Në Gjykatën Speciale në Hagë, dëshmitë e thirrura në procesin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi po zhvillohen nën mbikëqyrjen e afërt të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar. Shaun Byrnes, ish-përfaqësues i misionit diplomatik vëzhgues amerikan gjatë luftës në Kosovë, do të dëshmojë me leje të posaçme nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Me këtë autorizim, ai do t’u nënshtrohet kufizimeve si për pyetjet që mund t’i bëhen, ashtu edhe për temat që mund të trajtojë, duke shmangur informatat konfidenciale. Për këtë arsye, përfaqësues të qeverisë amerikane do të jenë të pranishëm në sallën e gjyqit gjatë dëshmive. Avokati kryesor i Thaçit, Luka Misetiq, ka bërë të ditur se një kërkesë formale për këto masa do të dorëzohet së shpejti. Ndërkohë, edhe Mbretëria e Bashkuar ka dhënë dritën e gjelbër për një dëshmitar që pritet të paraqitet më 22 shtator, duke vënë kushte të ngjashme me ato të Uashingtonit. Misetiq ka theksuar se për shkak të intensitetit të procesit, Thaçi do të përqendrohet tërësisht në këtë gjykim, ndërsa mbrojtja po kërkon shtyrjen e procesit tjetër ndaj tij, për tentim-pengim të drejtësisë, për në mars 2026.
