Brickos

Shkolla ekonomike shënoi 61-vjetorin e punës

Nxënës, punonjës të arsimit, prindër dhe udhëheqës të Komunës së Ferizajt, morën pjesë në shënimin e 61-vjetorit të shkollës së mesme ekonomike “Faik Konica” të Ferizajt.

Drejtori i shkollës Skënder Haxhimusa, paraqiti para të pranishmëve një historik vatrës edukative që drejton, sukseset, sfidat dhe kontributet që e kanë përshkuar periudhën mbi gjashtëdekadëshe. Ai theksoi se nga kjo shkollë kanë dalë kuadro të të gjitha profileve, që kanë dhënë e vazhdojnë të japin kontribut të çmuar, si bartës të funksioneve në të gjitha nivelet udhëheqëse. Drejtor Haxhimusa bëri të ditur se shkolla e mesme ekonomike e Ferizajt aktualisht ka rreth 1.500 nxënës, me të cilët punojnë 83 mësimdhënës të kualifikuar. Kushtet e punës aktualisht janë të pakënaqshme, por po bëhet gati shkolla e re, e cila do të ofrojë mundësi shumë më të mira për nxënësit dhe mësimdhënësit, tha Haxhimusa.

Ndërsa kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa në fjalën e tij, vuri në dukje nevojën që shkolla e sotme, të përgatisë kuadro që do të jenë konkurrente në një treg më të gjerë pune se deri tani. Ai u tha të pranishmëve se të rinjtë dhe të rejat tona duhet të jenë të përgatitur për tregun evropian të punës, i cili kërkon më shumë shkathtësi, më shumë përkushtim e përgjegjësi.

“Ne kemi mbi 17 mijë të papunë të regjistruar në Ferizaj, por në të njëjtën kohë ka qindra vende të lira pune, për të cilat nuk gjenden punëtorë me profile adekuate. Ose, edhe kur ka punëkërkues me ato profile, niveli i shkathtësive nuk është i mjaftueshëm për të lidhur marrëdhënien e punës. Kjo gjë flet për dy gjëra: se ka shpërputhje ndërmjet nevojave të tregut dhe profileve që nxjerr shkolla jonë dhe se shkollimi tek ne shpesh bëhet formal, sa për të marrë një diplomë, pa fituar njohuritë dhe shkathtësitë që kërkojnë vendet e caktuara të punës”, tha, ndër të tjera, kryetari i Komunës së Ferizajt.

Shënimi i ditës së shkollës u përshkua me një program muzikor dhe me recitime. Shkolla ekonomike u dha mirënjohje bizneseve dhe individëve me të cilët ka partneritet, si dhe nxënësve më të dalluar në këtë vit shkollor.

Kontrolloni gjithashtu

Komuna e Deçanit po merr pjesë në Panairin e Turizmit dhe Sportit 2024 në Prishtinë

Komuna e Deçanit po merr pjesë në Panairin e Turizmit dhe Sportit 2024 në Prishtinë, …