Simbolika e “Ohrit 2”, një mendjelehtësi e pafalshme politike e disa zyrtarëve shqiptarë në Maqedoni

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka deklaruar se shpreson që sot në mes Kosovës dhe Serbisë të arrihet marrëveshja, “Ohri 2”. Si të tillë ai e  ka krahasuar mundësinë e arritjes së marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë, që po mbahet në Ohër.

Politikanët si Bujar Osmani, Ali Ahmeti e të tjerë të kësaj mendësie politike, mendojnë se shqiptarët në Maqedoni e kanë zgjidhur përgjithmonë çështjen kombëtare, edhe pse në Maqedoni, sipas Kushtetutës, nuk trajtohen popull  shtetformues, por   ata janë një pakicë kombëtare, me të drejta politike, më të mira sesa i kanë pasur në të kaluarën, larg mundësisë së zgjidhjes së çështjes shqiptare në Maqedoni dhe jo vetëm atje.

Marrëveshja e Ohrit, nënkupton një shtet të përbashkët të maqedonasve sllavë me shqiptarët, turqit, serbët e të tjerë dhe kurrsesi dhe në asnjë mënyrë pavarësi të shqiptarëve nga Maqedonia, sikur është sot Kosova e Pavarur nga Serbia.

Këta mendjelehtë janë dehur nga pushteti me të cilin janë veshur dhe kanë harruar luftën, diskriminimin, përfaqësimin e shqiptarëve  si pakicë kombëtare  në shtetin në të cilin jetojnë, pasi pushteti  u ka sjellë favore, para, përfitime e të tjera.

Ky krahasim do t’ i pëlqejë shumë kryetarit të Serbisë, Vuçiq, i cili pavarësisht se pranon apo nuk e pranon planin evropian, ai e ka thënë hapur, e thotë edhe sot në Ohër, se Kosova është provincë e Serbisë, se është Kosova dhe Metohija, megjithatë ai kërkon një autonomi zyrtare për serbët në Kosovë, të cilën nuk e duan politikanët shqiptarë në Maqedoni, pasi mendojnë se kanë më shumë se autonomi.

 

Të bësh krahasime mes Marrëveshjes së Ohrit dhe marrëveshjes së mundshme të Kosovës me Serbinë, paragjykohet se Kosova e Serbia, në të ardhmen ta kenë një shtet të përbashkët, ashtu sikur e kanë shqiptarët me maqedonasit sllavë. Realisht, plani evropian është ndërtuar në bazë të modelit të dy gjermanive, por fakti se Kosova është shtet i pavarur qe 15 vjet, pavarësi të cilën e kanë njohur më shumë se gjysma e shteteve të botës, tregon se kemi një realitet krejtësisht tjetër.

Kurrfarë simbolike nuk mund të ketë mes këtyre dy marrëveshjeve, përveç faktit se takimet  po mbahen, në Ohër,  dhe faktit tjetër se politikanë e markës së Ali Ahmetit e kanë nënshkruar atë marrëveshje e cila ka filluar të realizohet pas më shumë se 15 viteve nga viti 2001, por nuk e ka zgjidhur çështjen shqiptare  në Maqedoni  mbi parimin historik as etnik.

Me marrëveshjen e Ohrit të vitit 2001, kanë fituar sllavo-maqedonasit, por jo shqiptarët, të cilët nuk trajtohen popull shtet-formues, pavarësisht të drejtave politike e kulturore.

Paragjykimi se serbëve në Kosovë duhet t iu jepen të drejta sikur shqiptarëve në Maqedoni, është një utopi, sepse ata përbëjnë vetëm 8 për qind të popullsisë së përgjithshme të Kosovës, ndërsa shqiptarët në Maqedoni përbëjnë një të tretën  e më shumë të popullsisë.

 

Ahmet Qeriqi

18 mars 2023

Shtime

Kontrolloni gjithashtu

BDI: Për fituesin vendosin qytetarët dhe jo VMRO

Bujar Osmani ka siguruar epërsi të lartë nga votimi i Mërgatës, në zgjedhjet presidenciale që po mbahen në Maqedoni

Sipas mediave në Maqedoninë e Veriut, raportohet se janë publikuar rezultatet paraprake nga votimi i …