Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë Komunën e Malishevës, sikur tërë vendin tonë, gjatë ditës së djeshme dhe sot, nuk kanë shkaktuar probleme të theksuara dhe situata është e menaxhueshme. Qarkullimi në të gjitha akset rrugore është normal, përveç urës pranë liqenit të Mirushës, e cila lidh fshatin Mirushë me fshatin Gurbardh, ku po paraqiten vështirësi të përkohshme në lëvizje.
Ekipet emergjente komunale, përfshirë edhe Shërbimin e Zjarrfikësve dhe Shpëtimit si dhe Policinë, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në gatishmëri të plotë, duke vepruar në koordinim të ngushtë me organet përgjegjëse.
Deri më tani, përveç disa dëmeve të vogla në sektorin e bujqësisë, nuk janë raportuar dëme të tjera. Intensiteti i reshjeve ka rënë ndjeshëm, ndërsa prurjet e ujit në lumin Mirusha janë në ulje.
Kërkohet nga qytetarët që të ti përmbahen apelit të Policisë së Kosovës, që ti shmangin rrugët ku mund të ketë vështirësi dhe të përdorin rrugët alternative, sikur në rastin e urës në Mirushë.
Po ashtu duhet ti përmbahen edhe apelit të njësisë së Hidroregjionit jugor në Malishevë, që të bëjnë kujdes në përdorimin e ujit të pijes, pasi për shkak të reshjeve uji mund të jetë i papërdorshëm, përderisa ekipet e saj janë duke punuar maksimalisht për pastrimin e ujit.