Sindikata e sektorit privat të Kosovës ka bërë padi penale në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Rasti ka të bëjë me punëtoret teknike të cilat për muaj të tërë protestuan para Kuvendit të Kosovës dhe pastaj hynë edhe në grevë, duke kërkuar rritje pagash dhe njohje të ditëve të mohuara të pushimit. Duke folur për këtë rast, kryetari i Sindikatës së sektorit privat, Jusuf Azemi ka thënë se është shumë i zhgënjyer nga Kuvendi dhe nga Qeveria që punëtoret nuk u kthyen në vendet e tyre të punës, ndonëse kanë punuar aty për më shumë se 20 vjet me pagë 270 euro. “Inspektorati i Punës ka nxjerrë raport zyrtar në favor të këtyre punëtoreve. Kanë hyrë në grevë në mënyrë ligjore, kanë qëndruar në grevë në mënyrë ligjore dhe janë larguar nga puna në mënyrë joligjore. Kur nuk u ndihmuan këtyre punëtoreve me pagë 270 euro që të kthehen në punë, atëherë realisht këtu nuk ka mbetur as Parlament, as Qeveri, as nuk ka mbetur asgjë” ka theksuar Jusuf Azemi dhe ka shfaqur besimin e tij se vendimi i Gjykatës do të jetë në favor të këtyre punëtorëve.
