Kryeministri Edi Rama, në një reagim në rrjetet sociale, theksoi rëndësinë e Shqipërisë drejt hapjes së Grup kapitullit 4 në negociatat me BE-në këtij zhvillimi. “SHQIPËRIA NUK NDALET! Një tjetër hap i rëndësishëm drejt anëtarësimit në BE”, shkroi ai, duke e cilësuar këtë si një konfirmim të progresit të vendit në përmbushjen e kritereve të anëtarësimit. Shqipëria pritet së shpejti të hapë Grup kapitullin 4 të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, një etapë kyçe që shënon avancim të ndjeshëm në procesin e integrimit evropian. Pas miratimit nga shtetet anëtare të BE-së, Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm ka autorizuar Presidencën e Këshillit të BE-së të ftojë Shqipërinë për të paraqitur qëndrimet e saj negociuese për katër kapituj të rëndësishëm të “Agjendës së Gjelbër dhe Ndërlidhjes së Qëndrueshme”. Më 11 qershor, Presidenca polake i ka dërguar një letër zyrtare Tiranës për të nisur këtë hap, ndërsa Konferenca e Gjashtë Ndërqeveritare pritet të caktohet së shpejti. Kapitujt që do të hapen për negociim përfshijnë: kapitulli 14 Politika e Transportit, kapitulli 15 Energjia, kapitulli 21 Rrjetet Transevropiane, kapitulli 27 Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike.
