Shoqata “Pëllumbi i Paqes” në Zvicër nderon post-mortum ish drejtorin e RKL-së, prof.Ahmet Qeriqin për kontributin e jashtëzakonshëm kombëtar

Shoqata Internacionale Humanitare “Pëllumbi i Paqes” me seli në Zvicër ka ndarë një mirënjohje post-mortum për profesor Ahmet Qeriqin, ish-drejtorin e Radios Kosova e Lirë, në shenjë respekti dhe vlerësimi të lartë për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në çështjen kombëtare dhe përpjekjet për çlirimin dhe lirinë e Kosovës.

Mirënjohja u dorëzua në një ceremoni simbolike nga udhëheqësja e shoqatës, veprimtarja Behide Hasanaj, e cila theksoi se figura e Ahmet Qeriqit do të mbetet përherë një emër i respektuar në historinë e qëndresës dhe mendimit të lirë shqiptar. Hasanaj u shpreh se puna e tij si intelektual, gazetar dhe veprimtar ishte frymëzuese dhe jetike në kohët më të vështira për kombin.

“Ahmet Qeriqi nuk ishte thjesht një drejtues i radios së rezistencës, por një zë i së vërtetës, një ndërgjegje kombëtare që i qëndroi besnik idealeve të lirisë deri në fund. Me fjalën, mendimin dhe guximin e tij, ai e ndihmoi popullin tonë të ruante shpresën dhe orientimin në momentet më të errëta”, u tha gjatë dorëzimit të mirënjohjes.

Ky nderim post-mortum përkon me një ndjenjë të thellë mirënjohjeje dhe mallëngjimi e një prej figurave më të angazhuara të mendimit kritik dhe patriotik shqiptar. Profesori Qeriqi kujtohet për stilin e tij të veçantë, përkushtimin e palëkundur ndaj kombit dhe rolin që pati në përhapjen e informacionit të saktë e të paanshëm gjatë luftës dhe pas saj.

Shoqata “Pellumbi i Paqes” vlerëson se kujtimi për veprën dhe jetën e Ahmet Qeriqit duhet të mbetet një burim frymëzimi për brezat e rinj, si dëshmi e asaj se fjala, e thënë me dinjitet dhe e mbrojtur me kurajo, mund të jetë po aq e fortë sa arma.

Kontrolloni gjithashtu

Prokuroria Speciale e Kosovës demanton deklaratën e Ministres Haxhiu për Pronën milionëshe në Veternik

Prokuroria Speciale: Hetimet për masakrën e Dubravës drejt përfundimit – identifikohen 88 të pandehur

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se është afër përfundimit të hetimeve për …