Personalitet me vlera të larta
Tre muaj nga shkuarja në amshim e fqinjit, bashkëvendësit, bashkëkombësit, bashkëkohësit Ahmet Ali Qeriqi. Ishte ndër personalitetet me vlera të larta njerëzore e humane. Në çështjet kombëtare ishte i pakompromis.
Që fëmijë, fare ferishte, ndjeu peshën e rëndë të padrejtësive dhe të shtypjes së regjimit jugosllav. Me sytë e tij pa skenat rrënqethëse të sulmeve dhe të veprimeve vandaliste të ushtarakëve e të policëve të Titos në familjen e vet dhe në familjen e dajave. Këto skena do t’i përjetojë rëndë dhe do të lënë vrragë të pashlyeshme në qenien e tij prej fëmije të ndjeshëm, që nuk do t’i harrojë kurrë.
Asnjëherë nuk u pajtua me pozitën nënshtruese, nënçmuese, fyese e poshtëruese të Kosovës dhe të shqiptarëve në Jugosllavi. Kjo gjendje, të cilën me kalimin e viteve po e ndjente shumë e më shumë, nisi ta pjekë e ta burrërojë heret. Që nga ato ditë, pozitën koloniale dhe politikën shtypëse dhe shfarosëse të Serbisë e të Jugosllavisë ndaj shqiptarëve, nisi ta luftojë me të gjitha mjetet e në të gjitha mënyrat. Për këtë, regjimi titist e rankoviqian e ndoqi, e akuzoi, e burgosi dhe disa herë e dënoi me shumë vite burg, të cilat, që në rini do t’i kalojë nëpër burgjet famëkëqia anembanë ngrehinës të quajtur Jugosllavi.
Kështu, regjimi serb e jugosllav, i ujdisur nga Tito e Rankoviqi dhe lakejt e tyre, e anatemuan duke i mohuar të drejtën e shkollimit e të punës, vite të tëra. Por asnjëherë nuk u nënshtrua, as nuk u ndal së vepruari në realizimin e objektivave që i kishte vënë vetes.
Ishte njohës i thellë i kulturës kombëtare dhe i letësisë shqiptare e botërore të të gjitha gjinive krijuese. Tregimet, romanet, kritika letrare dhe gjithë krijitaria e tij, unike si për nga forma, ashtu edhe nga përmbajtja, lexohen me ëndje nga të gjitha grupmoshat dhe nga të gjitha shtresat e popullit. Secila nga ato jep një mesazh dhe ka porosi të qartë kombëtare.
Pos angazhimeve dhe aktiviteteve në vazhdimësi të mëhershme, gjatë viteve 1998-1999, dha kontribut të jashtëzakonshëm në organizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në zhvillimin e luftës për çlirimin e Kosovës nga pushtuesi fashist serb.
Ato ditë, bashkë me të tjerë, nisi punën dhe themeloi Radion Kosova e Lirë. Kjo radio u bë zë i fuqishëm i luftës së lavdishme çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këtë radio, si dhe televizionin DIELLI që e themeloi më vonë, i udhëhoqi me përgjegjësi, i palëkundër që përmes tyre ta përçojë te auditori i gjerë idealin dhe interesin e kulluar kombëtar.
Nuk u ndal me kaq. Bëmat për kombin kurrë nuk i çmoi të mjaftueshme. Konsideronte se po mbetej borxhli ndaj atyre që derdhën gjakun dhe flijuan jetën – ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ishte ndër nismëtarët dhe themeluesit e redaksisë, që do të merret me grumbullimin e të dhënave dhe hartimin e MONOGRAFISË, në të cilën do të pasqyrohet jeta dhe veprimtaria luftarake e secilit ushtar që derdhi gjakun dhe ra në altarin e pavdeksisë për çlirimin e Kosovës nga pushtuesi barbar serb. Edhe titulli i zgjedhur, i përbashkët për të gjitha librat monografike që do të botohen – FENIKSËT E LIRISË – kishte simbolikën, që i shkon natyrës dhe përmbajtjes së këtyre shkrimeve. Puna për hartimin e monografive nisi pak kohë pas përfundimit të luftës dhe ende vazhdon.
Sigurisht se Ahmet Qeriqi do të ketë pasur edhe projekte të tjera, ende të papëmbyllura. Se nuk do t’ia ketë menduar vetes vdekjen kaq shpejt. Sigurisht se do të ketë pasur edhe shumëçka për të thënë, edhe shumëçka për të bërë po të zgjatte jeta. Edhe çdo ditë edhe çdo moment do ta mbushte me punë, me angazhim. Siç u shpreh njëri nga pjesëmarrësit në lamtumirën e fundit, po të ishte e mundshme, DO TË JEPJA NGA VITET E MIA, QË AHMET QERIQI TA VAZHDONTE JETËN!
Ndonëse i sëmurë rëndë, Ahmet Ali Qeriqi nuk e ndali punën në shërbim të atdheut e kombit, deri në frymë fundit, në mëngjesin e të premtes së 7 marsit 2025. Do të ndjehet shumë mungesa e tij në familje, në rrethin shoqëror dhe më gjerë. Boshllëku që ngeli pas tij, zor të përmbushet.
Qoftë i lehtë dheu i tokës shqiptare, të cilën e deshti aq shumë e për të cilën punoi aq shumë!
***
Shtator i vitit vijues shkollor. Po nisnim mësimet, unë në klasën dytë, Ahmeti në klasën e katër. Sigurisht në klasën e tij disa nxënës ende nuk lexonin mirë. Se ku e kishte gjetë një fjalë me shumë rrokje dhe e kisht shkruar në një fletë. Nuk më kujtohet cila ishte ajo fjalë. E kishte marrë një grup nxënësish të klasës së vet dhe, në kohë pushimi mes orëve të mësimit, erdhi dhe më kërkoi në klasë. Ma zgjati letrën me fjalën e shkruar në të
– A mund ta lexosh? – më tha.
– Me shkronja, apo me rrokje?
– As me shkronja, as me rrokje, por lexoje ashtu siç flasim çdo ditë.
Ia lëshova një sy fjalës që kishte shkruar në atë letër dhe e lexova ashtu siç më tha.
– Ju thash! – nisi t’i qortojë shokët. – Më mirë lexojnë ata që kanë kryer klasën e parë, se ju!
*
Ishim në pushimet e verës. Nuk e di kisha kry klasën e tretë, apo të katërtën. Ahmeti, pas kryerjes të klasës së katër, pat shkuar në Prishtinë për të vazhduar mësimet nga klasa e pestë. Takoheshim vetëm gjatë pushimeve të verës.
Nuk e di ishte dëshira e tij, apo sipas kërkesës së familjes, një ditë donte të shkonte te dajat. Erdh dhe kërkoi nga prindët e mi të më lejonin që të shkoj edhe unë me të.
– More bir, ju të dy jeni të vegjël ta bëni gjithë atë atë udhë deri atje! Tani të vetëm ta kaloni gjithë atë mal (Lipovica, tash Blinaja), ditën me diell asaj rruge është terr. Thonë se atij mali sillën edhe gja të egra, – tërhoqi vërejtjen nëna.
– Jo, nuk do të jemi vetëm, – tha Ahmeti. – Çdo ditë asaj rruge shkojnë e vinë minatorët e Goleshit. Nuk është folë se u ka ndodh diçka.
-Po ata janë të mëdhenj, mor bir!
Kaluam fshatin tonë dhe u futem në Lipovicë (tash Blinajë). Në të dy anët druj të lartë, të shpeshtë ding. Rruga në gjymëterr, e dëmtuar nga reshjet, e paprekur nga dora e njeriut.
– Dil përpara, – më tha. – Dola. Ecëm një copë herë ashtu.
– Them të ecësh ti përpara. E njeh më mirë këtë rrugë. – Dhe i ndërruam rolet.
Ecnim pa thënë asnjë fjalë. Ishte hera e parë që po kaloja kësaj. Askush tjetër, asnjë pëptimë, pos ndonjë zë shendi aty-këtu. Po rikujtoja atë që tha nëna para se të nisëmi. Dhe, mund të përballemi me ndonjë të papritur, nisa ta vras mendjen dhe paksa të ndjejë droje. Ahmeti ndoshta nuk e kishte këtë ndjesi, se këtë rrugë po e kalonte për të satën herë. Ndonjë hap para meje, më bëhej se jemi larg nga njëri-tjetri.
– Prit, – i them. – Ma je dorën. – Dhe ashtu, dorë për dore, ecëm gjatë, edhe pasi mbërritëm në rrugët më të gjëra dhe në ambiente më të hapura.
Te dajat arritëm goxha herët. Ndoshta edhe pa rënë terri, mund të ktheheshim në shtëpi.
– Jo, çfarë! – tha dajë Abdullahi. – Nuk bën ta luani këmbën! T’u zë terri në rrugë. Nesër dita e re, nafaka e re.
*
Gjatë vitit shkollor vetëm në ndonjë rast vizite mund të takoheshim. Por, gjatë pushimeve të verës takoheshim rregullisht. Ikte nga Prishtina dhe vinte në familje. Kur afrohej shtatori e piqeshin lajthitë, merrnim malit. Zgjidhnim ato shpatije të pasura me dru lajthishë. Pasi mblidhnim një sasi, uleshim dhe luanim “qift a tek”. Ia fshisha me fund strajcën! Por, herën tjetër “ma zëke” deri kokrrën e fundi. Nuk ishin raste të rralla ia dhësha “falas” një sasi goxha të madhe, se shkon atje e “ata në sheher kanë mallë për gjithçka”…
Mandej jeta mori rrjedhat e veta dhe nuk mund të ishim gjithnjë bashkë.
Sa e pamëshirshme është vdekja! Sa e rëndë është të ndahesh nga i yti e të mos e takosh më kurrë!
Pastë dritë shpirti yt në Parajs!