Brickos

Shënimi i 40-vjetorit të bashkimit të organizatave atdhetare

Në Rahovec u shënua 40-vjetori i bashkimit të organizatave atdhetare, në këtë takim i pranishëm ishte edhe kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi i cili mbajti një fjalë rasti, ku ndër të tjera tha:

Bashkimi bëhet me qëllim të rritjes së efektivitetit, rritjes së mundësive për ndryshimin e realitetit dhe ndryshimin e raportit të forcave. E kundërta e kësaj është ndarja, përçarja, individualizmi e kapardisja, të cilat janë vese që minimizojnë edhe rolin e individit në shoqëri. Fatkeqësi të shumta e kanë përcjellë kombin shqiptar, sepse armiqtë kanë zëvendësuar njëri-tjetrin, ndërsa ne jemi sfilitur për të gjetur mënyra mbijetese. Copëzimi ka ndikuar në zvogëlimin e masës ndikuese në proceset e rëndësishme historike, duke na bërë të pafuqishëm karshi armiqve tanë, të cilët i kanë përdorur të gjitha mjetet në dispozicion për ta zbrazur këtë tokë nga elementi shqiptar. Ata nuk ia kanë dalë plotësisht, ndonëse efektet e atyre masave represive po i vuajmë edhe sot. Në kohën kur bota ishte ndarë në sfera bipolare dhe kur për popujt e vegjël vendosnin “të mëdhenjtë” apo edhe nuk merreshin fare në shqyrtim kërkesat dhe interesat e tyre, shqiptarët mundën ta ruajnë qenien e tyre etnike dhe të pretendojnë për më shumë. Për ta arritur këtë nuk ka qenë aspak e lehtë, sepse është dashur mund, djersë e gjak për unifikimin e mendjeve e të zemrave nën masat e rrepta të dhunës e përndjekjes. Si një shembull i mirë në historinë tonë më të re mund të përmendet edhe bashkimi i organizatave ilegale shqiptare në fillim të viteve ’80. Nuk është se nuk ka pasur përpjekje pararendëse, porse ashpërsia e masave ndëshkimore ndaj atyre që kanë guxuar ka qenë e jashtëzakonshme, çnjerëzore. Sa shumë gjenerata kanë shkuar në amshim pa e parë një ditë të bardhë! Dhuna ka qenë kryefjala e armiqve tanë, të cilët me plane e platforma shtetërore kanë praktikuar politikën e tokës së djegur, dëbimeve, vrasjeve, dhunimeve e persekutimeve të pashembullta në histori. Fatkeqësisht, shumë pak fakte e dëshmi janë mbledhur e shkruar për këtë dhunë, ngase në rrethanat e caktuara shqiptarët nuk patën mbështetjen e ndonjë fuqie vendimmarrëse në skenën botërore. Këto masa represive janë regjistruar e publikuar nga ndonjë humanist i huaj, por pa arritur të ndryshojë qëndrimin shpërfillës ndaj shqiptarëve. Vendosja e të ashtuquajturit “Pushteti popullor”, pas vrasjeve e dëbimeve të shumta që u bënë në tokën shqiptare, imponoi një masë kujdesi ndaj opinionit publik ndërkombëtar dhe kjo rrethanë ishte në favorin tonë. Hapja e shkollave dhe vendosja e disa shqiptarëve në krye të disa institucioneve të kohës u bë po ashtu pas protestave e mospajtimeve masive të studentëve dhe shtresës së re intelektuale. Rreziku nga shpërbërja dhe asimilimi ndikoi që një shtresë e vetëdijesuar e shqiptarëve të ndërmarrin veprime që binin ndesh me kornizën juridike jugosllave, ndonëse ishin të vetëdijshëm për pasojat. Veprimtarët e shumtë ushtruan veprimtarinë e tyre atdhetare nën presionin e madh të organeve të rendit dhe të shërbimit sekret, duke e nxjerrë në shesh të vërtetën dhe pabarazinë e madhe, në një shtet që pretendonte se e kishte zgjidhur në mënyrën më të mirë të mundshme çështjen e të drejtave të pakicave. Shqiptarët ishin të shtypur e nën shfrytëzim të egër, atyre u mohohej e drejta kombëtare për barazi e vetëvendosje, edhe pse ishim popull dhe jo pakicë në krijesën shtetërore të quajtur Jugosllavi. Për ta ndryshuar këtë gjendje të rëndë, ndërgjegjja kombëtare kurrë nuk e pushoi angazhimin për liri dhe të drejta kombëtare, pavarësisht ashpërsisë dhe egërsisë së regjimit pushtues serbo-jugosllav.

Të nderuar të pranishëm!

Bashkimi i potencialeve njerëzore e intelektuale në atë kohë ishte shumë i vështirë dhe i rrezikshëm, mirëpo dikush gjeti mundësi e hapësira për një gjë të tillë. Ata e arritën këtë bashkim, ndonëse e paguan me jetë këtë arritje sublime të organizatave ilegale të kohës. Dhe për këto, në etapa vendimtare historike, pikërisht në kohë kthesash dhe ngjarjesh të mëdha, ka shembuj të goditjeve të forta kundër nesh, biles edhe flijime të atdhetarëve e prijësve tanë, qoftë në vigjilje të bashkimit, ose edhe menjëherë pas bashkimit. Pra, valë arrestimesh, humbje të dukshme për ne e goditje nga armiqtë tanë, pas cilësdo përpjekjeje serioze, ose pas cilitdo rezultat të përpjekjeve për bashkim të individëve, grupeve e organizatave tona atdhetare.  Prandaj, personalisht qëndroj prapa atyre që e kujtojnë atë epokë të rëndë për shqiptarët dhe që nderojnë kujtimin për veprimtarët që çështjen e lirisë së atdheut e vunë para të gjitha interesave të tjera. Edhe organizimi i kësaj akademie, që mund të quhet politike apo edhe historike, është në vazhdën e angazhimeve tona për ta ruajtur kujtesën tonë historike dhe për t’ju dokumentuar brezave vështirësitë dhe rreziqet nëpër të cilat kanë kaluar shqiptarët. Jam i nderuar që sot po shënojmë 40  – vjetorin e bashkimit të organizatave atdhetare që pa kompromis luftuan për idealin e çlirimit dhe të bashkimit. Përgëzoj Shoqërinë Lëvizja që po angazhohet për të kujtuar ngjarje, kontribute, përpjekje e sakrifica që tregojnë rrugën e vështirë të gjakimit tonë për liri. Me arkivimin e fakteve, jo vetëm që shlyejmë një detyrim ndaj historisë e i shërbejmë brezave të sotëm, por edhe të ardhmes e brezave që vijnë. Jam i vetëdijshëm se ky aktivitet do të hedhë dritë edhe mbi veprimtarinë e shumë njerëzve të përkushtuar për çështjen kombëtare në rrethin e Rahovecit. Historikisht kjo anë ka qenë në anën e drejtë të historisë dhe i ka kontribuuar çështjes së përgjithshme, jo vetëm me bukë, kripë e zemër, por edhe me rezistencë e qëndresë, pa u ndalur asnjëherë, pavarësisht ndëshkimeve, përndjekjeve, burgosjeve e shumë të zezave që na sollën armiqtë. Kjo trevë dha shumë luftëtarë të denjë e derdhi rrëke gjaku për liri, dha armë e barot për luftën tonë, duke qenë pjesë e pandashme në të gjitha etapat e rrugëtimit të dhimbshëm e krenar të Kosovës për liri. Andaj, uroj që këtë veprimtari dhe sakrificat e shumta të banorëve të kësaj ane të mblidhen e dokumentohen dhe në të ardhmen edhe të publikohen. Mbetem i përkushtuar që ta ndihmojmë çdo nismë që hedh dritë mbi të kaluarën dhe të tashmen e popullit të komunës së Rahovecit dhe jo vetëm kaq. Kësaj akademie i uroj punë të mbarë me bindjen se së bashku do të jemi më të fortë në përmbushjen e amanetit të brezave, që dhanë kontribut në Lëvizjen tonë Kombëtare për Çlirim, i falën jetën lirisë së atdheut e u përjetësuan pa e parë e përjetuar një ditë të bardhë dhe rrezet e dritës së lirisë.

Urime dhe punë të mbarë!

Mund të jetë një imazh i 8 persona

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Latifi mbajti mbledhjen e radhës me drejtorët e drejtorive

Kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi, mbajti mbledhjen e përjavshme me drejtorët e drejtorive, …