Me një program kulturo-artistik, Shkolla Fillore e Mesme e Ulët “Agim Bajrami” në Stagovë shënoi Ditën e Shkollës dhe ditëlindjen e Komandant Agim Bajramit.
I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe Kryetari i Komunës Sabedin Vishi, i cili uroi nxënësit dhe mësimdhënësit për Ditën e Shkollës, ndërsa vlerësoi lart sakrificën e Komandantit të Brigadës 162, Agim Bajrami, në çlirimin e atdheut tonë.
“Shumë patriotë dhe figura të çmuara të historisë sonë të ndritshme dhanë shumë për lirinë që ne sot e gëzojmë. I tillë ishte edhe Agimi, i cili la lluksin e mërgimit për t’u bashkuar me shokët e luftës dhe idealit, duke u sakrifikuar për lirinë që sot e gëzojmë. Më lejoni që me këtë rast t’i uroj nxënësit dhe mësimdhënësit për Ditën e Shkollës që me krenari mbanë emrin e Heroit Agim Bajrami.
Shkollat janë tempuj të dijes dhe dija është arma më e fuqishme e një kombi. Nga këtu i inkurajojmë nxënësit për punë dhe arritje të reja. Po ashtu, shprehim përkushtimin tonë institucional për infrastrukturë moderne arsimore digjitale dhe për ngritjen e cilësisë në arsim”, tha Kryetari Vishi.
Drejtori i Shkollës Fillore e Mesme të Ulët “Agim Bajrami”, Xhevdet Hysa, shpalosi historikun dhe arritjet e nxënësve, si dhe foli për veprën heroike të Komandant Agimit.
Të pranishmit i përshëndeti dhe i falenderoi për pjesëmarrje, bashkëshortja e Komandant Agimit, Zarije Zenuni – Bajrami.
Në fund, u vendosën lule pranë bustit të Heroit Agim Bajrami – Komandant Zefi.