– Periudha e Realizmit Socialist në artet figurative, për mua, ka qenë periudha më e lavdishme e intitucionalizuar e artit shqiptar.
-Kemi patur një plejadë të shkëlqyer mësuesish artistë, që kishin studiuar në perëndim dhe sollën eksperiencat më të mira artistiko-pedagogjike.
-Piktura e parë ka qenë kompozimi i titulluar “Traktoristi” e realizuar në klasën e pestë”
– Fatkeqësisht në Shqipëri nuk është bërë akoma kulturë koleksionimi i veprave të artit në familjet e tyre.
– Që nga viti 1992, kur nisa rrugëtimin tim artistik dhe gjer më sot numërohen mbi 60 ekspozita personale dhe të përbashkëta, brenda dhe jashtë Shqipërisë.
– Sot me art mund të jetoj vetëm shpirtërisht, por jo materialisht.
– Nudoja përbën një pjesë të rëndësishme të krijimtarisë sime artistike në pikturë dhe në skulptura guri dhe druri.
Intervistoi: Albert Z. ZHOLI
Shkëlqimi është një artist shpërthyes, atdhetar, studiues, dhe mjaft kërkues ndaj vetes. Ai ka mbaruar Liceun Artistik për pikturë dhe fatkeqësisht nuk pati mundësi në sistemin monist të vazhdonte Akademinë e Arteve për disa arsye që s’ka pse të bëhen publike. Më vonë vazhdoi Universitetin Pedagogjik, në Gjirokastër dhe kjo shkollë i dha mundësi të tjera më të mira. Sipas shumë piktorëve, miqve, kritikëve të pikturës, apo në biseda me artistë të njohur të artit në Shqipëri, ata kanë vërejtur një lloj ndryshimi midis artit të pikturës që bëjnë artistët e Akademisë shqiptare, me artin e tij. Në krijimtarinë e tij ai sjell një art të ri të performuari, sjell njëlloj pikture apo skulpture që nuk ngjan me atë që ne shohim përditë, dhe kjo vjen si rezultat i studimeve të tij universale, kërkimeve të tijë individuale mbi artin, pasi ka pasur miq dhe mësues profesionistë të tillë si Kel Kodheli, i cili ka punuar me të qysh në vitin e dytë të shkollës së mesme dhe shumë vite mbrapa, ka bashkëpunuar me një artist shumë të njohur, durrsak Gavril Priftuli, të cilët të dy s’janë më gjallë, por që, mbeten pika referimi për artin. Gjithashtu, ka pasur miq të shkëlqyer në Gjirokastër, mjeshtra të punimit të gurit dhe të drurit, artistë mjaft të njohur, ku ndërkohë në bisedë ai nuk lë mënjanë miqtë e tij në Fier si Minella Saro, apo dhe ndonjë tjetër që kanë ndriçuar në rrugën e tijë.
Piktura një profesion i bukur, frymëzues dhe shtysë vizionesh, si lindi dëshira për pikturë dhe kush e zbuloi talentin tuaj?
Piktura dhe e bukura kanë lindur bashkë me mua, thjesht gjetën pak hapësirë drite për t’u zhvilluar. Mësuesi im i parë, që më nxiti në rrugën e artit, ka qenë piktori i njohur fierak, Minella Saro.
-Cila ishte piktura juaj e parë dhe kush e vlerësoi?
Piktura e parë ka qenë kompozimi i titulluar “Traktoristi”. Në të ishte pikturuar një traktor duke pluguar tokën, në një etyd kodrinor fshati, të cilën e realizova në klasën e pestë. Të gjithë shokët e klasës e pëlqyen, por më kanë mbetur në mendje fjalët inkurajuese të mësuesit të matematikës.
-Në shkollë kush ishte mësuesi/ juaj që ju mbështeti për këtë rrugëtim. Cilat ishin mësimet e tij për ju?
Pas një pune disavjeçare përgatitore, konkurrova dhe fitova konkursin për në liceun artistik “Jakov Xoxa,” në Fier. Nisa rrugëtimin tim artistik në rrugën e vështirë dhe të bukur të artit. Në atë kohë caktohej një mësues si udhëheqës artistik, i cili ndiqte për katër vite me radhë zhvillimin e formimit tonë artistik dhe, për fatin tim të mirë, mësues ishte Irakli Gjini, një piktor i talentuar, i cili kishte aftësi jo vetën profesionale, por aftësi të veçanta psiko-pedagogjike. Depërtoi në thellësi të qenies sime, duke më gjetur çelësin magjik të motivimit, për të arritur më të mirën në pikturë dhe vizatim.
-Kur dhe si konkurruat për pikturë, çfarë ju dhanë për të pikturuar dhe kush ishte në komision? Cili ishte vlerësimi?
Nuk i njihja anëtarët e komisionit, por të vetmin që mbaj mend ishte piktori Kujtim Buza, i cili u befasua nga niveli i punëve të mia. Në vitin 1990 konkurrova për në institutin e Lartë të Arteve. Si model në konkurs kishim një figurë njerëzore, një burr të ulur në një karrige. E realizova detyrën shkëlqyer dhe, midis diskutimeve të bashkëkonkuruesve, piktura ime ishte e rreshtuar në tre të parat e grupit tim. Në këtë konkurs puna ime u rendit në vendin e 14 -të, gjysmë pike larg vendit të13-të fitues nga 30 konkurrentë.
– Kur e keni hapur ekspozitën e parë dhe ku? Sa piktura kishit dhe çfarë gjinie ishin pikturat?
Vazhdova studimet në Universitetin e Gjirokastrës për mësuesi. Këtu vazhdova t’i jepja jetë ëndërrës dhe pasionit tim për pikturën, me ndihmën dhe mbështetjen e artistëve të këtij qyteti magjik. Në vitin 1992, në moshën 20-vjeçare hapa ekspozitën time të parë si student, me mbi 30 punë në pikturë, peizazhe në teknikën e vajit dhe portrete në teknikën e lapsit, me ndihmën dhe përkrahjen e profesor Perlat Aliut, piktor pedagog, Albert Kasit, skulptor dhe Llambi Margaritit, skulptor pedagog. Kjo ekspozitë u publikua në mediat e kohës.
–A janë pedagogët e shkollës së pikturës shqiptare të nivelit Evropian? A kishte prirje për të parë piktorët e huaj me famë në sistemin komunist?
Kemi patur një plejadë të shkëlqyer mësuesish artistë, që kishin studiuar në perëndim dhe sollën këtu eksperiencat më të mira artistiko-pedagogjike, të cilat i vunë në shërbim të artit dhe artistëve shqiptarë. Kjo traditë vazhdon të përsoset edhe sot me eksperienca bashkëkohore artistike. Pavarësisht censurës së regjimit, ne ushqeheshim me krijimtarinë artistike të shumë artistëve të mëdhenj të artit botëror, me ato pak mundësi që kishim për t’i gjetur.
-Thuhet se piktorët Shqiptarë janë shumë konkurrues në Evropë, a është e vërtetë dhe cilët janë piktorët me në zë Shqiptarë për ju?
Ne, në tërë qenien tonë, kemi një mbivlerësim për gjithçka që na vjen nga jashtë, por këtu ka pasur dhe do të ketë artistë, që rezonojnë me çdo lëvizje bashkëkohore në arte dhe kulturë. Janë të shumtë artistët shqiptarë, si: Alush Shima, Gazment Leka etj, që kanë çarë me zotësinë e tyre në tregun e artit evropian. Këtu mungojnë institucinet përkatëse, që promovojnë dhe marketojnë vlerat artistike të artistëve tanë.
– A është bërë kulturë mbajtja e një pikture origjinale në shtëpitë shqiptare? Apo vazhdohet me piktura të kopjuara seriale?
Fatkeqësisht në Shqipëri nuk është bërë akoma kulturë koleksionimi i veprave të artit në familjet e tyre, pavarësisht nivelit ekonomik, për t’i pasur ato.
– Si do ta cilësoni pikturën e realizmit socialist pasi sot ka kritika të ashpra ndaj saj…A ka pasur vlera?
Periudha e Realizmit Socialist në artet figurative, për mua, ka qenë periudha më e lavdishme e intitucionalizuar e artit shqiptar, që kemi trashëguar, pavarësisht ideologjizmave të sistemit.
– Në sistemin komunist a keni pa momente të vështira për mënyrën e pikturës. A keni pikturuar ndonjë ish-udhëheqës komunist dhe a keni takuar ndonjë prej tyre?
Unë i përkas një brezi artistësh, që nuk patën ato peripeci krijuese si të brezave pararendës në artet figurative shqiptare.
– Sa ekspozita ke hapur deri më sot? Vlerësimet…
Që nga viti 1992, kur nisa rrugëtimin tim artistik dhe gjer më sot numërohen mbi 60 ekspozita personale dhe të përbashkëta, brenda dhe jashtë Shqipërisë, ku jam vlerësuar me çertefikata të ndryshme.
– A mund të jetosh sot me pikturë?
Sot me art mund të jetoj vetëm shpirtërisht, por jo materialisht.
–Cilat janë pikturat tuaja më të vlerësuara?
Në këtë moment jetësore të krijimtarisë sime artistike, të një periudhe afro 40-vjeçare, kam të koleksionuar mbi një mijë vepra arti në pikturë, skulpturë, mozaikë dhe grafikë. E kam të vështirë të veçoj ndonjërën prej tyre. Secila prej tyre është një dashuri më vete dhe dëshiroj që kudo që të vendosen t’u falin artdashësve kënaqësi estetike dhe shpirtërore.
Ai që më bën krenar dhe besoj që do t’i mbetet historisë së artit, është personazhi “Mbreti Kreshtan,” një portret i gdhendur në gur, një trill artistik mit, që i bën jehonë hisorisë së lavdishme të vendlindjes sime, Kreshpanit.
-Cilët janë piktorët në botë që ju impresionojnë?
Janë të shumtë piktorët dhe skulptorët, që janë bërë burim frymëzimi për mua, për veçantinë dhe tipologjinë artistike, që kanë shfaqur me artin e tyre. Do të veçoja: Vangogun, Dalin, Shagallin, dhe piktorin me origjinë shqiptare Ibrahim Kodra.
-Piktorët janë pijedashës pasi i nxit për frymëzim, cila pije është më e preferuara dhe pse?
Unë nuk i përkas kësaj tipologjie artisti. Unë jam i tejmbushur me frymëzim hyjnor nga historia dhe kultura e popullit tim dhe luftoj me të pamundurën për t’i realizuar ato.
-Raportet me pikturat nudo?
Nudoja përbën një pjesë të rëndësishme të krijimtarisë sime artistike në pikturë dhe në skulptura guri dhe druri. Trajtimi i tyre është i larmishëm si një subjekt atraktiv fizik dhe ndjesor, por edhe një lajtmotiv shpirtëror e jetësor.
-Cilat janë problemet e pikturës shqiptare sot?
Në sitemin komunist kishte një organinizim institucional, si në të gjitha fushat e jetës edhe në arte, pavarësisht të tjerave, por kishte një trampolinë promovimi dhe marketingu të shkëlqyer për artistët. Sot ne ndihemi të braktisur, pa busull dhe në mëshirë të fatit, të vetëm.
-Politika shqiptare a i vlerëson piktorët shqiptarë? Po vetë a jeni marrë me politikë?
Jam një individ idealist e human, i drejtpërdrejtë dhe miqësor, bëj detyrën si qytetar i këtij vendi, pa u përfshirë në asnjë fushë tjetër përveç artit.
– Thuhet se vlerësoni më shumë peizazhin dhe kompozimin, pse?
Si artist kam trajtuar që në fillimet e mia peizazhin. Duke njohur dhe shijuar natyrën e kam interpretuar atë në të gjitha këndvështrimet e krijimit. Shpirti artistik është ngjizur tek kompozimi, i cili vjen në krijimtarinë time në tipologjinë e psiko-neorotikës, ku figuracioni shfaqet e zhvillohet në gjithëkohësi elementesh artistikë, i ndërthurur gjer në abstraksion me peizazhin.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
