Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka mirëpritur marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian për zbatimin e Ligjit për të huajt, duke theksuar se çdo ndryshim që prek komunitetin serb duhet të bëhet në konsultim me përfaqësuesit e tij. Në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënës i ambasadës ka vlerësuar angazhimin e palëve për të arritur një zgjidhje të pranueshme. “E përgëzojmë angazhimin e palëve në këtë çështje për të arritur zgjidhje të pranueshme për të dyja palët”, thuhet në reagim. Qeveria e Kosovës njoftoi më 14 mars se do të ofrojë leje të përkohshme qëndrimi dhe do t’i njohë letërnjoftimet për pjesëtarët e komunitetit serb që nuk posedojnë dokumente të Kosovës, në përputhje me Ligjin për të huajt dhe atë për automjetet, i cili ka hyrë plotësisht në fuqi më 15 mars. Vendimi u bë publik pas takimit ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen. Ligji parasheh që të gjithë banorët pa dokumente të Kosovës të pajisen me leje qëndrimi, ndërsa automjetet me targa të huaja mund të qarkullojnë deri në tre muaj, ose vetëm me autorizim. Megjithatë, zbatimi i këtyre masave nuk do t’i prekë serbët e Kosovës për një periudhë 12-mujore.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
