SHBPK: Kundër kërkesës së Prokurorisë Speciale për dënime drastike me bazë armiqësore ndaj drejtuesve të UÇK-së

Kundër kërkesës së Prokurorisë Speciale për dënime drastike me bazë armiqësore ndaj drejtuesve të UÇK-së: Hashim Thaqit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rrexhep Selimit.

Kërkesa e Prokurorisë Speciale për dënime drastike ndaj drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përbën jo vetëm një akt juridik të diskutueshëm, por një akt politik me pasoja të rënda historike dhe morale.

Ky proces ka kohë që ka pushuar së qeni thjesht një gjykim penal individual. Ai është shndërruar në një gjykim të vetë luftës çlirimtare të Kosovës, në një përpjekje për ta zhvendosur barrën morale dhe historike nga agresori tek viktima, nga shteti që kreu krime sistematike tek populli që u mbrojt.

UÇK-ja nuk ishte projekt kriminal, por përgjigjja e fundit e një populli të shtypur ndaj dhunës shtetërore, spastrimit etnik dhe mohimit të ekzistencës politike. Ta trajtosh udhëheqjen e saj si strukturë kriminale është të deformosh kontekstin historik dhe të relativizosh krimet e dokumentuara të Serbisë në Kosovë.

Askush nuk është mbi ligjin. Por ligji që shkëputet nga e vërteta historike dhe nga proporcionaliteti moral shndërrohet në instrument padrejtësie. Drejtësia selektive, e ndërtuar mbi narrativë politike dhe jo mbi standard të barabartë, nuk shëron plagë – i thellon ato.

Kjo qasje e Prokurorisë Speciale nuk sjell pajtim, nuk sjell drejtësi për viktimat dhe nuk ndërton paqe. Ajo prodhon ndjenjë poshtërimi kolektiv dhe rrezikon të kriminalizojë vetë të drejtën për rezistencë ndaj shtypjes.

Kosova nuk ka nevojë për një drejtësi që rishkruan historinë, por për një drejtësi që e njeh dallimin mes agresionit dhe mbrojtjes, mes krimit dhe çlirimit.

Kontrolloni gjithashtu

Ismet Sylejmani: LETËR SHOQATËS SË TË BURGOSURVE POLITIK TË KOSOVËS

Në mungesë të përgjigjjes ndaj Propozim-Kërkesës për Shtatoren e të Burgosurit Politik Shqiptar në Prishtinë! …