libër, vëllimin poetik “Vjersha” (1945) me 21 poezi, ndërsa vjersha të tjera mbetën të shpërndara në  organet e shtypit të viteve 20-40, të cilat të marra të gjitha së bashku nuk i kapërcejnë pesëdhjetë. Pra, nga pikëpamja  sasiore kemi të bëjmë me një bilanc modest, një dukuri kjo e njohur në historinë e poezisë, që nuk është përcaktuese në  vlerësimin e poetit. Rasti i Sejfulla Maleshovës e vërteton këtë më së miri. Gjithë sa ai krijoi, janë të mjaftueshme për  t’i dhënë emrit të tij një vend të nderuar në poezinë shqipe në mes dy luftërave. Është fakt i njohur që poezia e Lame  Kodrës, duke u bërë zëdhënëse e idealeve revolucionare të shoqërisë shqiptare, do të gjente për afro dy dekada jehonë dhe  përhapje të gjerë në Shqipëri sidomos në masat e rinisë. Madje, ajo do të përjetonte një periudhë zulme, duke e cilësuar  Sejfulla Malëshovën si poet kombëtar në 2-3 vitet e para të pas çlirimit. Por fatkeqësisht, kjo ngjitje e poetit, do të  zgjaste një kohë tepër të shkurtër, që përkoi me periudhën e karrierës së tij politike, kur ai do të bënte pjesë në  lidershipin më të lartë të shtetit shqiptar dhe të Partisë Komuniste të Shqipërisë. Në këtë mes mendoj se nuk duhet  ngatërruar pozita e lartë politike e Sejfulla Maleshovës, me statusin e poetit Lame Kodra. Sado që pozita politike, sa kohë  që ai ishte në fuqi, mund të ketë ndikuar në popullaritetin e poezisë së tij, vështruar në distancë kohore pas më se gjysmë  shekulli mund të thoshim, kjo nuk e ka prekur vlerën e vërtetë të poetit. Verbi i tij poetik ishte dhe mbeti një zë i  veçantë në poezinë shqipe, një emër i përveçëm si shprehje autentike e idealeve revolucionare të atij brezi që luftoi për  liri kombëtare dhe shoqërore, kundër fashizmit dhe regresit social. Dhe duke qenë i tillë, pra poet i vërtetë, në dekadat  që erdhën, sado mbytëse që qe asfiksia politike, nuk e zhvlerësoi dot poezinë e tij. Ajo mbeti ngaherë shpuzë e ndezur nën  hirin e një kohe që u tregua egërsisht e padrejtë ndaj poetit.

Por ç’ndodhte me poetin gjatë kohës së persekutimit? Në kushtet e izolimit të rreptë, të dramës e të zhgënjimit tepër të  hidhur që kalonte, të natyrës së tij të mbyllur, ishin gati të paarritshme mundësitë e kontakteve dhe të informacionit. Të  gjitha gjasat të çonin te mendimi apo më mirë te dyshimi se ai e kish mbyllur njëherë e mirë kapitullin e krijimtarisë  origjinale. Një gjë dihej saktë, se ai përkthente, se përkthimet poetike qenë tani fusha e tij krijuese. Në rrethet e  ngushta letrare, flitej asokohe për këtë. Madje, ai do të përkthente për vite të tëra për shtëpinë botuese “Naim Frashëri”.  E megjithatë mbetej pyetja: vërtetë nuk krijonte më? Unë dhe ndonjë mik i imi do t’i përgjigjeshin pozitivisht. Kishte  shumë të ngjarë që, në një mënyrë a në një tjetër, duhet të shkruante poezi. Sado e goditur rëndë politikisht dhe e  plagosur moralisht, muza e tij prapë nuk kish vdekur për një poet të vërtetë si ai.

Mbaj mend se kur peti ndërroi jetë, mendimi i parë, pas dhimbjes së vetvetishme që ndjeva, ishte për dorëshkrimet e tij.  Çfarë kish lënë dhe cili do të qe fati i tyre. Me kohë do të merrja vesh se ato qenë sekuestruar dhe qenë në dorë të Degës  së brendshme të Fierit, por nuk dija ku kishin përfunduar më pas. Përmbi tridhjetë vjet, sado që isha interesuar  tërthorazi, fati i dorëshkrimeve të tij mbetej mister, një e fshehtë e pashkoqitur. Madje dhe pas përmbysjes politike  përsëri shpresa ishte e vagëlluar. Kaluan shumë vite dhe asgjë nuk doli në dritë. Poetin përsëri do ta ndiqte për ironi  shpërfillja dhe heshtja. Asnjë kërkim dhe përkushtim serioz për trashëgiminë e tij. Vetëm kohët e fundit, rastësisht u gjet  në bodrumet e Ministrisë së Brendshme një dosje me dorëshkrime të poetit, ndonëse dhe ajo e cunguar, për të cilën duhet t’i  jemi mirënjohës drejtorit të arkivit të këtij institucioni Kastriot Dervishi. Ishte ky një zbulim i rëndësishëm, që hedh  dritë mbi jetën e Sejfulla Maleshovës si krijues në vitet e persekutimit politik. E vetmja dëshmi deri më tani që tregon se  muza poetike nuk kish vdekur, se ajo kish kënduar në vetmi dhe në fshehtësi të plotë. Një ogur ky i mirë, po dhe një  ngjarje për studiuesit dhe admiruesit e poezisë së tij.

Do ta quaja veten me fat që dosjen e poetit, e cila ndodhet në Arkivin Qendror të Shtetit, do ta merrja unë dhe ta studioja  i pari. Do ta hapja dhe shqyrtoja sa me interesin dhe kërshërinë e studiuesit, aq dhe me emocionet e lexuesit të apasionuar  të poezisë së poetit rebel. Në mes dy kapakëve të pluhurosur të dosjes voluminoze përfshiheshin fletore e blloqe, fletë të  veçanta, një pasaportë e falsifikuar nga koha e ilegalitetit etj. Ndërmjet afro 30 objekteve, shumica e tyre qenë  dorëshkrime poezish, të shkruara në fletore apo dhe nëpër faqe më vete, ndërsa pjesa tjetër ishin blloqe me shënime nga  veprimtaria politike, artikuj të viteve 20, poezi të hershme të botuara në shtypin e kohës. Nga gjithë dosja, sigurisht  interesim më të madh paraqisnin dorëshkrimet e poezive origjinale dhe atyre të përkthyera. Por vëmendjen time do ta  tërhiqte veçanërisht një fletore e trashë, me kapakë të bardhë, ku qenë shkruar ndaras, në pjesën e parë krejtësisht  poezitë e tij origjinale, kurse në pjesën e dytë, përkthimi i një tufë rubaish apo rubajatesh, siç i cilëson poeti, të Omar  Khajamit. Duket se ato qenë hedhur në atë fletore në trajtën e një vëllimi, që ndoshta poeti përgatiste jo aq për ta  botuar, se sa për ta lënë trashëgim si kujtim.

Në fakt, gjithë sa gjenden në këtë fletore, nga krijimtaria origjinale janë gjithsej gjashtë vjersha, të krijuara kryesisht  pas çlirimit në vitet 1946-1969. Pyetja e parë që të vjen ndërmend kur njihesh me to është: a thua të jetë ky i tërë  bilanci i krijimtarisë së poetit në më se 25 vitet e pasluftës? Fakti që në fletore, në mes vjershave origjinale dhe atyre  të përkthyera, janë lënë shumë faqe bosh, të bën të mendosh se autori ndoshta do ta plotësonte me vjersha të tjera. Duam të  besojmë që kërkimet e mëtejshme mund t’i japin përgjigje pozitive pyetjes sonë. Por tani për tani duhet t’i gëzohemi faktit  që kemi në dorë tufëzën me vjersha të panjohura të poetit.

Nga shqyrtimi i tyre rezulton se dy vjershat e para i takojnë viteve të hershme të pasçlirimit. Ato dallojnë për nga  përmbajtja dhe fryma me katër vjershat e tjera të krijuara në periudhën e mëvonshme, sidomos me vjershat e vitit 1969.

Vjersha e parë me titull “Rruga jonë” (1946), është hyrja e një poeme që kish nisur të shkruante, por për shkak të goditjes  politike që pësoi, ajo mbeti me sa duket në mes. Është një vjershë tipike e shkruar më frymën e kohës, më temë aktuale  politike, që sjell atmosferën e jetës shqiptare të viteve të para të pasçlirimit, entuziazmin e punës për të ndërtuar  Shqipërinë e shkatërruar nga lufta. Janë njerëzit e inkuadruar nëpër brigada të punës vullnetare, që me lopata e tyre  “ngrenë jetën”

Poema është në vazhdën e poezisë politike, aq e trajtuar në krijimtarinë e poetit para çlirimit. Maleshova do t’i mbetej  besnik letërsisë së angazhuar, bile pas luftës do të jepte shembullin e një poezie militante, në shërbim të idealeve të  veta revolucionare. Poema që nisi të shkruajë është një nga shembujt e asaj kohe.

Pas tre vjetëve, edhe pse kish ndërruar pozita politike, siç del nga dorëshkrimi i poezisë së dytë, do të marrë pjesë në  konkursin kombëtar për “Himnin e Republikës” (1953). Ai do të paraqitet me një tekst të vetin dhe sipas shënimit të vënë me  dorën e tij, ka fituar çmimin e parë (!) Për vet motivin që trajton, ajo është një vjershë politike, mishërim dhe pasqyrë e  ideve të ditës, besnike ndaj idealit të tij komunist. Me tone retorike dhe patos, ai i këndon republikës, aspiratës dhe  ëndrrës së jetës së tij.

Vetëm dy vjet më vonë (1955) ndjehet kthesa në poezinë e Maleshovës dhe kjo duket qartazi në vjershën “Poeti”, që e bën të  ndahet nga krijimtaria e mëparshme. Pas gjithë asaj që i ka ndodhur, për herë të parë shpërthen dufin që mban përbrenda. Ka  të ngjarë të ketë ndikuar klima liberale pas vdekjes së Stalinit. Në rrëfimin e tij poetik, pranon se ka humbur si  politikan, por jo si poet. Vërtetë, është “përgjunjur” dhe ka pushuar së kënduari përkohësisht, por kjo ka ardhur për shkak  të “plagëve të shpirtit” që ka marrë dhe “krahëve” që ia kanë shkurtuar, si dhe për faktin se kundër tij është vërsulur  “rrëmeti me sharje dhe shpifje”, duke ia helmuar jetën. E megjithatë, ai është optimist, sepse ka mbetur vargu i tij  liridashës, që “ngriti popullin në luftë dhe e çoi në fitore”. Se vargu i tij është “skalitur në zemra si përmendore”. Dhe  para kësaj, nuk ka rëndësi lavdia dhe kurora zyrtare. Duke e projektuar këtë situatë në histori, poeti shpreh bindjen se  “do të zhduken perandori dhe perëndi”, por “kënga e poetit nuk perëndon”. Më në fund Maleshova poet e gjen vetveten, ndaj  tregohet i bindur e guximplotë në të drejtën e tij. Ashtu në heshtje dhe në vetmi këndon këngën e vet të lirë. Ndonëse nuk  është më i ri, liria e bën të mos njohë moshë dhe jo rastësisht vë në krye të vjershës vargun e Xh. Karduçit “Muor Giove  l’inno del poeta resta” (“Zeusi vdes, por himni i poetit mbetet). Një varg madhështor, me një vërtetësi tronditëse, që  shpreh bindjen e thellë të poetit tonë. Me këtë poezi, më shumë se Sejfulla Maleshovën kemi tani Lame Kodrën, poetin rebel,  siç e pati quajtur veten në vitet e mërgimit politik në vjershën anonime (1935) plot dy dekada më parë, kur këndonte:  “Vjershë o vjershë, shko si bombë / Me tërbim / Shko përpara si flamur / Si kushtrim.” Një këngë kjo kryengritëse, kënduar  në luftën kundër robërisë e tiranisë, ndërsa tani shpërthen kundër pabesisë e padrejtësisë, babëzisë për pushtet, ndalimit  të mendimit të lirë, i bindur se “Kënga e poetit s’perëndon”.

Ndoshta kjo këngë rebele do të ishte vetëm një çast shpërthimi i Maleshovës, sepse do të duhen 13 vjet (1968) që ai të  këndojë sërish, po kësaj here një këngë patriotike. Është 90 vjetori i Lidhjes së Prizrenit që e nxit dhe e frymëzon.  Hidhet në histori, në kohën e zgjedhës otomane, kur dhe zoti i kish harruar shqiptarët. Por nuk i ka harruar Skënderbeu dhe  pas kësaj figure kapet poeti, dhe tregon se edhe pse ndodhet shumë larg, heroi jetonte me fatin e atdheut të robëruar dhe  të fisit të tij, brenda të cilit lëviznin “turma kordhëtare”, por që s’kishin flamur. Pra, u mungonte udhëheqësi. Në  përfytyrimin e poetit, historia do të plekset me mitologjinë. Skënderbeu do të shkojë të takohet me ish perandorin ilir  Shën Kostandinin dhe do t’i tregojë se populli po zgjohet e po pret udhëheqësin, ndërsa ai e këshillon të vejë e t’i  kërkojë… …ndihmë Shën Pjetrit, por shenjti nuk i përgjigjet thirrjes së heroit. Atëherë Skënderbeu nuk pret më, hidhet  vet në aksion, i rrëmben Shën Gjergjit, shenjtit të shqiptarëve, ushtrinë e tij dhe me qerren e Shëndëlliut zbret si rrufe  në Mat, veshur me purpur dhe me këtë imazh të bukur e madhështor u kthehet bashkatdhetarëve të tij, si simbol i ushtës dhe  flamurit. Kur e mbaron së lexuari vjershën të lind pyetja: të jetë thjesht një poezi me frymëzim patriotik? A mund të themi  që në pozitën që ndodhej poeti, të bënte aludime përtej motivit që trajton?

Një vit më pas (1969) festohet 25 vjetori i çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë. Poeti me këtë rast do të  shkruajë dy vjersha me të njëjtën temë (“Lapidari” dhe “Lapidarët”). Dhe tema është ajo e Luftës Antifashiste Nacional- Çlirimtare, të cilën e sheh të mishëruar në një imazh konkret, siç janë lapidarët e ngritur në kujtim të luftëtarëve të  rënë për liri. Dëshmi e gjakut të derdhur, e vetëmohimit dhe vetëflijimit të tyre, me të cilin u gdhend epopeja e luftës  çlirimtare. Poeti, i njësuar me idealet e saj, e evokon dhe e nderon me venerim, pavarësisht se ç’ka ndodhur me jetën e  tij.

Të njëjtin motiv, ai e rimerr në vjershën tjetër “Lapidari”, të cilën e zhvillon më gjerë, sipas modelit të poezisë  popullore, mbi bazën e një dialogu në mes hënës dhe vashës së luftëtarit të lirisë. Pyetjes së saj se ku është ai, hëna,  kjo dëshmitare e përjetshme, do t’i përgjigjet se ka rënë diku te një gur i thatë, mbi lofatë, duke mbetur kështu “flamur i  zjarrtë”, datë për armikun dhe barrikadë mbrojtëse për vashën. Vjershat e këtij motivi, ndonëse nuk shquhen për ndonjë  nivel, prapë kanë vlerë, sepse hedhin dritë mbi gjendjen shpirtërore dhe frymëzimin e tij në një kohë të vështirë.

Tre poezitë e fundit që na kanë arritur, edhe pse nuk kanë datë, i takojnë pak a shumë viteve kur janë shkruar dhe të  tjerat. Më interesantja prej tyre na duket vjersha “Nga një dramë e pambaruar”, një vepër që u nis, por nuk u krye nga  autori. Është fjala për shpirtin e njeriut, një temë aq’ e trajtuar nga poezia nëpër shekuj, për të cilën poeti shprehet në  këtë vjershë meditative. Në konceptin e tij, shpirti i njeriut paraqitet si një mikrounivers, me humnera dhe të përpjeta,  me të thella oqeani dhe maja Himalaje, ku përleshen ferri dhe parajsa. Në këtë sfond sa real aq dhe mitik qëndron njeriu si  përbindësh dhe perëndi! Ka të ngjarë që pesë vargjet e kësaj vjershe të jenë kredoja e dramës, në të cilën autori do të  shpaloste idetë e veta, filozofinë e tij për këtë fenomen universal e të përjetshëm. I përkthyer artistikisht ky fenomen,  në pendën e poetit, do të përcillte dhe shtjellonte përvojën nga kalvari i jetës së tij.

Një dimension tjetër i poetit na shfaqet në dy vjershat e tjera, siç është ai i humorit. “Njeriu me këmbajka dhe servilët”  dhe “Po saze dhe daulle…” janë vargje humoristike, të vetmet në gjithë krijimtarinë e tij, momente kur ai rreket të qeshë  e të tallet me realitetin e kohës, duke e stigmatizuar dhe fshikulluar. Në të parën flet tërthorazi përmes aludimeve të një  metafore orientale, në të dytën është i drejtpërdrejtë, hedh dritë në një aspekt konkret e të qartë të jetës shqiptare. Te  “Njeriu me kambajka dhe servilët” vihet në qendër figura e Udhëheqësit, i rrethuar nga ndjekësit dhe nëpunësit puthadorë.  Ai jepet si sulltan, një sundimtar absolut, i lidhur fort pas pushtetit dhe i dëshiruar për lavdi dhe lajka. Fryma tallëse  dhe stigmatizuese e bën vjershën sa humoristike aq dhe sarkastike. Të kujton në një farë mënyre vjershën e Nolit “Sulltani  dhe kabineti”, një koincidencë e rastësishme, që s’ka të bëjë me ndonjë ndikim, pasi poeti, në kushtet e izolimit ku  ndodhej, s’ka të ngjarë ta ketë njohur.

Edhe vjersha tjetër “Po saze dhe daulle…” ka të njëjtën frymëmarrje humoristike-satirike, por me një adresim real. Satira  e saj therëse i drejtohet letërsisë servile të kohës, nga e cila dëgjohen vetëm saze dhe daulle. Një letërsi, që për poetin  është konformiste dhe shërbëtore, e larguar nga tradita e saj e shëndoshë. Sepse nuk dëgjohen më fyelli dhe xhuraja e  Naimit, as jangari i Çajupit, po as lahuta e Fishtës dhe lyra e Nolit. Në këto situata, poeti, hipotikisht thyen sazet dhe  mandolinat dhe rrëmben lahutën, por më kot, sepse sazet dhe daullet ia mbysin zërin. Përshtypja që të mbetet është dufi i  hidhur i poetit, zemërimi i papërmbajtur ndaj gjithë asaj që po ndodh në letërsinë e ditës. Në fakt, vjersha ishte një  monolog me veten, që autori do ta këndonte vetë dhe do ta dëgjonte po vetë. Një gjendje kjo tepër trishtuar dhe paradoksale  për çdo poet.

Duke përfunduar do të thosha se në qoftë se jeta për shumë vite me radhë u tregua e pa drejtë me Sejfulla Maleshovën, me  historinë nuk ndodhi kështu. Është historia ajo që e ruajti figurën e tij. Kjo tufëzë vjershash, vjen nga analet e saj, jo  vetëm si një dëshmi, por dhe si një këngë zëplotë që poeti u përcillte brezave.

RRUGA JONË

(1946 – hyrje për një poemë, që nuk u shkrua)

Ngrihen përjetë si flamur

Kazma e lopata;

Marshon e kendon,

Sulmon si në luftë

Brigada.

 

Shikoni si shtohen, shumohen,

Si dalin brigada të reja.

Nuk janë njëzet a dyzet,

Po qindra legjione,

Po qindra e qindra flamurë,

Po qindra e qindra beteja.

 

E punës së lirë,

E sulmit të ri

U ngrit ushtria

Në krye,

Në ballë qëndron,

Si dje dhe sot,

Si nesër e mot,

Brigad’ e brigadave

Partia.

 

Atje ku shkon brigada,

Atje ku bien kazma e lopata,

Vullneti i punës lirë

Sundon atje mbi koh’ e hapësirë.

Hap toka gjin’ e shtrënjtë

Edhe përmbysen malet e shkëmbinjtë

Atje ku kazma bie,

Atje groposen shekuj robërie.

 

Kush tha se lufta sosi,

Shteroi forca jonë

E sulmi ra?

Shikoni sa flamurë,

Shikoni sa beteja,

Sa drit’ e zjarr që ka!

 

Po! N’ato llogore,

Ku sulmon brigada

Me pushkë, libra, kazma e lopata,

Atje,

Me vrull e zjarr,

Me ligjërime,

Shko dhe lëfto si dje,

O kënga ime.

 

LAPIDARËT

(1969)

Rrëzë një mali ngrihet lapidari,

Atje ku ra një trim, një bir fshatari.

Atje ku rrapi shekullor bën hie,

Me dalt’ u gdhënd një faqe historie.

Mbushur Atdheun plot me lapidarë,

Përgjon kudo armikun me pishtarë.

Atje, ku gjaku plasi si rrufe,

Me dalt’ u gdhënd e madhja epope.

Kontrolloni gjithashtu

Bajram Dërgut Bajraktari, 1908 - 1945

Bajram Dërgut Bajraktari, 1908 – 1945

Familja Bajraktari e Drenasit, (ish-Gllogovc) i takon fisit të Elshanëve, njëri ndër fiset antike të …