Shukrije Ramadani: Asimilimi është i pashmangshëm, por më rëndësi është që tradita të ruhet

Shukrije Ramadani: Asimilimi është i pashmangshëm, por më rëndësi është që tradita të ruhet

(Intervistë e Kosova Info me  Shukrije Ramadanin, drejtoreshë  e Qendrës Kulturore për Diasporë e Mërgatë në Zvicër, në kuadër të Ministrisë së Diasporës.

Është fakt i pamohueshëm se angazhimi i fëmijëve tanë në mësimin plotësues në gjuhën shqipe, duhet të shënojë ngritje dhe jo të kundërtën që po dukët sot në sfond. Kam besim të plotë se me angazhimin më të madh të mësueseve dhe prindërve dhe institucioneve përgjegjëse, edhe kjo do të tejkalohet, por duhet ta kemi qëllim të përbashkët, kështu ka deklaruar në një intervistë ekskluzive për Kosova Info, Shukrije Ramadani- u.d., drejtore e Qendrës Kulturore për Diasporë e Mërgatë- Zvicër.

“Nuk duhet ta harrojmë faktin se këtu i thonë mërgatë dhe thithja – asimilimi është i pashmangshëm, por më rëndësi është që jetëgjatësia e gjuhës, traditës dhe kulturës shqipe, të jetë sa më e gjatë, pra të mos anashkalohet kurrë!”, ka theksuar znj. Ramadani, duke shtuar se asimilimi nuk është frikë, por është realitet, pasi që e gjithë përpjekja jonë duhet të jetë tek jetëgjatësia e kulturës sonë.

“Bashkatdhetarët tanë me të drejt kanë pritur më tepër se do të kenë mbështetje nga Ministritë, duke filluar nga Ministria e Kulturës, Ministrinë e Jashtme, Ministrinë e Arsimit dhe Ministria e Diasporës, pasi që këto janë katër shtyllat përgjegjëse për bashkatdhetarët tanë në Zvicër. Pa dyshim, se ata janë të kënaqur me shërbimet që iu ofrohen edhe nga Konsullatat edhe nga Qendra Kulturore, por natyrisht se ata kanë të drejt të kërkojnë edhe më shumë,ngaqë kanë ofruar dhe ofrojnë më shumë për jetësimin e shtetit të Kosovës”, ka thënë ajo.

Duke folur për suksesin e të rinjve në Zvicër, ajo ka thënë se “krenaria është mbi bazën e suksesit të të rinjve tanë si, promovime të ndryshme të sukseseve të tyre shkencore, profile të ndryshme të kuadrove tona deri edhe tek titujve shkencore, madje sport, biznes etj., për mes së cilëve lartësohet dhe nderohet emri i Kosovës, por shqiptarët në diasporë e veçanërisht në Zvicër, po formësohen si komunitet me atributet e veta pozitive”.

Kosova Info: Znj. Shukrije, jeni u.d drejtore e Qendrës Kulturore për Diasporë e Mërgatë në Zvicër, në kuadër të Ministrisë së Diasporës. A mund të na tregoni punën që bëni ju në krye të kësaj Qendre?

Shukrije Ramadani: Po, në cilësinë e u.d-së së kësaj Qendre, pranë Konsullatës së Republikës së Kosovës në Zürich, detyra ime parësore është ruajtja e identitetit, kultivimit dhe jetësimit të gjuhës, dhe kulturës sonë kombëtare. Pa dyshim takimet mes shoqatave dhe mbështetja jonë për mësimin shqip të fëmijëve tanë në diasporë, në konsultim të vazhdueshëm me Lidhjen e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptar në Zvicër. Sqarojmë se në Zvicër veprojnë mbi 50 shoqata kulturore dhe rrjetëzime të ndryshme, të cilat pasurojnë jetën tonë si në zhanrin e muzikës, Teatrit, sportit,shëndetit,drejtesisë etj.

Kosova Info: Sa po mundeni t’i bashkoni shqiptarët në këtë shtet, sidomos kur bëhet fjalë për ruajtjen e identitetit kulturor dhe kombëtar?

Shukrije Ramadani: Komuniteti ynë në Zvicër ka qenë shtylla e organizimit dhe angazhimeve kombëtare, mjafton që ne, të cilët jemi të ngarkuar me përgjegjësi, të jemi në nivel të bashkëpunimit dhe bashkërendimit me mërgatën dhe të arrijmë të mbajmë mbajmë hapin me ta,vërtet ky komunitet meriton më shumë. Në vazhdim, unë nuk ndalëm se vepruari me takime, tubime, organizime dhe forma tjera te mundshme, thjesht nuk kursehem për asnjë çast. Për çdo aktivitet, në veçanti për festat kombëtare, prezenca e këtyre shoqatave është e bashkërenduar në mënyrë të shkëlqyer.

Kosova Info: Cili është roli i kësaj Qendre në vetëdijesimin e bashkatdhetarëve tanë, meqë kemi të bëjmë me dy shtresa të mërgimtarëve, si shtresa e arsimuar dhe ajo e paarsimuar, në mënyrë që edhe këta të fundit pak a shumë të vetëdijesohet dhe të ecin me hapin ë kohës?

Shukrije Ramadani: Unë nuk do t’i klasifikoja kështu; e saktë shtresa qe nuk ka pasur mundësi të vazhdojë më tutje, është dashur që t’i përvishet punës për të ngritur brezin e ri. Kjo shtresë kontributin më të madh e ka dhënë në ruajtjen e traditës dhe gjuhës shqipe. Fakti që brezi i ri, sot në Zvicër është kudo si: në mjekësi, biznes, sport, banka, polici, komunë, politikë e në çdo pore të jetës krah për krah qytetarëve zviceran, ky është sukses para së gjithash sakrificës së brezit të vjetër që cekem më lartë. Është fakt i pamohueshëm se angazhimi i fëmijëve tanë në mësimin plotësues në gjuhën shqipe, duhet të shënojë ngritje dhe jo të kundërtën që po dukët sot në sfond. Unë kam besim të plotë se me angazhimin më të madh të mësueseve dhe prindërve dhe institucioneve përgjegjëse, edhe kjo do të tejkalohet por duhet ta kemi qëllim të përbashkët. Nuk duhet ta harrojmë faktin se këtu i thonë mërgatë dhe thithja – asimilimi është i pashmangshëm, më rëndësi është që jetëgjatësia e gjuhës, traditës dhe kulturës shqipe të jetë sa më e gjatë, pra të mos anashkalohet kurrë!

Kosova Info: Mësimi shqip, a është mungesë e lobimit, mungesë e bashkëpunimit, apo neglizhenca e familjarëve tanë këtu për t’i dërguar fëmijët në mësimin plotësues shqip?

Shukrije Ramadani: Ndoshta është nga të gjitha ngapak, por siç dihet, pas luftës shqiptarët kanë pritur që të mbështetën më tepër nga Ministria e Arsimit të Kosovës, mendoj nga ana financiare. Mësimi shqip, prapë mbeti mbi baza vullnetare dhe vullnetarët një ditë do të lodhën dhe do humbin motivimin,ngase edhe ata duhet të rrojnë, dhe për të jetuar duhen mjete! Për të qenë korrekt; të pakta janë qendrat, si qyteti i Zurich-ut, Bern-it, apo i Gjenevës, ku mësimdhënësit janë financuar në një masë nga qyteti apo nga projekte të ndryshme. Puna tjetër është bërë krejtësisht në mënyrë vullnetare për vite të tëra, dhe për këtë dua t’i përgëzoj mësimdhënësit tanë në rend të parë.

Kosova Info: Tashmë është një marrëveshje mes Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Diasporës, për mësimin shqip të fëmijëve në diasporë. Sa ka ndikuar kjo marrëveshje në vetëdijesimin e të rinjve në mësimin shqip?

Shukrije Ramadani: Në atë marrëveshje përfshihet edhe shtypja e librave, furnizimi me libra që e bënë Ministria e Diasporës në mënyrën më të duhur. Tani fëmijët shqiptar kanë librat, kanë fletore pune, por mungojnë pak a shumë nxënësit, ngase gjenerata e tretë është lindur dhe rritur këtu, thjeshtë jeta i ka marrë përpara- një përditshmëri që i mbyllë në kornizat e veta.
Për këtë jemi përgjegjës të gjithë nga pak (pra edhe Institucionet e shtetit tonë), të gjithë duhet të angazhohemi për ti nxjerrur të rinjtë nga këto korniza dhe për ta ruajtur djepin e kulturës sonë- ndryshe do bëhet vonë.

Kosova Info: Ju e përmendët disa herë gjeneratën e tretë të shqiptarëve në Zvicër. A ekziston frika e asimilimit?

Shukrije Ramadani: Nuk është frikë, është realitet, e gjithë përpjekja jonë duhet të jetë tek jetëgjatësia e kulturës sonë- mendoj unë. Kjo nuk ka ndodhur vetëm me ne, me plotë komunitete tjera që në një formë a tjetër janë asimiluar anë e kënd botës së gjërë. Në fakt brezi ynë i ri është integruar mirë në Zvicër, tani ata nuk janë vetëm shqiptar, janë edhe shqiptaro-zviceran.

Kosova Info: Znj. Shukrije, ju njiheni si aktiviste e madhe dhe lobuese për shtetin e Kosovës. Cilat janë projektet e Qendrës që ju udhëhiqni, dhe cilat janë ato që më së shumti kanë përfunduar me sukses?

Shukrije Ramadani: Në vazhdimësi kemi projekte të reja, për mua më rëndësi është hapësira që dua të ju ofroj të rinjve tanë; duke bërë promovimin e filmave, ekspozitave, pjesë teatrale, muzikë, promovim librash, rrjetëzime të profileve te ndryshme, pikëtakime tjera e kështu me radhë t. Gjithashtu e rëndësishme është edhe nxjerrja në pah e fuqisë së gruas, vetëdijesimi i saj, roli dhe integrimi i saj në shoqëri, deri tek roli i saj udhëheqës. Mendoj se e vlen përpjekja jonë që tanimë ka rezultuar me krijimin e korit të grave shqiptare që është mirëpritur mrekullisht në skenë.
Anëtaret e këtij kori janë pjesë e një koloriteti kuadrosh të grave shqiptare si: juriste, punëtore sociale, punëtore policie e profile tjera që i bashkon dashuria për këngën dhe kulturën shqiptare.

Kosova Info: Megjithatë, nuk mungon suksesi i shqiptarëve këtu në Zvicër, pra ka shumë shqiptarë të suksesshëm. E ndjeni vetëm mirë dhe rehat?

Shukrije Ramadani: Krejt natyrshëm, krenaria është mbi bazën e suksesit të të rinjve tanë dhe më lumturon paskajshëm si: promovime të ndryshme të sukseseve të tyre shkencore, profile të ndryshme të kuadrove tona deri edhe tek titujve shkencore, madje sport, biznes etj, për mes së cilëve lartësohet dhe nderohet emri i Kosovës, por shqiptaret në diasporë e veçanërisht në Zvicër po formësohen si komunitet me atributet e veta pozitive, natyrisht se ka edhe të meta dhe shumë punë që le për të dëshiruar.

Kosova Info: Për këtë çështje, sa keni biseduar me Ambasadorët, me Konsullatat dhe më zyrtarë të institucioneve të Zvicrës, që sadopak të ruhet identiteti i shqiptarëve dhe të përmendet fjala Kosovë në vazhdimësi në aspektin pozitiv, e jo në aspektin negativ?

Shukrije Ramadani: Institucionet ndërshtetërore, Ambasadë, Konsullatë përballë shtetit pranues, kanë obligim të koordinojnë takime, iniciativa dhe probleme tjera, me të cilat qytetarët tanë përballën këtu. Në e kemi obligim të kultivojmë miqësi dhe mirëkuptim me zviceranët, me të cilët jetojmë e punojmë bashkërisht. Pa dyshim se ka edhe nga qytetarët tanë që kanë rënë ndesh me ligjet e këtushme, dhe kjo po na kushton si komunitet- e keqja merr dhenë më shpejt se e mira, pa dyshim gëzon fakti se këta keqbërës janë aq pak në numër dhe janë në rënie, si rezultat i integrimit të tyre në shoqëripor edhe puna me ta nga ana e Ambasades se Kosoves, Konsullatave dhe Qendra e Kulturës Kosovare ka ndikuar në ngritje të imazhit.

Kosova Info: Znj. Shukrije. Sa është sfiduese, dhe njëherit e kënaqshme, puna juaj si u.d drejtore e Qendrës Kulturore për Diasporë e Mërgatë në Zvicër?

Shukrije Ramadani: Mua vet jeta më ka sfiduar, por nuk jam dorëzuar kurrë në kërkim të njerëzores, mendoj se kjo më ka mbajtur të pathyer. E saktë, sa sfiduese është edhe atraktive për mua, ngaqë plotësojë një ëndërr- jo vetëm timen, por edhe te dashurisë sime te vetme për Dëshmorët e kombit- në veçanti atij që më mungon më së shumti: Agimit tim!
Ai kur iku në gjirin e Kosovës mëmë, ishte drejtor i Qendrës se parë Kulturore te krijuar ne Zvicër në vitin 1995. Pas ikjes se tijë dhe të shumë djemve aktiv, kjo Qendër pushoi veprimtarinë.

Kur më ofroi këtë mundësi Ministria e Diasporës, të them të drejtën e pranova me kënaqësi, por edhe me ndrojtje se a do t’i dalë për të përmbushur një amanet të pa thëne, që thellë në shpirtin tim e kam si borgj e cila do të më shoqëroj gjatë rrugëtimit tim deri në amshim.

Kosova Info: Në takimet që keni vazhdimisht me bashkatdhetarët tanë këtu, a mund të na tregoni se janë të kënaqur ata me punën e përfaqësuesve të shtetit të Kosovës, dhe njëkohësisht cilat janë kërkesat e tyre për përfaqësuesit e shtetit tonë?

Shukrije Ramadani: Tashmë rrugët e komunikimit janë të shkurtra, takimet janë të shpeshta. Nga të dyja anët ekzistojnë ura komunikimi, gati është e pamundur t’i përballojmë të gjitha me kohë. Por, prapë se prapë, janë rrugët institucionale ato me të cilat komunikojmë me zviceranët dhe anasjelltas. Sukseset nuk mungojnë, gjithnjë mbetët për të dëshiruar, pritjet ishin për një progres më të madh në të gjitha sferat e jetës në Kosovë, por realiteti është ky që po prekim me dorë! Bashkatdhetarët tanë me të drejt kanë pritur më tepër se do të kenë mbështetje nga Ministritë, duke filluar nga Ministria e Kulturës, Ministrinë e Jashtme, Ministrinë e Arsimit dhe Ministria e Diasporës, katër shtylla këto që janë përgjegjëse për bashkatdhetarët tanë në Zvicër. Pa dyshim se ata janë të kënaqur me shërbimet që iu ofrohen edhe nga Konsullatat edhe nga Qendra Kulturore, por natyrisht se ata kanë të drejt të kërkojnë edhe më shumë,ngaqë kan ofruar dhe ofrojnë më shum për jetësimin e shtetit të Kosovës.

Kosova Info: Pasi që keni buxhet të vogël, si ja dilni që të realizoni të gjitha aktivitete që keni?

Shukrije Ramadani: Po, me ndihmën e njerëzve të vullnetit të mirë, të Shoqatave të shumta që veprojnë këtu, të mësimdhënësve, të krijueseve të profileve të ndryshëm të njerëzve të biznesit, kulturës, artit, aktivistëve të vjetër dhe të rinj e shumë dashamirës të kombit tonë.

Kosova Info:  Sa janë të kënaqur dhe njëherit të zhgënjyer bashkatdhetarët tanë me punë e udhëheqësit e Kosovës?

Shukrije Ramadani: Kjo pyetje nuk më takon mua, aq më pak guxoj të përgjigjem në emrin e tyre, janë me qindra mija bashkatdhetarë në Zvicër e gjetiu në perëndim, secila ka vizionin e vet. Në takime të shumta me ta më ka rënë të dëgjoj edhe fjalë të pahijshme, herë herë duken të zhgënjyer me punën dhe udhëheqësit e shtetit të Kosovës, me politikat që janë duke u bërë në Kosovë, me qasjen ndaj mërgimtarëve, mos të harrojmë asnjëherë për lirinë e Kosovës nga Zvicra kanë rënë mbi 70 dëshmorë e mijëra të rinj e të reja, i janë përgjigjur thirrjes për Lirinë që tani e gëzon Kosova, e të mos flasim për buxhetin që është derdhur në mbështetje të luftës pë çlirim!

Kosova Info: Ju keni kontakte të vazhdueshme me udhëheqësit e Kosovës. Sa ua keni transmetuar atyre, këto pakënaqësi të bashkatdhetarëve.

Shukrije Ramadani: Mbase janë të bezdisshme kërkesat tona që ne ua drejtojmë përfaqësuesve të Institucioneve të Kosovës, por këtë e bëjmë me të vetmin qëllim: Ne e duam shtetin tonë, por nuk kemi të drejtën e votës si shtetet tjera, ne kemi dhënë gjithçka që ishte në fuqinë tonë për Kosovën dhe mëkëmbjen e saj politike, ekonomike, diplomatike etj. Bashkatdhetarë tanë janë përpjekur që Kosovës dhe lirisë sonë t’i japin çdo gjë e mos t’i marrin asgjë, mendoj se do të ishte nder për Parlamentin e Kosovës që në gjirin e saj të kishte edhe përfaqësuesit tanë nga Diaspora.

Kosova Info: E keni ngritur zërin që edhe diaspora të ketë deputetët e saj në Kuvendin e Kosovës?

Shukrije Ramadani: Për këtë çështje kemi ngritë zërin në shum takime dhe aktivitet tjera. E po ashtu edhe në Kosovë me ministrinë e Diasporës z. Murati. Kemi biseduar për këto gjëra, në fakt Ministri ka një vullnet të mirë që të ndihmojë në shumë shtigje, jo vetëm për këtë çështje. Megjithatë, ekziston frika që në momentin kur fillojnë ndryshimet Kushtetuese, atëherë lindin edhe shumë pyetje tjera që ata nuk janë në gjendje të ju japin përgjigjen e duhur ne keto momente.

Kosova Info: Para disa viteve ka filluar regjistrimi i Diasporës. Sa jeni të kënaqur më këtë regjistrim?

Shukrije Ramadani: : Jo shumë, ngaqë diaspora nuk ka qenë e gatshem për regjistrim, edhe pse ministri Murati, dhe të gjithë zyrtarët u’a kanë shpjeguar shumë qartë se nuk i mbledhin të dhënat për asgjë tjetër, përpos për të ditur numrin e saktë sa kemi diasporë, sa e kemi të arsimuar, ku e kemi, më se merret, pra të gjitha këto gjëra janë shpjeguar edhe si proces, por mendoj se duhet te kemi shumë më tepër kohë dhe buxhet, për t’u bërë një regjistrim i mirëfilltë. Në këtë drejtim, mund të them se nuk ka munguar as lobimi e as marketingu, por ka pasur zëra, të cilët i kanë penguar mërgimtarët të regjistrohen, sikur dikujt i ka penguar ky regjistrim.

Kosova Info: A keni bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës së Kosovës, në organizimin e aktivisteve kulturore që bëni?

Shukrije Ramadani: Nga ana jonë kemi dhënë maksimumin për të vënë linjat e komunikimit të ndërsjellë, mirëpo kjo nuk mund të arrihet vetëm nga njëra palë, do duhej të ishte vullneti dypalësh, që në fakt nuk ështe në nivelin e duhur!? Mendoj se Ministria e Kulturës, duhet t’i ketë në dispozicion të dhënat për diasporën, në veçanti gjatë muajve kur bashkatdhetarët janë në Kosovë për pushime, ku mund të organizoheshin më mirë aktivitete të rëndësishme për “Ditët e Diasporës”, nëpër Komuna, në mënyrë që diaspora ta ndjejë afshin e atdhut tonë- Kosovës, dhe duhet të bëjë më shumë për vendosjen e këture lidhjeve!

Kosova Info: Cili është mesazhi juaj për bashkatdhetarët tanë këtu në Zvicër?

Shukrije Ramadani: Shqiptarët në Zvicër fillimisht duhet të vetëdijesohen për ruajtjen e gjuhës, identitetit, dhe traditës së tyre, pasi që vetëm më këto, mund të shkojmë përpara. Ne mund të bëhemi zviceran me letra sa të duam, por duhet ta ruajmë unin dhe identitetin tonë. Gjuha dhe kultura është ajo që na fal identiet. Ne kemi një kulturë të lashtë me të cilën krenohemi, të përpiqemi si të tillë ta paraqesim para botës. Ne kemi muzikë te mrekullueshme, muzikë qytetare të bukur e të lashtë, që ju pëlqen edhe te huajve, të paraqitemi me tingujt tanë.

Ne kemi vlera kulturore, në të cilat mund të mbështetemi e të paraqitemi para shteteve tjera, si me veshjet tona të bukura popullore, po ashtu edhe me ritet dhe traditat tona te lashta. Unë mendoj se të rinjtë ikin nga vetvetja, ikin nga identiteti ngaqe nuk e njohin mjaftueshëm. Prandaj, është e rëndësishme se çdo i ri dhe e re të vazhdojë shkollat shqipe, por gjuha ruhet vetëm aty ku flitet e shkruhet,andaj mësimi plotesues duhet të ketë prioritet ngaqë gjuha ruhet aty ku flitet e shkruhet, andaj vijimi i mësimin plotësues shqip duhet të ketë prioritet. Po ashtu, edhe prindëri e kanë për detyrë që fëmijëve t’ua mësojnë rrënjët e tyre, t’u tregojnë për lashtësinë e tyre ilire, t’u tregojnë se ne kemi vlera shumë më të mëdha dhe jemi ndër popujt më të vjetër në Ballkan, dhe vërtetë këto vlera duhet t’i paraqesim para të huajve, t’i ruajmë dhe të integrohemi me këto vlera.

 

Intervistoi: Lumturije BEKAJ

Kontrolloni gjithashtu

Flet Kryetari i grupit lab “Bijtë e Tepelenës” Kastriot Lamaj: Kënga labe ka qënë është dhe do të mbetet pjesa më e artë e identitetit tonë kombëtar

Flet Kryetari i grupit lab “Bijtë e Tepelenës” Kastriot Lamaj: Kënga labe ka qënë është dhe do të mbetet pjesa më e artë e identitetit tonë kombëtar

– “Në Tepelenë ka disa grupe labe që mbajnë gjallë dhe mbartin këngën më të …