Njohësi i çështjeve politike, Shemsi Jashari, ka kritikuar ashpër Qeverinë, duke e akuzuar për tejkalim të kompetencave kushtetuese dhe përpjekje për zgjerim të pushtetit përmes ligjeve që, sipas tij, bien ndesh me Kushtetutën. Jashari tha se gjatë pesë viteve të fundit Gjykata Kushtetuese e Kosovës është angazhuar rreth 20 herë për shkak të vendimeve të Qeverisë, të cilat ai i cilësoi si të qarta dhe të panevojshme për interpretim. Ai vlerësoi se një numër i madh ligjesh të miratuara janë shpallur antikushtetuese, duke argumentuar se kjo tregon tendencë të ekzekutivit për të marrë kompetenca që nuk i takojnë. Sipas Jasharit, edhe pse Lëvizja Vetëvendosje kishte ardhur me retorikë kundër “kapjes së shtetit”, veprimet në qeverisje, sipas tij, tregojnë të kundërtën. Ai kritikoi gjithashtu kërkesën për interpretim kushtetues lidhur me zgjedhjen e presidentit, duke e cilësuar çështjen si të qartë dhe duke pretenduar se synimi është zgjerimi i ndikimit politik në institucione të tjera. Në këtë kontekst, Jashari tha se përplasjet e vazhdueshme me Gjykatën Kushtetuese dhe kontestimi i vendimeve të saj tregojnë, sipas tij, për një përpjekje të Qeverisë për të tejkaluar mandatin ligjor dhe për të rritur kontrollin institucional.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
