SHFMU “Xhevë Krasniqi – Lladroci” shënon Ditën e Shkollës

Sot, Shkolla Fillore dhe e Mesme e Ulët (SHFMU) “Xhevë Krasniqi – Lladroci” në Drenoc ka shënuar Ditën e Shkollës, e cila lidhet me 1 Qershorin, ditëlindjen e heroinës së kombit, dëshmores Xhevë Krasniqi – Lladrovci.

Në këtë aktivitet mori pjesë edhe përgjegjësi i Drejtorisë për Arsim dhe Edukim në Malishevë, Sabit Berisha, i cili përshëndeti të pranishmit dhe uroi nxënësit e mësimdhënësit për këtë ditë të veçantë.

“Kjo nuk është vetëm një ditë shkolle, por një ditë përkujtimi dhe nderimi për një personalitet të madh të kombit, e cila sakrifikoi gjithçka për lirinë tonë. Falë kësaj sakrifice, ne sot festojmë në liri. Në emër të kryetarit të Komunës, z. Ekrem Kastrati, dhe në emër të Drejtorisë për Arsim dhe Edukim, ju uroj përzemërsisht Ditën e Shkollës dhe ju dëshiroj suksese edhe më të mëdha në të ardhmen”, u shpreh Berisha.

Drejtori i shkollës, Blerim Krasniqi, foli për të arriturat gjatë këtij viti shkollor, duke falënderuar mësimdhënësit, prindërit dhe nxënësit për përkushtimin dhe sukseset e treguara.

Shkolla mban me krenari emrin e heroinës Xhevë Krasniqi – Lladrovci, e lindur në këtë fshat. Ajo njihet për heroizmin dhe kontributin e saj në luftën çlirimtare. Profesoreshë e gjuhës shqipe dhe juriste e diplomuar, Xhevë Krasniqi – Lladrovci ra heroikisht më 22 shtator 1998 në Gradinë. Pas rënies, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, iu dha grada Gjeneral Major, duke u bërë gruaja e parë shqiptare që ka mbajtur këtë gradë ushtarake.

Kontrolloni gjithashtu

Pensionohet punëtorja teknike Kata Pala

Me rastin e pensionimit të znj. Kata Pala, punëtores teknike të shkollës fillore të mesme …